2016-01-03 12:43:00

Papa: në Vitin e Shenjtë ta mishërojmë Ungjillin në jetën tonë


“Ia mbyllën portën në fytyrë Birit të Zotit”. Me këto fjalë të qarta, Papa Françesku fotografoi sot, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot të dielës së parë të vitit 2016, “dramaticitetin e Mishërimit” të Hyjit, duke nënvizuar se njerëzit nuk e pranuan “dhuratën e dashurisë së Zotit”.

Në katekizmin e shkurtër të sotëm, Papa Bergoglio u ndal te “misteri i së keqes" që  i kanoset edhe jetës sonë e, prandaj ne duhet të jemi vigjilentë e të vëmendshëm, në mënyrë që të mos mbizotërojë”. Kështu tha Papa Françesku gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot duke cituar Ungjillin e sotëm: “ Fjala është dritë, e megjithatë njerëzit preferuan errësirën”, “ia mbyllëm derën në fytyrë  Birit të Zotit”. Ky “është misteri i të keqit”, shtoi Papa Françesku.

“Në këtë Vit të Shenjtë të Mëshirës së Zotit, le të bëjmë që Ungjilli të jetë përherë e më shumë i mishëruar në jetën tonë. T’i afrohesh Ungjillit, duke e medituar e mishëruar në jetën e përditshme, është mënyra më e mirë për ta njohur e çuar Jezusin të tjerëve”. “Kujtoj atë këshillë – shtoi Papa Bergoglio gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot – që shpesh herë ju kam dhënë: çdo ditë lexoni një pjesë të Ungjillit për ta njohur më mirë Jezusin e për t’ia çuar të tjerëve. Ta mbartim, pra, një Ungjill të vogël në xhep apo në çantë, e do të na bëjë mirë”.

Kështu pohoi mes tjerash Papa Françesku gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.








All the contents on this site are copyrighted ©.