2016-01-11 15:00:00

Jubileu: Viti Shenjt i Mëshirës. Gjestet e Papës Françesku


Jubileu i Mëshirës, që u hap më 8 dhjetor 2015 e do të përfundojë më 20 nëntor 2016, u shpall me dëshirën e Papës, për t’ia treguar edhe një herë botës dashurinë e pafundme të Krishtit.

Disa nga gjestet e Papës, në këtë Vit

Papa ka nisur e do të vijojë të bëjë, simbolikisht, disa gjeste, për të arritur në “periferitë” e jetës së njerëzimit e për të dhënë personalisht dëshminë e afërsisë dhe të vëmendjes ndaj të varfërve. Kjo, shenja e parë e më shpehëse e Jubileut të Françeskut: të varfërit, të parët, pranë Papës.

Mëshira përshkon gjithë papninë e Françeskut, duke nisur nga stema

Kjo temë ndjehet fuqimisht që në hapin e parë të kësaj papnie, qysh në moton e në stemën e Françeskut, shkëputur nga homelitë e Bedës së Nderuar e frymëzuar nga episodi ungjillor i thirrjes së Mateut:  “Miserando atque eligendo”. Na e shpjegon vetë Papa, duke kujtuar se Jezu Krishti “e pa Mateun, pati mëshirë dhe e zgjodhi”. Por përkthimi fjalë për fjalë do të ishte, vijon Bergoglio, “duke e mëshiruar e duke e zgjedhur”, gati-gati një punë mjeshtri të filigranës.

Simbolika e stemës

Stema papnore, që na kujton menjëherë Mëshirën hyjnore, merr kuptim të veçantë në jetën e në udhën shpirtërore të Papës. Në moshën 17 vjeçare, pas një rrëfimi, Jorge u prek thellë në zemër e perceptoi mëshirën e Zotit, që po e thërriste të ecte në gjurmët Shën Injacit të Lojolës. E ai e nisi shtegtimin…Pas zërit të Mëshirës, që vijon ta thërrasë…

Mëshira Hyjnore në papninë e Françeskut

Shërbesa papnore e Françeskut është përplot me thirrje për t’u lëshuar në krahët e Mëshirës Hyjnore, për të kërkuar falje e për të falur, për të pasur besim të plotë në dashurinë e Atit, që i harron fajet e bijve të tij.

Krishti, bari, që nuk dënon, por fal

Papa  përpiqet vazhdimisht që të gjithë ta kuptojnë se Fytyra e Vërtetë e Krishtit është ajo e bariut plot me mëshirë. Krishti nuk e dënon mëkatarin e penduar. Krishti vdiq në kryq, duke falur. Krishti u ngjit në qiell, duke falur. Krishti na shikon nga lart e, duke e njohur mirëfilli natyrën tonë të ligshtë njerëzore, na hap krahët e na pret ta pranojmë përqafimin e Tij të mëshirës e të faljes. Prej këndej, Papa u kërkon edhe rrëfyesve të jenë të mëshirshëm. Ta kuptojnë pendestarin. Njeriun me shpirt të sëmurë, që pret shërim. Të mos e gjykojnë, por ta shërojnë!








All the contents on this site are copyrighted ©.