2016-01-04 18:36:00

Nga 6 janari, videomesazhi i Papës për ndjetet e lutjes


Duke nisur janari, Papa Françesku do t’ia besojë një videomesazhi ndjetet tradicionale të lutjes për muajin. Nismë e re kjo, e Apostullimit të Uratës, që do të fillojë me mesazhin e 6 janarit. Ideja e videos, realizuar në bashkëpunim me Qendrën Televizive të Vatikanit, është e Agjencisë së Komunikimit “La Machi”. Lidhur me këtë nismë, intervistuam atin jezuit Frederic Fornos, drejtor ndërkombëtar i Apostullimit të Uratës:

Përgjigje: - Apostullimi i Uratës është rrjet ndërkombëtar i lutjes  së Papës: rrjet lutjeje, në shërbim të sfidave të njerëzimit e të misionit të Kishës, sepse këto janë edhe ndjetet mujore të lutjes së Papës; na ndihmojnë t’i njohim më mirë sfidat e mëdha të botës së sotme. Sfida që na nxisin të merremi shumë më tepër me këtë botë – siç na kujtoi Papa Françesku me rastin e Ditës Botërore të Paqes - me frymën e solidaritetit, të mëshirës e të dhimbsurisë për botën tonë. Po kujtoj një mesazh shumë të fortë të Papës Françesku për Kreshmë: “Jemi të stërngopur me lajme e figura tronditëse, që na tregojnë vuajtjet e tmerrshme njerëzore e, njëkohësisht, gjithë paaftësinë tonë për të ndërhyrë”.

Pyetje: - Në nismën krejt të re të Apostullimit të Uratës, Papa angazhohet drejtpërdrejt…

Përgjigje: - Në këtë Jubile të mëshirës, për t’i bërë të njohura sfidat  e njerëzimit lidhur me misionin e Kishës, që Papa na i beson çdo muaj, duam të paraqesim një video të Atit të Shenjtë, me cilësi shumë të lartë, me një ekip nga mbarë bota, me shumë talent e frymë krijuese. Çdo video do të jetë në dhjetë gjuhë. Pse? Për t’i ndihmuar njerëzit, katolikët, por jo vetëm, të gjithë njerëzit, që duan të luten e të mobilizohen për këto sfida të njerëzimit: lutja së bashku me Papën Françesku për këto sfida na ndihmon shumë. Kemi një video për çdo muaj: edhe në të gjitha rrjetet shoqërore: Facebook, Twiter, Instagram, You Tube, ku edhe do të paraqitet kjo video. Është video, në të cilën do të flasë vetë Papa e do të na ndihmojë të lutemi me të për këto sfida të njerëzimit.

Pyetje: - Më 6 janar do të jetë video e Papës për ndjetet e lutjes së muajit. Vetë Papa Françesku, ndonjë ditë më parë, duke u folur “Pueri Cantores”, u tha se si angazhim personal për 2016-tën, kishte marrë pikërisht këtë: të lutet më shumë. E video i përgjigjet edhe këtij angazhimi të Papës, apo jo?

Përgjigje: - Po, pikërisht: kjo është rruga, kjo, dëshira që mund ta ketë Ati i Shenjtë e që mund ta kemi  të gjithë. Të lutemi me të për këto sfida të njerëzimit e të misionit të Kishës e të lutemi për një botë të re. Për shembull, për janarin, Papa Françesku na propozon të lutemi e të japim ndihmesën tonë në dialogun ndërfetar, ngaqë mendon se për të siguruar paqen në botë, ka shumë rëndësi  respektimi i tjetrit. Kërkon të lutemi, që dialogu i sinqertë i burrave dhe i grave të feve të ndryshme të sjellë fryte paqeje e drejtësie.

Pyetje: - Papa Françesku flet, në këto videomesazhe, në gjuhën amë, në spanjisht, e pastaj janë edhe nëntitujt në gjuhë të tjera; edhe kjo është shumë e bukur; janë në gjuhën, në të cilën lutet Papa, e ndoshta-ndoshta pikërisht në këtë gjuhë edhe mësoi të lutet, ndonëse me origjinë italiane…

Përgjigje: - Kjo është e vërtetë. Gjë e bukur ta dëgjosh duke folur në gjuhën e tij, natyrisht edhe me përkthim në gjuhë të tjera, edhe pse do të ishte vështirë të fliste në gjuhën arabe, për shembull, ose në atë kineze… Na u duk e arsyeshme, prandaj, të fliste në gjuhën e tij, gjuhën e  zemrës, të lutjes, të intimitetit të tij me Zotin.

Pyetje: - Cili është mesazhi më i fortë, që dëshiron të japë Papa me këtë nismë të lutjes…

Përgjigje: - Mendoj se me këtë video do të na ndihmojë t’ia hapim zemrën tjetrit, sfidave të mëdha të njerëzimit. Nuk është fjala për sende të përgjithshme; fjala është për burrat, gratë, familjet, fëmijët. E kjo na ndihmon të marrim pjesë në këto sfida, me lutjen tonë, me veprimtarinë tonë, që bota jonë të ketë më shumë solidaritet e më shumë mëshirë, për të fituar, kështu, mbi indiferencën.








All the contents on this site are copyrighted ©.