2016-01-06 13:46:00

Dita Misionare e Fëmijëve: solidaritet dhe ungjillëzim


6 janari, Solemniteti i Dëftimit të Zotit, është edhe Dita Misionare e Fëmijëve, në të cilën fëmijët e të rinjtë kremtojnë faktin se janë protagonistë të solidaritetit dhe të impenjimit për të përhapur Ungjillin në gjirin e bashkëmoshatarëve. Në të gjitha kishat, lëmoshët e mbledhura sot përdoren për financimin e projekteve të ndryshme misionare të fëmijëve në të gjithë botën. Tema e sivjetme e Ditës është: “Të varfër si Jezusi”, e ngjashme me temën e Ditës Misionare Botërore 2015: “Nga ana e të varfërve”. Ç’dëshirojnë të thonë fëmijët me këtë frazë? E shpjegon, në mikrofonin tonë, drejtori i Veprave Papnore Misionare (POM) për Italinë, don Michele Autuoro:

         Së pari, duan t’u mësojnë të gjithëve ta shohin Jezusin, që këto ditë e kundruam në varfërinë e Betlehemit, por edhe në kushtet e shumë fëmijëve në botë. Kjo ditë është themeluar nga një ipeshkëv francez në gjysmën e viteve 1800. Duke lexuar letrat e shumë misionarëve nga Kina, i bënë përshtypje kushtet e fëmijëve e varfëria e tyre. Pas takimit me themeluesen franceze të një vepre tjetër misionare – atë të Përhapjes së Fesë (Propaganda Fide) – Paulina Jarico, i erdhi ndërmend të përfshinte fëmijët në veprën solidare të ndihmës për fëmijë të tjerë në botë e njëkohësisht, t’i edukonte fëmijët të bëheshin misionarë.

         Ka ndonjë arsye të veçantë që është zgjedhur festa e Dëftimit të Zotit për këtë Ditë?

         Sigurisht. U zgjodh festa e Dëftimit të Zotit, sepse protagonist i saj është gjithnjë Jezusi, Krishti Fëmijë. Pastaj, është edhe festa e dhuratave të Mbretërve Dijetarë, që vijnë nga larg. Të gjithë popujt janë të thirrur ta njohin Jezusin si Mbret, si Zot. Gjithçka mblidhet në këtë Ditë nëpër kisha, por edhe fondet e mbledhura nga veprimtaritë e shumta të fëmijëve gjatë Kohës së Ardhjes, shkojnë në fondin universal të solidaritetit. Më pas, përmes Sekretariatit ndërkombëtar të Veprave Papnore Misionare, sinjalizohen projektet për t’u financuar. Në këtë çast, sigurisht, fëmijët e zonave të konfliktit janë ata, që kanë më tepër nevojë.








All the contents on this site are copyrighted ©.