2016-01-06 13:31:00

Engjëlli i Tënzot: nuk “gjallojmë”, kërkojmë Krishtin, si Tre Mbretërit


Përvoja e Mbretërve Dijetarë na mëson të mos kënaqemi me një gjallesë të rëndomtë, por të shikojmë qiellin për ta zbuluar e për ta ndjekur, si ata, Dritën e Krishtit. Me këtë mendim Papa e përshëndeti turmën plot larushi, mbledhur sot në Sheshin e Shën Pjetrit  për lutjen e Engjëllit të Tënzot, në Solemnitetin e Dëftimit të Zotit.

Dëftimi i Zotit na grish të shikojmë qiellin. Ky është kuptimi kryesor i Solemnitetit. Mjafton të lexojmë Ungjillin, historinë e barinjve e historinë e Mbretërve Dijetarë. Grupe që, më të ndryshme s’kanë si bëhen – me rëndësi e kulturë të rafinuar të dytët, të përvuajtur e të përbuzur, njerëz kasollesh, të parët – e megjithatë, të dyja palët, njëlloj të aftë për t’i lartuar sytë, për ta dalluar atë dritë, për t’u vënë për udhë pas saj, pavarësisht në se do t’u duhej të shtegtonin shkurt apo gjatë.

Vëzhgonin qiellin

Është mësimi, që Papa nxori nga Liturgjia e 6 janarit, duke krijuar, për turmën e Engjëllit, një vazhdimësi simbolike me atë, që kishte thënë  pak më parë në Meshë. Domethënë, çka i bashkon barinjtë me Mbretërit, është qielli:

“Barinjtë e Betlehemit ngarendën menjëherë për ta parë Jezusin jo sepse ishin tepër të mirë, por sepse rrinin zgjuar natën e, duke ngritur sytë kah qielli, panë një shenjë, dëgjuan mesazhin e saj dhe e ndoqën. Kështu bënë edhe Tre Mbretërit: vëzhgonin qiellin, panë një yll të ri, e shpjeguan shenjën e u vunë për udhë, nga larg. Barinj e Mbretër na mësojnë se për ta takuar Krishtin është e nevojshme të dish t’i lartosh sytë drejt qiellit, të mos mbyllesh në vetvete, në egoizmin tënd, por t’i kesh mendje e zemër  të hapura për horizontet e Zotit”.

I krishteri kërkon, nuk gjallon kot

Kisha, tek Dëftimi i Zotit, ka ndjerë gjithnjë frymëmarrjen e universalitetit dhe ka parë në Mbretërit, figurën e mbarë njerëzimit.

Duke kremtuar Dëftimin e Zotit, vijoi, gati-gati dëshiron t’i prijë çdo  burri e çdo gruaje të kësaj bote kah Foshnja, që lindi për shëlbimin e të gjithëve. Krishti sapo ka lindur, nuk di akoma të flasë, por megjithatë, shtoi Papa, gjithë popujt, që përfaqësohen nga Mbretërit, mund ta takojnë, ta njohin, ta adhurojnë:

“Përvoja e Mbretërve na nxit të mos kënaqemi me një jetë të rëndomtë, të mos 'gjallojmë kot', por të kërkojmë kuptimin e sendeve, ta vrojtojmë me pasion misterin e madh të jetës. E na mëson edhe të mos shkandullohemi  nga vogëlsia jonë, nga varfëria jonë, por ta shikojmë madhështinë në përvujtëri e të dimë të gjunjëzohemi kokëulur para saj”.

Urimet e Këshndellës, të krishterëve të Lindjes

Mendimi i parë i Papës, në përshëndetjet, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, shkoi tek Kishat e shumta Lindore, për të cilat 6 janari është nata e solemnitetit të madh të Krishtlindjes:

“Sot u shprehim afërsinë tonë shpirtërore vëllezërve e motrave të Lindjes së krishterë, katolikë e ortodoksë, shumë nga të cilët e kremtojnë  nesër Lindjen e Zotit. U urojmë paqe e të mira. Edhe një duartrokitje të fortë, si përshëndetje!”.

E një përshëndetje të përzemërt Papa u drejtoi organizatorëve dhe pjesëmarrësve të procesionit historiko-folklorik kushtuar, për 2016-tën, trojeve të Valle dell’ Amaseno, si dhe të gjitha parakalimeve të Mbretërve që, kujtoi Papa, organizohen në një mori qytetesh të Polonisë, me pjesëmarrjen e madhe të  familjeve e të shoqatave. Një falënderim edhe Fretërve të Vegjël, krijues të një Shpelle Betlehemi, në të cilën personazhet ishin njerëz me aftësi të kufizuara.








All the contents on this site are copyrighted ©.