2016-01-05 16:48:00

Drejtori i “La Croix” për kopertinën e Charlie Hebdo: nuk vret Zoti, por njerëzit


“Nuk është Zoti ai, që vret. Janë njerëzit”. Kështu shkruan sot drejtori i gazetës franceze “La Croix”, Guillaume Goubert, në një editorial kushtuar kopertinës së revistës satirike Charlie Hebdo, e cila, në përvjetorin e atentateve terroriste kundër saj, boton një karikaturë me titull: “Charlie Hebdo, një zot vrasës?” “Karikaturisti Riss – shkruan drejtori i “La Croix” – e pikturon Zotin si një vrasës, që vrapon gjithmonë, duke e paraqitur në mënyrën tipike të krishterë. Edhe më mirë, sepse kështu i jep mundësinë një gazete katolike (siç është “La Croix”) ta komentojë më lirisht se sa po ta kishte paraqitur sipas feve të tjera. Po e komentojmë pa indinjatë. Në respekt të atyre, që vdiqën, e për dhimbjen e të mbijetuarve. Edhe sepse refuzimi i dhunës është në zemër të fesë sonë”.

Heronjtë e mospërdorimit të dhunës kanë qenë njerëz me fe

         “Nuk është Zoti ai, që vret – lexohet më tej në editorial – janë njerëzit. E njerëzit nuk kanë nevojë për Zotin për ta bërë këtë. Ideologjitë më të dhunshme të shekullit XX, nazizmi dhe stalinizmi, nuk kishin asgjë fetare, madje, ishin antifetare. Sigurisht, gjatë historisë, feja ka qenë, fatkeqësisht, edhe faktor dhune e vazhdon të jetë në shumë vende. Por feja nuk justifikon gjithçka. Sot, flitet shumë për konfrontimin ndërmjet Islamit sunit e atij shiit. Ndoshta, do të ishte më e drejtë të kujtonim rivalitetin ndërmjet botës persiane dhe asaj arabe”. E editoriali kthehet sërish tek refreni: “Nuk është Zoti ai, që vret, janë njerëzit. Por Zoti ka nevojë për njerëzit që të bëjë mirë. Shumë e ndihmojnë për këtë. Heronjtë e mëdhenj të mospërdorimit të dhunës ishin burra e gra me fe: Gandhi, Martin Luther King, Dorothy Day, Lech Walesa. Të shumtë janë ata, që ditë pas dite, gjejnë pikërisht në fe, jo karburantin që ushqen urrejtjen, por energjinë dhe guximin për të falur. Zoti e di sa ka nevojë bota për ta”. Charlie Hebdo, un dieu assassin?








All the contents on this site are copyrighted ©.