2016-01-03 14:35:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: gjithnjë syhapur përballë së keqes, me Jezusin e Ungjillin.


“Të mësohemi për ta mbajtur gjithnjë zemrën të drejtuar kah Jezusi, ndërsa i jetojmë ditët tona me gëzime e dhimbje, kënaqësi e probleme”. Kjo, ftesa e Papës Françesku që, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke rikujtuar Liturgjinë, foli për misterin e së keqes, për Mishërimin e Zotit, që na shpëton e për të gjithë ata, që ia mbyllin  portën në fytyrë  Birit të Zotit. Atij Zoti, shtoi Papa, që mund të na shpëtojë nga e keqja, e cila struket gjithnjë në prag të portave tona e dëshiron të hyjë”. Prej këndej, Papa përsëriti ftesën që ta lexojmë çdo ditë një fragment të Ungjillit. Është mënyra më  e mirë për ta larguar të keqen e të keqin nga portat e shtëpive e të zemrave tona.

Përballë misterit të së keqes “jemi të thirrur t’ia hapim në dy kanatat portën e zemrës sonë Fjalës së Zotit”. Papa Françesku kujtoi se e keqja e  rrezikon edhe jetën tonë. Prej këndej, duhet të rrimë gjithnjë syhapur, që të mos e lëmë të na sundojë. E, më pas, kujtoi atë, që e quajti “frazë e bukur e Librit të Zanafillës”:

“Libri i Zanafillës thotë se e keqja struket gjithnjë pas portave tona. Mjerë ne, po e lamë të hyjë brenda; do të ishte ajo, pastaj, që do ta mbyllte portën, për të mos lënë askënd të hyjë. Ndërsa jemi të thirrur t’ia hapim në dy kanatat portën e zemrës, Fjalës së Zotit, për t’u bërë, kështu, bijtë e Tij”.

Zoti u mishërua sepse, shpjegoi Papa, deshi ta preknim me dorë dashurinë e Tij. E nënvizoi, më pas, edhe dramaticitetin e mishërimit. Përballë dritës, njerëzit zgjodhën errësirën. Përballë së mirës, zgjodhën të keqen. Prej këndej, ftesa për ta pranuar me gjithë zemër Fjalën e Zotit e për të vepruar në mënyrë që Ungjilli të mishërohet gjithnjë më shumë në jetë, edhe pse…:

“Ai na mbron nga e keqja, nga djalli, që struket gjithnjë në prag të portës, në prag të zemrës sonë e rri e pret aty, për të hyrë brenda”.

Ta kesh gjithnjë pranë Ungjillin, ta meditosh e ta mishërosh në jetën e përditshme, është mënyra më e mirë për ta njohur Jezusin e për t’ua çuar edhe të tjerëve. Papa kujtoi, kështu, edhe Vitin e Shenjt të Mëshirës e, pa asnjë dyshim, u drejtoi gjithë besimtarëve ftesën: “Nëse e pranojmë, do të rritemi në dijen e dashurinë e Zotit, do të mësohemi të jemi mëshirëplotë, ashtu siç është Ai vetë”.

Kjo, vijoi Papa, është ftesa e Kishës Amë Shenjte: ta pranojmë Fjalën e shëlbimit, misterin e dritës. Kjo është thirrja e ky, gëzimi i çdo të pagëzuari: t’ua tregojë e t’ua dhurojë Krishtin të tjerëve; por, për ta bërë këtë, duhet ta njohim mirë ne vetë, ta kemi në shpirtin tonë, si Zotëria i jetës sonë.  

Pas lutjes mariane, Papa përsëriti ftesën për të lexuar çdo ditë nga një fragment të Ungjillit:

“Po ju kujtoj edhe këshillën, që jua kam dhënë sa e sa herë:  të lexoni çdo ditë një fragment të Ungjillit, një pjesë të Ungjillit, për ta njohur më mirë Jezusin, për t’ia hapur zemrën tonë Jezusit, e për t’i bërë edhe të tjerët ta njohin më mirë. E edhe ta mbajmë një Ungjill të vogël në xhep, në çantë, na bën shumë mirë. Mos harroni: çdo ditë të lexojmë një copëz të Ungjillit!”.

“Në çaste të gëzueshme e të trishtueshme, t’ia besojmë vetveten Atij, që është shpresa jonë”, tha Papa e, në vijim, kujtoi edhe angazhimin që morëm për vitin e ri, në Ditën e Paqes, me temë: “Mposhte indiferencën e fitoje paqen”.

Me hirin e Zotit, siguroi Françesku, mund ta vëmë në jetë.

Më pas, një përshëndetje e përzemërt drejtuar besimtarëve të Romës dhe shtegtarëve ardhur nga Italia e vise të tjera, familjeve, shoqatave e grupeve të shumta famullitare, posaçërisht disa të posakrezmuarve. E të gjithëve, urimin  që të gëzojnë paqen e të mirat e Zotit. E pastaj, kërkesa, që Ati i Shenjtë është mësuar ta bëjë gjithnjë, në përfundim të takimeve me të afërt e të largët: “Mos harroni të luteni për mua!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.