2016-01-10 15:41:00

Papa Françesku: Kisha dënon mëkatin e përqafon mëkatarin


“Emri i Zotit është Mëshirë”. Ky, titulli i librit-intervistë të Papës Françesku me vatikanistin Andrea Tornielli, që do të dalë të marten e ardhshme, më 12 janar, njëkohësisht në 86 vende të botës. Sot në katër gazeta italiane: La Stampa, Corriere della Sera, Repubblica dhe Avvenire u botuan katër separate të ndryshme nga vëllimi. Programi ynë ju paraqet sot një sintezë të librit të ri të Françeskut.

“Papa është njeri, që ka nevojë për mëshirën e Zotit”. Françesku e pohon këtë në bisedën me Andrea Torniellin. E pikërisht nga kjo bisedë lindi libri i titulluar “Emri i Zotit është mëshirë”. Papa i rikthehet, në këtë vëllim, “lidhjes së tij të veçantë”  me të burgosurit. “Sa herë e kapërcej pragun e një burgu për ndonjë kremtim a vizitë, i shpjegon vatikanistit të La Stampës, mendoj gjithnjë të njëjtën gjë: pse ata, e jo unë? Rrëzimet e tyre ka shumë mundësi të ishin të miat. Nuk ndjehem më i mirë nga ai, që kam përballë”.

Si Pjetri, edhe pasardhësit e tij janë mëkatarë

“Kjo mund të shkandullojë, pranon, por më ngushëllon Pjetri: e mohoi Jezusin e, megjithatë, u zgjodh”. Papa vijon të tregojë se ka mbetur shumë i prekur nga leximi i disa teksteve të Palit VI dhe të Gjon Palit I: Albino Luciani e quante veten ‘pluhur’, duke pasur parasysh kufizimet e veta, paaftësitë, që ia mbushte mëshira e Zotit. Shën Pjetri, rikujton, e tradhtoi Jezusin. E nëse Ungjijtë na e përshkruajnë mëkatin e tij, mohimin e tij, vëren, e nëse Jezusi, megjithatë, i tha: ‘Kulloti delet e mia!’, nuk më duket se duhet të mrekullohemi kur edhe pasardhësit e tij e përshkruajnë veten si mëkatarë. Në një fragment tjetër të vëllimit, Françesku pohon se mund ‘ta lexojë’ jetën e vet, përmes Kapitullit të 16-të të Librit të Ezekielit, atje ku Profeti flet për turpin”.

Turpi është hir, që na bën ta ndjejmë mëshirën e Zotit

Turpi, nënvizon Papa, është hir: kur ndokush e ndjen mëshirën e Zotit, i vjen marre nga vetvetja; turp, nga mëkati i tij. Turpi, vë në dukje Papa, është një nga hiret që Shën Injaci kërkon në rrëfimin e mëkateve përballë Krishtit të kryqëzuar. Ky tekst i Ezekielit, vijon të tregojë Papa, të mëson të turpërohesh, por, me gjithë historinë e vet të mjerimit e të mëkatit, të kujton se Zoti të qëndron besnik e të ngre përsëri në këmbë. Françesku kujton atë Carlos Duarte Ibarra-n, rrëfyesin, të cilin e takoi në famullinë e tij, më 21 shtator 1953, ditë në të cilën Kisha kremton Shën Mateun: “Ndjeva si më depërtonte në korp e në shpirt mëshira e Zotit, duke u rrëfyer me të”. Një përvojë aq e fortë sa, vite më vonë, thirrja e Shën Mateut, përshkruar në homelitë e Shën Bedës së Nderuar, do të bëhej motoja e tij ipeshkvnore: “Miserando atque eligendo”.

Kisha ekziston për të krijuar kushtet e takimit me mëshirën e Zotit

Françesku thellohet, më tej, në misionin e Kishës në botë. “Para së gjithash, nënvizon, Kisha e dënon mëkatin, sepse duhet të thotë të vërtetën”, por, në të njëjtën kohë, e përqafon mëkatarin, që e pranon se është i tillë, e afron, i flet për mëshirën e paanë e pa fund të Zotit. Jezusi, vijon Françesku, i fali deri ata, që e gozhduan mbi kryq dhe e poshtëruan sa deshën e si munden. Papa kujton përsëri shëmbëlltyrën e atit të mëshirshëm e të djalit plangprishës. “Duke ndjekur Zotin, reflekton, Kisha është e thirrur ta dikojë mëshirën mbi të gjithë ata, që e pranojnë se janë mëkatarë, përgjegjës për të keqen e bërë, nevojtarë për falje. Kisha, vëren akoma Françesku, nuk është në botë që të dënojë, por që të krijojë kushtet për takimin me atë dashuri tejet të thellë, që është mëshira e Zotit”.

Jubileu bëftë të dalë në pah fytyra e një Kishe amtare

Për ta kumtuar mëshirën e Zotit, shton Papa, duhet të dalësh! Të dalësh nga kishat e nga famullitë, të dalësh e t’i kërkosh njerëzit atje ku jetojnë, ku vuajnë, ku shpresojnë. E rikthehet tek figura e Kishës, si “spital fushor”, duke vërejtur se Kisha në dalje ka karakteristikën të lindë pikërisht atje, ku luftohet, të dalë në fushën e betejës: nuk është strukturë e ngulur në një vend, që ka gjithçka e ku mund të mjekohen sëmundjet e lehta e të rënda: aty praktikohet mjekimi i urgjencës, nuk bëhen check-up specialistike. Prej këndej, Françesku uron që Jubileu i jashtëzakonshëm të nxjerrë sa më shumë në pah fytyrën e një Kishe, që zbulon përmbrendcat amëtare të mëshirës e që shkon e para t’i takojë të plagosurit e shumtë, nevojtarë për dëgjim, dhimbsuri, falje, dashuri.

Mëkatarë po, por të mos pranohet gjendja e korrupsionit

Françesku reflekton, më pas, për dallimin ndërmjet mëkatit e korrupsionit. Ky i fundit, vëren, është mëkat i cili, në vend që të pranohet si tillë, duke na bërë të ulim kokën përvujtërisht, ngrihet në sistem, bëhet petk mendor, mënyrë jetese. Mëkatari i penduar, që pastaj rrëzohet e rirrëzohet, duke rënë në të njëjtin mëkat për shkak të ligështisë së tij, pohon Papa, e gjen përsëri faljen, nëse pranon se ka nevojë për mëshirë.  Ndërsa i korruptuari është ai, që mëkaton, por nuk pendohet aspak; është ai, që mëkaton, e hiqet si i krishterë, e, me jetën e tij  të dyfishtë, jep shkandull. Nuk duhet pranuar  mëkati i korrupsionit, si të ishte një mëkat më shumë, e aq, vuri me forcë në dukje Papa. Edhe pse shpesh herë korrupsioni identifikohet me mëkatin, janë dy realitete, që dallohen nga njëri-tjetri, ndonëse të lidhura ndërmjet tyre. Njëri, vijon, mund të jetë mëkatar i madh e megjithatë, të mos ketë rënë kurrë në korrupsion. Françesku sjell si shembull disa figura, si Zakeu, Mateu, Samaritania, Nikodoemi dhe Hajduti i Mirë. “Në zemrën e tyre mëkatare, pohon, të gjithë kishin diçka, që i shpëtonte nga korrupsioni. E kishin zemrën e hapur për falje. Zemra  e tyre e ndjente ligështinë e saj, e kjo ishte spiralja, që i hapi ato zemra, për të hyrë në to, forca e Zotit”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.