2016-01-08 15:53:00

Shtegtim shpirtëror përmes Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit, emisioni XVII: Skena XV


SUM JESUS QUEM TU PERSEQUERIS

Unë jam Jezusi, që ti e përndjek

Shkelim përsëri sot në pragun e Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit, pa e kapërcyer ende. Hyjmë në skenën XV, ku takohemi me një njeri tepër të njohur, me të cilin bisedojmë vazhdimisht, kur shkojmë për të parë Meshë e kur, sipas porosive të Papës, shfletojmë Ungjillin. Është Sauli i Tarsit! E takojmë pikërisht në çastin kur rrëzohet rrufeshëm nga kali: e shemb krenia, që e pengon të pranojë se Kryqi nuk është shenjë e ligështisë së Zotit, por shprehje e gjithëpushtetit të Tij të vërtetë: gjithëpushtet i dashurisë përdëllyese, gjithnjë gati për të falur.

Sauli bie, por, pikërisht në atë çast, shpirti i tij ngrihet. E ai mbetet i tronditur thellë nga fjalët e Jezusit: “Saul, Saul, pse më persekuton?” (Vap 9,4).

Jezusi nuk e qorton Saulin, nuk e gjuan me rrufenë e dënimit. Thjesht, e pyet: “Saul, pse? Pse lufton kundër dashurisë, që erdhi të të kërkojë edhe ty?”.

Sauli mbetet i plagosur nga dashuria e Jezusit. Nuk do ta harrojë kurrë më këtë çast e, duke u shkruar Galatasve, do të arrijë tek pohimi i madh: “U kryqëzova bashkë me Krishtin! Jetoj, por jo më unë, në mua jeton Krishti. Këtë jetë, që e jetoj në korp, e jetoj në fenë e Birit të Zotit, që më deshi e  dhuroi vetveten për mua” (Gal 2,20).

Logjika e re e dashurisë do të vulosej, kështu, kaq thellë në zemrën e Palit, sa ta bënte të brohorasë: “Po të më mungonte dashuria, s’do të isha asgjë!”(1Cor 13,2).

Nga kjo siguri lulëzuan të gjitha mrekullitë e dashurisë, që e shoqërojnë historinë e krishterimit… deri te Nënë Tereza. Kjo e krishterë e palodhur e  ditëve tona, nuk pushonte kurrë së thëni: “Kur të vdesim, do të marrim me vete vetëm valixhen e dashurisë së krishterë. Ta mbushim përplot me bamirësi, sa jemi ende në kohë!”. E Nënë Tereza, kur arriti në cak, sigurisht e kishte përplot. Të mos humbasim kohë: “Jubileu është britmë dashurie, për të na zgjuar. Ta dëgjojmë”…

… e të lutemi:

O Pal,

Apostull i gatishmërisë:

ti i dorëzohesh Jezusit

si apostull i entuziazmit

që bëhet misionar,

për t’u përcjellë të gjithëve

lajmin e mirë

se Zoti është Dashuri.

E dashuria e nguli çadrën ndër ne.

Pal,

na e trand vogëlsinë tonë,

na e shkrij akullin e zemrës

nxirna nga guaska

e rehative tona,,,

e lutu që në Kishë

të vijë një stinë e re

plot guxim misionar!

Të korrat janë shumë…

Amen.








All the contents on this site are copyrighted ©.