2016-01-08 18:30:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit – solemniteti i Pagëzimit të Jezusit


Ja sërish në takimin tonë javor me Liturgjinë e Fjalës së Zotit të së dielës. Kësaj radhe do t’i dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të Solemnitetit të Pagëzimit të Jezu Krishtit, Zot. Pas përfundimit të festës së Krishtlindjes, që tani nisemi udhës sonë shpirtërore drejt Pashkëve. E Pagëzimi i Jezusit përmban fatin e Jezusit, thirrjen apo misionin e tij. Në këtë periudhë të Krishtlindjes, deri para disa ditësh, kemi dëgjuar tregimin e Ungjillit se si ka lindur, prej kujt ka lindur, ku ka lindur e në çfarë kushtet ka lindur.

Pjesa e Ungjillit të kësaj të kremte, na tregon arsyen, pse çka lindur Jezusi: për shpëtimin e njerëzimit. Pra, në solemnitetin e Pagëzimit të Jezu Krishtit, kemi pohimin e Atit që Qiellor që na siguron se Ai, Jezusi është shpëtimtar i njeriut, shenjtëria e familjes dhe paqja e botës.

Kisha, prandaj, na fton të ndalemi te domethënia e festës së Pagëzimit të Jezu Krishtit, Zot. Një ngjarje kjo, që na sugjeron fort mirë kuptimin global të festave të Krishtlindjes, gjatë të cilave elementi mbizotërues është fakti që njeriu bëhet bir i Zotit përmes ardhjes së Birit të vetëm të Hyjit në mesin e njerëzimit. Nga Pagëzimi, rrjedh edhe një model për shoqërinë, që mund ta quajmë shoqëria e vëllezërve. Vëllazërimi, nuk mund të vendoset me ideologji, e as me ndonjë dekret pushtetor.

Njihemi si vëllezër duke u nisur nga vetëdija e përvujtë, por e thellë se jemi bij të të njëjtit Atë Qiellor. Si të krishterë, falë Shpirtit Shenjt Zot të marrë me Pagëzimin, na ka rënë dhurata e impenjimi për të jetuar si bij të Zotit e si vëllezër, për të qenë “tharmi” i humanitetit të ri, solidar dhe të pasur me paqe e shpresë.

Pjesa e Ungjillit përshkruan historinë e Pagëzimit të Jezusit, që nga pritja e Shën Gjon Pagëzuesit e deri tek përvujtëria me të cilën Biri i Zotit shkoi të lajë mëkatet si gjithë të tjerët. Në të vërtetë, Krishti mori mbi vete mëkatet e krejt njerëzimit dhe e filloi misionin, duke e vënë veten pikërisht në vend të mëkatarëve.

Kur pas Pagëzimit, Jezusi doli nga uji, u hapën qiejt e vetë zëri i Atit Hyjnor u tregoi njerëzve praninë e Birit të Tij në botë. Edhe për të pagëzuarit hapen qiejt, pasi Shpirti Shenjt banon në ta si në një tempull, duke ua shndërruar rrënjësisht zemrën.

Nga momenti i Pagëzimit, zëri i Atit Qiellor i thërret ata që pagëzohen për të qenë bij të Tij në Krishtin e, në familjen e tij, që është Kisha, e secilit i jep dhuratën sublime të fesë. Kjo dhuratë, e atëherë kur njerëzit nuk kanë mundësi të kuptojnë plotësisht, ruhet në zemrën e tyre si një farë plot jetë, e pret të zhvillohet e të sjellë fryte.

E është karakteristikë e Pagëzimit, të shndrisë me dritën e Krishtit, t’iu hapë sytë njerëzve para shkëlqimit të Tij e t’i shtyjë drejt misterit të Zotit përmes pishtarit të fesë. Vetëm kështu, besimtarët shkojnë drejt një jete më të lumtur, më të bukur, më solidare, drejt një jete me Zotin.

                                         Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Is 40, 1-5. 9-11
Pas pesëdhjetë vjetësh mërgimi Hyji e çon popullin e zgjedhur në tokën e tij duke kryer një çlirim të ri. Hyji ka shumë ngut për të dërguar popullin e tij drejt lirisë. Dhe shënon një rrugë të drejtë ndërmjet shkretëtirës së lulëzuar. Një profeci e tillë do të kryhet kur do të arrijë Jezu Krishti që është shfaqja e fundit e shpëtimit të Hyjit.

Lexim prej Librit të Isaisë profet
“Ngushëllojeni, ngushëllojeni popullin tim, thotë Zoti juaj! Flisni zemrës së Jerusalemit, dhe klithni atij se mori fund skllavëria e tij, u shpërblye paudhësia e tij, sepse ka marrë prej dorës së Zotit ndëshkim të dyfishtë për të gjitha mëkatet e veta.”
Një zë lëshon kushtrimin: “Në shkretëtirë përgatitni udhën e Zotit, rrafshoni në stepë shtigjet e Tënzot. Le të ngrihet çdo luginë, le të ulet çdo mal e kodër, rruga e shtrembër le të bëhet e drejtë, e rrëpirëta le të bëhet e rrafshët: do të zbulohet hiri i Zotit, atëherë të gjithë njerëzit së bashku do të shohin se ka folur goja e Zotit!” Ngjitu mbi një mal të lartë, ti që i sjell lajmin e mirë Sionit; grihe me gjithë fuqi zërin tënd, ti që i sjell lajmin e gëzueshëm Jerusalemit! Klith të madhe, mos druaj, thuaju qyteteve të Judës: “Ja, Hyji juaj, qe, Zoti, Hyji juaj, po vjen me fuqi, zotëron krahu i tij: ja, me të është shpagimi i tij, e para tij shpërblimi i tij! Si bariu e kullot grigjën e vet, në dorë i merr qengjat, ngrykë i mbart; i këqyr me kujdes.” Fjala e Zotit.

Psalmi 104
----------
I bekuar Zoti që dhuron jetën
O Zot, Hyji im, sa i madh je!
I veshur me madhiëri e me bukuri,
i mbështjellë me dritë porsi me petk!
E ngreh qiellin porsi tendë,
mbi ujëra ndërton banesat e tua.
----------
Retë i bëre karrocë për vete,
ecën mbi krahët e erës!
Erërat i bën lajmëtarë të tu,
zjarrin zharitës shërbëtorë të tu.
----------
Sa të shumta janë, o Zot, veprat e tua!
Të gjitha i ke bërë me urti të madhe:
plot është toka me krijesat e tua.
Ja, këtu deti i madh, i hapët e i gjerë,
atje zvarranikë saqë numri s'u dihet,
kafshë të vogla të përziera me të mëdha!
----------
Po e fshehe ti fytyrën, ato trazohen,
po ua more frymën, ato ngordhin
dhe kthehen në pluhur përsëri.
Po e dërgove frymën tënde,
përsëri përtërihen dhe e rinon
fytyrën e dheut.
----------

Leximi i dytë Tit 2,11-14; 3,4-7
Shfaqja më e lartë e mirësisë dhe dashurisë së Hyjit për njerëzit është Krishti Shpëtimtar. Ai është njeriu Jezus që pranon lirisht të japë jetën për dashuri, për të na pajtuar me Atin. Kjo dashuri reagon në ne nëpërmjet Shpirtit Shenjt dhe na bën krijesa të reja të drejtuara drejt jetës së amshuar.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Titit
Fort i dashur, u duk hiri i Hyjit që u sjell shëlbimin të gjithë njerëzve. Ai na mëson t’i biem mohit besimit dhe dëshirave të shekullit për të jetuar në këtë botë urtisht, drejtësisht dhe përshpirtërisht, duke pritur shpresën e lumtur dhe ardhjen e lavdisë së të madhit Hyj dhe Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit. Ai e flijoi vetveten për ne që të na shpërblejë nga çdo paudhësi dhe ta pastrojë popullin që Atij i përket, që të jetë plot zell për të kryer vepra të mira.
Fort të dashur, kur u dëftua mirësia e Hyjit, Shëlbuesit tonë, dhe dashuria e tij ndaj njerëzve, Ai na shëlboi, jo në saje të veprave tona që ne i bëmë në drejtësi, por në saje të mëshirës së vet: me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes që jep Shpirti Shenjt, të cilin me begati e ndikoi në ne nëpër Jezu Krishtin, Shëlbuesin tonë, që, të shfajësuar me anë të hirit të tij, të jemi, në saje të shpresës, trashëgimtarë të jetës së pasosur.  Fjala e Zotit.

† Ungjilli Lk 3, 15-16.21-22
Ungjilli tregon momentin e pagëzimit të Jezusit, kur Shpirti Shenjt zbriti mbi të dhe u dëgjua zëri i Atit që e paraqet si Birin e vet të dashur. Jezusi, duke marrë pagëzimin, përuron kohën e Ungjillit, është i shpallur e i njohur si “Bir”, në mënyrë që pas Tij të gjithë njerëzit të mund të bëhen bij të Hyjit. Në momentin e pagëzimit të Jezusit në lumin Jordan, ndodh zbulimi i misterit të Trinisë.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Në atë kohë, pasi populli priste me shpresë dhe pasi të gjithë mendonin në zemrat e veta për Gjonin: a mos është shi ky Mesia, këndej Gjoni mori fjalën e u tha të gjithëve: “Unë, vërtet, po ju pagëzoj me ujë, por po vjen një më i fortë se unë, të cilit unë nuk jam i denjë as t’ia zgjidhë lidhëset e sandaleve të tija. Ai do t’ju pagëzojë me Shpirt Shenjt e me zjarr.” Kur u pagëzua mbarë populli, u pagëzua edhe Jezusi dhe, ndërsa po lutej, u hap qielli dhe Shpirti Shenjt zbriti mbi të në trajtë trupore porsi pëllumb, e prej qiellit ushtoi zëri: “Ti je Biri im, Djali i dishirit. Ty të përkrah plotësisht!”  Fjala e Zotit.

Më shumë solemnitetin e Pagëzimit të Krishtit, mund të dëgjoni emisionin tonë radiofonik edhe këtu....








All the contents on this site are copyrighted ©.