2016-01-10 14:03:00

Françesku: falja e mëshira, më të forta se mendjemadhësia e intoleranca


I krishteri është i thirrur ta dëshmojë çdo ditë “jetën e re”, që mori në Pagëzim. Këtë pohoi Papa Françesku në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, pas Meshës në Kapelën Sikstine, gjatë së  cilës pagëzoi 26 fëmijë. Papa pohoi edhe se Shpirti Shenjt  na  shtyn të ecim në udhën impenjative, por edhe të gëzueshme, të dashurisë së krishterë, drejt vëllezërve tanë.

Jezusi merr nga Gjoni Pagëzimin në lumin Jordan e, ndërsa lutet, mbi Të zbret Shpirti Shenjt. Françesku e shtjelloi meditimin e tij, duke u nisur nga ky dëftim i mrekullueshëm hyjnor, që rrëfehet në të katër Ungjijtë. Papa vërejti se në Pagëzimin e krishterë, Shpirti Shenjt është autori kryesor: është Ai, që e djeg dhe e shkatërron mëkatin e rrjedhshëm, duke ia rikthyer të pagëzuarit bukurinë e hirit hyjnor.

Shpirti Shenjt na çliron nga sundimi i errësirës

Është gjithnjë Shpirti Shenjt, vijoi, që na çliron nga sundimi i errësirës, domethënë, nga mëkati, e na çon në mbretërinë e dritës, të dashurisë, të vërtetësisë, të paqes:

“Një realitet i tillë mahnitës, që na bën bij të Zotit, na ngarkon njëkohësisht edhe me përgjegjësinë për ta ndjekur pas Jezusin, Shërbëtorin e bindur, e për t’i përvetësuar tiparet e Tij: butësinë, përvujtërinë, dhimbsurinë. Por kjo nuk është aspak e lehtë: posaçërisht nëse rreth nesh ka shumë intolerancë, fodullëk, zemërngushtësi. Por, me forcën, që gurron nga Shpirti Shenjt, ne mund ta bëjmë këtë, mund ta ndjekim Krishtin, mund të përpiqemi t’i përngjajmë”.

Të krishterët, të thirrur në rrugën e bamirësisë ndaj vëllezërve tanë

Shpirti Shenjt, që e morëm për herë të parë në ditën e Pagëzimit tonë, vijoi Papa, na e hap zemrën për të Vërtetën, të Vërtetën e plotë:

“Shpirti Shenjt e çon jetën tonë në shtegun impenjativ, por të gëzueshëm, të bamirësisë e të solidaritetit ndaj vëllezërve tanë. Shpirti na jep butësi e falje hyjnore e na  mbush përplot me forcën e pamposhtur të mëshirës së Atit. Të mos e harrojmë se Shpirti Shenjt është prani e gjallë e gjallëruese në zemrën e atij, që e merr. Lutet në ne e na mbush me gëzim shpirtëror”.

Bashkim me Jezusin, me angazhimin për të jetuar si të krishterë

Në festën e Pagëzimit të Jezusit, Françesku na kërkon të gjithëve ta rikujtojmë ditën e Pagëzimit tonë e t’a falënderojmë Zotin për këtë dhuratë. Kështu, nënvizoi, e vëmë më mirë në dukje bashkimin tonë me Krishtin, me angazhimin që të jetojmë si të krishterë, si gjymtyrë të gjalla të Kishës e të njerëzimit të ri, në të cilin të gjithë janë vëllezër. Papa u dha, më pas, besimtarëve, një “detyrë shtëpiake”: të kërkojnë datën e Pagëzimit të tyre:

“Ta kremtosh këtë ditë, do të thotë ta ripohosh bashkimin me Jezusin, duke u angazhuar të jetojmë si të krishterë, anëtarë të Kishës e të njerëzimit të ri, në gjirin e të cilit të gjithë janë vëllezër”.

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Françesku i përshëndeti dhe u dha një bekim të veçantë të gjithë fëmijëve të pagëzuar kohët e fundit, por edhe të rinjve e të rriturve, të cilët i morën këto ditë sakramentet e para të krishtera ose që po përgatiten t’i marrin.

“Hiri i Krishtit – përfundoi - i shoqëroftë sot e përgjithmonë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.