2016-01-04 18:26:00

Jubileu: trupi i Atë Pios në Romë nga 3 shkurti


Trupi i atë Pios nga Pietrelçina do të jetë në Romë për Jubileun. Paraditen e 2 shkurtit do të fillojnë përgatitjet për zhvendosjen e arkës me trupin e Shenjtit nga kripta, në Kishën e Shën Pios.

Arka do të niset për Romë një ditë më pas, për të arritur pasdite në Bazilikën e Shën Lorencit, në Verano.

Më 6 shkurt, në orën 10.00, në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Françesku do të presë, në një audiencë të posaçme, anëtarët e Grupit të lutjes së Atë Pios.

Më 10, e Mërkura e Përhime, në Shën Pjetër, Papa do t’u dorëzojë 100 misionarëve të Mëshirës (priftërinj e rregulltarë nga mbarë bota) mandatin për të qenë shenjë e kujdesit amtar të Kishës për popullin e Zotit, me detyrën për të shkuar në dioqeza të ndryshme e për të gjallëruar misionin në gjirin e popullit të Zotit, ose të gjithë ato nisma, që lidhen në një farë mënyre me Mëshirën hyjnore. Papa do t’u japë autoritetin për të zgjidhur edhe mëkatet, që mund t’i zgjidhë vetëm Selia Apostolike.  

Më 11 shkurt, pas kremtimit eukaristik, kryesuar nga imzot Rino Fisichella, kryetar i Këshillit Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri, reliket e Shenjtit do të zhvendosen në Pietrelçinë (Benevento), vendlindje e Shenjtit.

Më 14, më në fund, rikthimi në Foggia, në San Giovanni Rotondo, duke shkelur, kështu, mbi udhën ku pati shkelur vetë Shenjti, njëqind vjet më parë.








All the contents on this site are copyrighted ©.