2016-01-06 11:42:00

Mesha e Dëftimit të Zotit. Papa: Kisha shndritet nga Jezusi, jo nga drita e vet


“Kisha nuk ndriçon me dritën e saj, por është në shërbim të dritës së Krishtit. Prej këndej, e ka për detyrë ta bëjë sa më të qartë dëshirën për Zotin, të cilin çdo njeri e ka në shpirtin e vet. Janë fjalët e Papës në Meshën për Solemnitetin e Dëftimit të Zotit, kryesuar në Bazilikën e Shën Pjetrit. Homelia e Atit të Shenjtë:

Fjalët e Izaisë Profet, drejtuar qytetit të Jeruzalemit, na bëjnë thirrje të dalim, të dalim nga mbylljet tona, të dalim nga vetvetja e të shikojmë shkëlqimin e dritës, që ndriçon jetën tonë: “Ngrehu e vishu me dritë, sepse po lind drita jote, Lumnia e Zotit po shkëlqen përmbi ty!” (60,1). “Drita jote” është lumnia e Zotit. Kisha nuk mund të ndriçojë me dritën e vet, nuk mundet. E kujton këtë, me një shprehje të bukur, Shën Ambrozi, duke përdorur hënën si metaforë të Kishës, e thotë: “Vërtet, si hëna është edhe Kisha […] nuk ndriçon me dritën e vet, por me atë të Krishtit. E merr dritën nga Dielli i drejtësisë, e kështu mund të thotë: ‘Nuk jam unë që jetoj, por është Krishti, që jeton në mua’” (Exameron, IV, 8,32). Krishti është e vetmja dritë, që e dëbon errësirën e natës; e Kisha, sa më shumë lidhet me Të, sa më shumë e lë veten të ndriçohet prej Tij, aq më shumë ia del mbanë ta ndriçojë jetën e njerëzve e të popujve. Prej këndej Etërit e shenjtë shikonin në Kishën, “mysterium lunae”.

         Kemi nevojë për këtë dritë, që vjen nga lart, për të përkuar në mënyrë koherente me thirrjen që morëm. Ta kumtosh Ungjillin e Krishtit, nuk është udhë e zgjedhur ndërmjet një mori udhësh, e nuk është as profesion. Për Kishën, të jetë misionare, nuk do të thotë të bëjë prozelitizëm; për Kishën, të jetë misionare, do të thotë të shprehë vetë natyrën e saj: të ndriçohet nga Zoti e ta pasqyrojë dritën e Tij. Ky është shërbimi i saj. Rrugë tjetër nuk ka. Misioni është thirrja e saj. Të ndrisë me dritën e Krishtit është shërbimi i saj. Sa e sa njerëz e presin nga ne këtë angazhim misionar, sepse kanë nevojë për Krishtin, kanë nevojë të njohin fytyrën e Atit.

          Mbretërit Dijetarë, për të cilët na flet Ungjilli i Mateut, janë dëshmi e gjallë e faktit se farët e së vërtetës gjinden kudo, sepse, dhanti e Krijuesit, që i thërret të gjithë ta njohin si Atë i mirë e besnik. Mbretërit Dijetarë përfaqësojnë njerëzit e të katër anëve të tokës, që mikpriten në shtëpinë e Zotit. Para Jezusit nuk ekziston më kurrfarë dallimi race, gjuhe e kulture: në këtë Foshnjë, mbarë njerëzimi është një i vetëm. E Kisha ka për detyrë ta bëjë sa më të qartë dëshirën për Zotin, të cilin çdo njeri e ka në shpirtin e vet. Ky është shërbimi i Kishës me dritën që pasqyron. Ashtu si Mbretërit Dijetarë, shumë njerëz, edhe në ditët tona, jetojnë me zemër të shqetë, që vijon të bëjë pyetje, pa marrë përgjigje të sigurta. Është shqetësimi i Shpirtit Shenjt që zjen në zemra. Edhe ata janë në kërkim të yllit, i cili tregon rrugën drejt Betlehemit.

          Sa yje shkëlxejnë në qiell! E pra, Mbretërit Dijetarë ndoqën një yll të ndryshëm, të ri, që për ta ndriçonte shumë më tepër se të tjerët. E kishin shqyrtuar imtësisht librin e madh të qiellit, në kërkim të përgjigjes për pyetjet e tyre, kishin kërkuar dritë, e, më në fund, drita u duk. Ai yll i bëri njerëz të tjerë. I bëri t’i harrojnë interesat e tyre të përditshme, e u nisën menjëherë për udhë. Ia vunë veshin një zëri, që u fliste brenda shpirtit e i shtynte ta ndiqnin pas dritën: zërit të Shpirtit Shenjt, që punon në të gjitha zemrat. E ajo u priu, derisa e gjetën Mbretin e Judenjve në një shtëpi të varfër të Betlehemit.

         E gjithë kjo është mësim për ne. Sot na bën mirë ta përsërisim pyetjen e Mbretërve Dijetarë: “Ku është foshnja e lindur, që do të bëhet mbret i Judenjve? Pamë yllin e tij duke lindur e erdhëm ta adhurojmë” (Mt 2,2). E sidomos, në një kohë si kjo jona, nxitemi për t’u vënë në kërkim të shenjave, që na jep Zoti, duke e ditur se kërkojnë angazhimin tonë për t’i deshifruar e për të kuptuar, kështu, vullnetin e Tij. Jemi të thirrur të marrim rrugën e Betlehemit, për të gjetur Foshnjën dhe nënën e Tij. Ta ndjekim pas dritën, që na jep Zoti, dritëzën. Dritën, që shkëlqen nga fytyra e Krishtit, plot me mëshirë e besnikëri. E, sapo të arrijmë para Tij, ta adhurojmë me gjithë zemër e t’ia vëmë para dhuratat tona: lirinë tonë, mendjen, zemrën, dashurinë tonë. Duke qenë të bindur se dituria e vërtetë fshihet në fytyrën e këtij Fëmije. Pikërisht këtu, në Betlehem, përmblidhet gjithë jeta e Kishës. Këtu është burimi i asaj drite, që tërheq çdo njeri në botë e orienton hapat e popujve drejt udhës së paqes. 








All the contents on this site are copyrighted ©.