2016-01-04 14:51:00

Shtegtim shpirtëror përmes Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit, emisioni XIV: Skena XII


HODIE MECUM ERIS IN PARADISO

Sot do të jesh me mua në Parriz

Festat e mëdha kaluan, po Jubileu vijon. E me të, edhe rubrika jubilare. Duke kaluar nga skena në skenë, në shtegtimin tonë nëpër viset prej bronzi të Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit, na duket sikur ngjitemi në rrugën e mundimshme, që çon në Mal të Kalvarit. E skena XII, në kornizën e së cilës pon hyjmë sot, mund të themi se përmbledh gjithë historinë njerëzore. Kryqi i Krishtit ngulet në ligësinë e shpirtit tonë, dashuria e pambaruar e Zotit bëhet e dukshme, derisa kryqëzohet. Dashuria e Zotit e lë veten të sulmohet nga mëkatet tona e i përgjigjet sulmit me sulm: me sulmin e lutjes: “Fali, o Atë!” (Lk 23,34).

Shën Gjon Pali II, duke u ndaluar mendueshëm para skenës të kryqëzimit të Jezusit, pati brohoritur: “Pa këto mundime, e vërteta se Zoti është dashuri, do të kishte mbetur e varur në erë”.

Nga Kryqi del, në shekuj, kjo britmë: “Zoti të do! Zoti të pret! Zoti e ka gati në zemër të vet faljen për mëkatet tua. Hape një çast zemrën e do të ndjesh sa e vërtetë është mëshira e Zotit e sa e patregueshme, mrekullia e faljes së Tij”.

Britma del nga skena e bronztë e Portës Shenjte e ne ndjejmë si na rrënqethet i gjithë trupi: është britmë që buçet nga një kryq, ku është kryqëzuar Zoti! Na drejtohet ne, që jemi aty si shtegtarë të ardhur nga larg, duke marrë me vete edhe mëkatet tona. A besojmë në këtë britmë? A besoi kush në rrjedhë shekujsh?

Besoi! I pari, që na vjen në mendje, është Hajduti i mirë. Ai besoi menjëherë në britmën, që ne e dëgjojmë pas dymijë vjetësh. E kuptoi se ishte britma e dashurisë së të Kryqëzuarit e me  përvujtëri dhe besim foshnjor, iu lut Jezusit: “Kujtoju për mua, kur të hysh në Mbretërinë tënde!” (Lk 23,42). Përgjigjja e Krishtit është një rreze dielli, që gris retë dhe e bën të shkëlqejë me të gjitha vezullimet, fytyrën Mëshirëmadhe të Zotit: “Me të vërtetë po të them, sot do të jesh me mua në Parriz!”.

E ledhatojmë Krishtin mbi portën e bronztë të Bazilikës, si të dëshironim të mbështeteshim mbi mëshirën e tij. E lëmimi i duarve tona i jep shkëlqim të ri  Korpit shenjt të të Kryqëzuarit. Po dora jonë nuk harron të ledhatojë edhe fytyrën e  Hajdutit të mirë: gjest që flet vetë e shpreh përkimin tonë të plotë me lutjen e tij, me përvujtërinë e tij, me pendimin e  tij.

Hyjmë në këtë prag shndërrimi, hapur nga njeriu, që pati fatin të përfaqësojë të gjitha britmat e pendimit e të lëshimit të plotë në krahët e Mëshirës, e cila e la veten të ngulej me gozhdat e hekurta në Kryq, për t’i shkulur gozhdat e ligësisë nga zemrat tona.

Të lutemi:

O Zot, kryqi yt na zbulon misterin

e mëkatit tonë: Ti, i pafajshmi,

hyre në historinë që ne

e bëmë të kalbej, me fodullëkun tonë,

që u bë sfidë, egoizëm, mëri, dhunë.

Ti  durove mundimet

e mbarë historisë njerëzore, për të na zbuluar

dramën e lirisë që,

duke u shkëputur nga Zoti

provon hidhërimin e ikjes nga paqja,

nga Drita, nga Dashuria,

Por kryqi, o Zot Jezus,

na zbulon sidomos, misterin e  dashurisë sate,

që është më e fortë se mëkatet tona,

më e pathyeshme se rebelimet tona,

më e pushtetshme se forca jonë.

O Krisht i kryqëzuar, Ti je shpresa,

që përshkon udhët e spërdredhura

të njeriut të çdo kohe!

O Krisht i kryqëzuar, ti je siguria

se Zoti na do përgjithmonë.

O Krisht i kryqëzuar,

“Ki mëshirë për ne, mëkatarët (Lk 18,13),

e “Kujtoju për ne në Mbretërinë tënde” (Lk 23,42)

Amen!








All the contents on this site are copyrighted ©.