2016-01-08 00:00:00

Të ardhurat nga Llotaria e Vatikanit do të shkojnë për refugjatët


Më 2 shkurt, do të zgjidhen me short biletat fituese të Llotarisë së Vatikanit, e cila prej vitesh organizohet për ta ndihmuar Papën në veprat e tij të mëshirës e të bamirësisë. Këtë vit, Papa Françesku ka vendosur që të ardhurat e grumbulluara nga shitja e biletave do të shkojnë në favor të refugjatëve dhe të të pastrehëve, që flenë rrugëve. Biletat e Llotarisë kushtojnë 10 euro dhe mund të blihen deri më 1 shkurt në Vatikan, në farmacinë vatikanase, tek posta, magazina ushqimore, në pikat e shitjes së veshjeve, në zyrën filatelike e numizmatike, si edhe në pikat e shitjes në Muzetë e Vatikanit. Por mund të marrin pjesë edhe ata, që nuk kanë mundësi të shkojnë në Vatikan. Biletat mund të paguhen përmes një buletini postar, me adresën e koordinimit të evenimenteve në Guvernatoratin e Shtetit të Vatikanit (Coordinamento Eventi del Governatorato – 00120 Città del Vaticano).

Edhe Çmimet e Llotarisë janë vënë në dispozicion nga Papa, marrë prej dhuratave, që i falin gjatë vitit. Për shembull, një orë Rolex prej çeliku, simbol luksi, të cilën Ati i Shenjtë e dha menjëherë për Llotarinë. Pastaj, ndër çmimet e tjera, edhe një makinë “Nuova Ypsilon”, kompiuter tablet dhe objekte argjendi.








All the contents on this site are copyrighted ©.