2016-01-04 16:18:00

Frère Alois i Taizé-së: “Secili të bëhet veprimtar i paqes”


Pas pesë ditëve të lutjes, 28 takimeve, seminareve e dëshmive, me pjesëmarrjen e mëse 30 mijë të rinjve, përfundoi në Valencia të Spanjës, Takimi i 38-të ekumenik evropian, i organizuar nga Bashkësia e Taizé-së, nga 28 dhjetor deri më 1 janar.

         Siç është tradita, të rinjtë, një grup prej të cilëve edhe nga Shqipëria, u pritën në familjet e në famullitë e qytetit, për të marrë pjesë së bashku, nga 50 kombe të ndryshme, në përvojën e lutjes, që bashkësia, e themeluar nga frère Roger, u propozon atyre prej vitesh, jo vetëm në periudhën e ndërrimit të viteve, por gjatë 365 ditëve, në kodrinën e Taizé-së, në jug të Francës.

         Reflektimet e kreut të sotëm të bashkësisë, frère Alois, i shoqëruan të rinjtë gjatë lutjeve të mbrëmjes në katedralen e Valencias dhe në kishën e Shën Katerinës. Kësaj radhe, takimi i fundvitit u bë në Spanjë për të kujtuar 500-vjetorin e shën Terezës së Avilës. Kardinali Antonio Cañizares, kryeipeshkëv i qytetit, i përshëndeti më 29 dhjetor, duke i inkurajuar me fjalët: “Vetëm Jezu Krishti është jeta e vetëm Jezu Krishti na bën të lirë. Vazhdojeni rrugën, duke i mbajtur sytë të ngulur në Të, me bindjen se vetëm në këtë mënyrë mund të lindë një ditë e re paqeje e vëllazërimi mbi gjithë tokën”.

         Të shumta, edhe mesazhet, që u dërguan të rinjve krerët e konfesioneve të ndryshme të krishtera, që nga kryeipeshkvi anglikan i Kanterburit, tek patriarku ortodoks Batolomeu e tek sekretari i përgjithshëm i Federatës Luterane Botërore. Jo më të pakta, edhe mesazhet e politikanëve. Fjalët dhe lutjen e Papës Françesku ua çoi të rinjve Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin. “Siç e dini – shkruan Ati i Shenjtë – Kisha është e pranishme për gjithë njerëzimin e aty ku ka të krishterë, gjithkush duhet të gjejë një oazë mëshire”.

         Mëshira – tema e Jubileut të shpallur nga Papa – ishte edhe në qendër të letrës, që Eprori i Taizé-së, frère Alois, i pati kushtuar krejt bashkësisë gjatë verës së kaluar: ftesë për ta shprehur mëshirën e krishterë përmes pesë veprimeve, të cilat qenë në qendër të vëmendjes në reflektimet e Takimit të Valencias.

         Pasi kaloi Krishtlindjen në Homs të Sirisë, frère Alois u drejtoi të rinjve fjalë impenjuese për t’u bërë, me guxim, veprimtarë të paqes. Rivendosja e vëllazërimit ndërmjet njerëzve është e vetmja mënyrë për të përgatitur një të ardhme në paqe, nënvizoi Eprori i Taizé-së. “Çfarë mund të bëjmë kundër dhunës? Të tregojmë se Kisha është bashkësi dashurie: të jemi mikpritës, të mbrojmë më të brishtët e të ndajmë atë që kemi”. Vetë bashkësia ekumenike strehon një familje refugjatësh irakianë, por edhe afganë e sudanezë. Frère Alois bëri thirrje të priten mirë ata, që trokasin në dyert e Evropës, pa harruar se “vëllazëria dhe mëshira duhen shtrirë mbi gjithë Krijimin e Zotit, sepse solidariteti me gjithë krijesat është një nga mënyrat për të arritur paqen”.

         “Secili mund të krijojë një të ardhme në paqe, duke zgjedhur një stil të përkorë jetese e duke ndarë gjithçka ka, me vëllezërit e afërt e të largët, për të ndërtuar kështu, një Evropë, popujt e së cilës të jenë më solidarë me njëri-tjetrin e me popujt e kontinenteve të tjera”.

         Në përfundim të Takimit u njoftua se në fund të vitit 2016, të rinjtë do të mblidhen në Rigë, kryeqyteti i Letonisë. Por frère Alois do të shkojë edhe në Bukuresht, nga 28 prill deri më 1 maj, për të kremtuar Pashkët me të krishterët ortodoksë të Rumanisë (këtë vit, Pashkët ortodokse bien një muaj pas atyre katolike), ndërsa e gjithë bashkësia e Taizé-së do të impenjohet për nisjen e veprimtarisë së grupit të vet të ri ekumenik në Kubë.








All the contents on this site are copyrighted ©.