2016-01-10 12:21:00

Papa: feja është trashëgimi më i madh, që u lënë prindërit fëmijëve


Papa pagëzoi sot 26 foshnja: 13 vajza e 13 djem. Gjatë kremtimit, mbajti një homeli të shkurtër, duke u folur krejt lirisht të pranishëmve, të cilët patën fatin ta ndiqnin një kremtim kaq prekës, në një vend që flet vetë, pa fjalë me format e ngjyrat e pavdekshme, dalë nga peneli i Mikelanxhelos, që janë Bibël e gjallë.

Ja edhe homelia e Atit të Shenjtë:

“Dyzetë ditë pas lindjes, Jezusin e çuan në tempull. E çuan Maria e Jozefi, për t’ia paraqitur Zotit. Sot, në festën e Pagëzimit të Zotit, ju prindër i sillni fëmijët tuaj për të marrë Pagëzimin, për të marrë atë, që kërkuat në fillim, kur unë ju bëra pyetjen e parë: fenë! “Unë dua për birin tim fenë!”. E kështu feja përcillet nga breznia në brezni, si një zinxhir, që zgjatet pa fund në kohë. Këta djem e këto vajza, me kalimin e viteve, do të zënë vendin tuaj me një fëmijë tjetër në krahë - me nipërit tuaj - e do të vijnë përsëri këtu për të kërkuar të njëjtën gjë: fenë, që e jep Pagëzimi: fenë, që sjell sot Shpirtin Shenjt në zemrën e në jetën e këtyre bijve tuaj. Ju kërkuat fenë. Kisha, kur ju dorëzon qiriun e ndezur, ju thotë ta ruani fenë në shpirtin e këtyre fëmijëve. E, në fund, mos harroni se trashëgimi më i madh, që mund t’i lini fëmijëve tuaj, është pikërisht feja; ruajeni, prandaj, që të mos humbasë, shtojeni, që ta lini trashëgim.

Ju uroj sot ju, në këtë ditë të gëzuar; ju uroj të jeni të aftë t’i rrisni këta fëmijë në fe e që trashëgimi më i madh, të cilin do ta marrin nga ju, të jetë pikërisht feja,

E, një këshillë të vetme: kur foshnja qan, sepse ka uri, u them nënave: “Nëse foshnja jote ka uri, je krejtësisht e lirë t’i japësh të hajë”.

Vëllezër e motra, t’ia lartojmë Atit, zanafillë e gurrë e jetës, lutjen tonë për këta fëmijë, të thirrur për t’u bërë bij në shpirt në Jezu Krishtin, për prindërit e tyre, për nunat e nunët e për gjithë të pagëzuarit!








All the contents on this site are copyrighted ©.