2016-01-05 14:04:00

Papa Françesku në Greço: të rizbulojmë Jezusin ndër të vegjlit


T’i lutemi Zotit të na japë hirin për ta parë Yllin kometë, i cili na çon tek Jezusi: kjo lutja e Papës Françesku dje pasdite, gjatë vizitës së papritur në Shenjtëroren e Greços, në provincën italiane të Rietit, nga ku u përhap në të gjithë botën, falë Shën Françeskut, tradita e rikrijimit të Shpellës së Betlehemit në ditën e lindjes së Krishtit.

E papritur për të gjithë

Qe vërtet një e papritur për të gjithë ardhja e Papës Bergoglio, i cili vizitoi pikërisht Shellën e parë të Betlehemit në botë dhe vendet e tjera të Shën Françeskut. Por më parë, u takua me një grup të rinjsh, që po përfundonin një veprimtari të tyre. “Ipeshkvi – u tha të pranishmëve, që e shihnin të çuditur – më bëri të kuptoj se këto ditë Krishtlindjeje ishte mirë të vija për t’u lutur në Greço. E, erdha të lutem. Por nuk po mundem ta shpjegoj – shtoi, duke qeshur – se me çfarë gënjeshtre ju ka sjellë këtu!”.

Shenja e përvuajtërisë së Zotit

Më pas, Papa bëri një reflektim të shkurtër për shenjat e Krishtlindjes. E para është ajo e Engjëjve, që u tregojnë barinjve se do të gjejnë një fëmijë të sapolindur në grazhd. Zoti, nënvizoi Ati i Shenjtë, u bë i vogël, u përul, u bë asgjë, për të qenë si ne. Kjo përvuajtëri e Hyjit është krejtësisht e kundërt me mendjemadhësinë, kryelartësinë, arrogancën. Atëherë, ta pyesim veten, theksoi Papa: “A kam një jetë të butë e të përvuajtur, që nuk më lë ta mbaj hundën përpjetë, të jem mendjemadh?”

Të na udhëheqë kometa e Betlhemit

Shenja tjetër e Krishtlindjes është kometa e Mbretërve Dijetarë. Në qiellin plot me yje, ata panë një yll të veçantë, i cili i nxiti të linin gjithçka e të nisnin udhën, pa e ditur ku do t’i çonte. “Kur në jetën tonë – komentoi Papa – nuk gjejmë asnjë yll të veçantë, që na nxit të bëjmë diçka më tepër, diçka të mirë, të nisim një rrugë a të marrim një vendim…ka diçka që nuk shkon. Duhet t’i kërkojmë Zotit hirin që ta zbulojmë këtë yll, të cilin Ai i Lumi dëshiron të ma tregojë, sepse ai Yll do të më çojë tek Jezusi”.

Të zbulojmë Jezusin tek të vegjlit e të varfërit

Mbretërit Dijetarë, u tha Papa të rinjve në Greço, e lanë kometën t’i udhëheqë dhe e kuptuan se ajo nuk i çonte drejt pallatit të Herodit, me gjithë shkëlqimin e tij. “Uroj – përfundoi Françesku – që jeta juaj të shoqërohet gjithmonë nga këto dy shenja, dhuratë e Zotit: të mos ju mungojë Ylli e as përvuajtëria për ta rizbuluar Jezusin ndër të vegjlit, ndër të varfërit e të përvuajturit, ndër ata, që mënjanohen nga shoqëria e nga jeta”.








All the contents on this site are copyrighted ©.