2016-01-11 14:39:00

Jubileu i Vitit Shenjt: Mëshira, aftësi për ta kuptuar tjetrin”


Të kuptojmë pse u shpall Viti Shenjt

Vijojmë rubrikën kushtuar Jubileut të Mëshirës, duke vënë, në vijim, në qendër të vëmendjes, konceptet kryesore të tij, jo vetëm për ta kuptuar më mirë, por edhe, e sidomos, për ta jetuar me gjithë shpirt, duke e ndjerë thellë ndikimin e Mëshirës hyjnore, që fal e shndërron.

Një Vit Shenjt për ta ndjerë praninë e Shpirtit Shenjt

Ishte nxitje nga ana e Shpirtit Shenjt, shpallja e Jubileut të jashtëzakonshëm nga ana e Papës Françesku i cili, me gjestet e tij e me fjalët e tij, po e ripërshkruan edhe një herë Fytyrën e Zotit, që ka qënë, është e do të jetë “fytyra e mëshirshme e Atit” (Misericoriae Vultus). Një nga elementet frymëzuese është edhe Dives in misericordiae e Shën Gjon Palit II.

Një Vit Shenjt, për ta parë me sytë tanë fytyrën e Zotit

Zoti i Jezu Krishtit nuk është ai, që na e mësojnë mësuesit e dyshimit. Është ndryshe! Është Zot tjetër. E emri i tij është mëshirë. Ai nuk gjykon rreptë, nuk fyhet për mëkatet tona, nuk zemërohet, nuk na gjuan me rrufenë e mallkimit. Jo! Zoti di vetëm të dojë. Ai është Dashuri. Di të dojë si moskush. Të dojë gjithnjë, pa kufij e pa masë. Sepse dashuria e tij është e zjarrtë, e papërmbajtur.

Një Vit Shenjt, për t’iu përgjigjur kësaj dashurie, me dashuri

 I mrekullueshëm, Zoti ynë, Zoti i Jezu Krishtit, besnik ndaj emrit të tij. I mëshirshëm, nuk e braktis askënd buzë honit, por është gati t’u përgjigjet të gjithëve me dashuri atërore e amtare, i gatshëm t’ia shtrijë dorën secilit nga ne, për të na ndihmuar ta nisim përsëri rrugën e drejtë, plot me shpresë.

Një Vit Shenjt, për ta shtrënguar dorën e Zotit…

Atë dorë të gjithëpushtetshme, që kërkon dorën tonë mëkatare…

Një Vit Shenjt, për ta shndërruar vetveten tonë përmes nismave parashikuar nga Ati i Shenjtë dhe nga të gjithë barinjtë e kishave tona dioqezane.

Një Vit Jubilar për ta ndjerë fort në shpirtin tonë, Shpirtin e Zotit!

Gjithëpushteti i Zotit është mëshirë e falje

Lajtmotivin e lutjeve të Jubileut mund ta gjejmë, duke shfletuar një tekst të lashtë liturgjik, ku shkruhet: “O Zot, që e dëfton gjithëpushtetin, posaçërisht me mëshirë e falje, vijo ta dikosh mbi ne hirin tënd, që, duke ecur drejt të mirave të premtuara, të bëhemi pjesëtarë të lumnisë sate të amshuar”.

Mëshira është aftësi për ta kuptuar tjetrin

Kjo sjellje e Zotit ndaj njeriut duhet të jetë edhe filli i kuq i çdo lloj marrëdhëniejeje njerëzore: marrëdhënieve me njëri-tjetrin e me shoqërinë, Mëshirë do të thotë aftësi për ta kuptuar tjetrin, për ta dëgjuar, për ta ndihmuar, për t’i  marrë mbi vete nevojat e tjetrit, si të ishin tuajat, përmes atyre veprave të cilat, në fundin e ditëve tona, do të jenë të vetmet, që do të na krijojnë mundësinë të jetojmë në Tënzonë.








All the contents on this site are copyrighted ©.