2016-01-07 13:25:00

Françesku: veprat e mëshirës, zemra e fesë sonë


Veprat e mëshirës janë zemra e fesë sonë në Zotin. Këtë pohoi Papa Françesku në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, e para, pas pushimeve të Krishtlindjes dhe e para e këtij viti. Duke u ndalur në Leximin e parë, marrë nga Letra I e Shën Gjonit Apostull, Ati i Shenjtë vuri në dukje nevojën për të pasur kujdes nga gjërat e kësaj bote dhe nga fryma e saj, që na largon nga Zoti, i mishëruar për ne.

Të shoshisim mirë ç’ndodh në shpirtin tonë

         “Të qëndrojmë në Zotin”. Ky është pohimi i Shën Gjonit, rreth të cilit Papa shtjelloi krejt homelinë. Të qëndrojë në Zotin, të rrijë me Të, nënvizoi Ati i Shenjtë, është frymëmarrja e jetës së krishterë, është stili i saj. Duhet t’i besojmë Shpirtit të Zotit, që na udhëheq, por, siç paralajmëron apostulli, nuk duhet të shkojmë pas çdo shpirti. “Duhet t’i vemë në provë”, na thotë shën Gjoni. Por ç’do të thotë kjo? Duhet ta shoshisim ç’po ndodh në shpirtin tonë, për të dalluar e ndjerë atë, që vjen nga Zoti, e atë, që vjen nga diçka tjetër, nga “antikrishti”, theksoi Papa. Nëse zëmë rrënjë në gjërat e kësaj bote, largohemi nga Shpirti i Zotit, por si ta dallojmë këtë? Shën Gjoni Apostull, vërejti Papa, na jep vetëm një kriter: “Çdo shpirt që e njeh Jezu Krishtin e mishëruar në tokë, vjen prej Zotit e, çdo shpirt që nuk e njeh Jezusin, nuk vjen prej Zotit”:

         “Kriteri është Mishërimi. Unë mund të ndjej shumë gjëra brenda meje, edhe gjëra të mira, ide të mira. Por, nëse këto ide të mira, këto ndjenja, nuk më çojnë drejt Zotit të mishëruar, nuk më çojnë drejt të afërmit, drejt vëllaut, nuk vijnë prej Hyjit. Për këtë arsye, shën Gjoni e fillon letrën e tij me fjalët: ‘Ky është urdhërimi i Tënzot: të besojmë në emër të Birit të Tij, Jezu Krisht, e ta duam njëri-tjetrin’”.

Veprat e mëshirës janë në qendër të fesë sonë

         Mund të bëjmë shumë plane baritore, vjoi Papa Françesku, mund të imagjinojmë lloj-lloj metodash për t’i afruar njerëzit, por nëse “nuk përshkojmë rrugën e Zotit të mishëruar, të Birit të Hyjit, që u bë Njeri për të ecur me ne, nuk jemi në udhën e shpirtit të mirë, por të antikrishtit, të gjërave të kësaj bote, të shpirtit të botës”:

         “Sa njerëz hasim në jetë, që duken të përshpirtshëm: ‘Sa njeri i përshpirtshëm, ky!’; por mos i thuaj të bëjë vepra mëshire… Pse? Sepse veprat e mëshirës janë pikërisht pjesa konkrete e besimit tonë se Biri i Zotit u bë njeri: të vizitojmë të sëmurët, t’u japim të hanë atyre që nuk kanë, të kujdesemi për të mënjanuarit… Vepra mëshire: pse? Sepse çdo vëlla i yni, të cilin duhet ta duam, është trupi i Krishtit. Zoti u mishërua për t’u bërë një me ne. E ai, që vuan, është Krishti që vuan”.

Nëse shpirti vjen prej Zotit, më nxit t’u shërbej të tjerëve

         Mos i besoni çdo lloj shpirti, theksoi sërish Ati i Shenjtë. Vërini në provë, për të parë nëse vijnë vërtet prej Zotit. Shërbimi për të afërmin, për ata që kanë nevojë, edhe për një këshillë, ose për një vesh që t’i dëgjojë: këto janë shenjat se jemi në rrugë të mbarë, në rrugën e Fjalës së Zotit të mishëruar:

         “T’i lutemi Zotit sot, për hirin që ta njohim mirë se ç’na ndodh në zemër, ç’na pëlqen të bëjmë, ç’na prek më shumë: a është shpirti i Zotit, që më nxit t’u shërbej të tjerëve, apo është shpirti i kësaj bote, që sillet rreth meje, më mban të mbyllur në egoizmin tim e në sa e sa gjëra të tjera… T’i kërkojmë hirin për ta njohur ç’na ndodh në zemra”.








All the contents on this site are copyrighted ©.