2016-01-03 16:54:00

Arrestime në Teheran pas sulmit mbi ambasadën saudite


Vijon tensioni i lartë ndërmjet Iranit e Arabisë Saudite, pas ekzekutimit nga ana e Riad-it, të 47 të dënuarve, ndërmjet të cilëve, dhe imami shiit al Nimr, i konsideruar si njëri nga kundërshtarët më të mëdhenj të sauditëve. Riad-i njoftoi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Teheranin. Vendimi është shprehje e krizës ndërmjet dy vendeve, përkatësisht liderë të bashkësive myslimane sunnite e shiite. Prijësi më i lartë iranian, Khamenei, kërkoi hakmarrjen hyjnore mbi kokat e  politikanëve të Riad-it. Dyzet vetë u arrestuan në Teheran, si autorë të sulmit të mbrëmshëm mbi ambasadën saudite, akt, që u dënua nga presidenti iranian, Rohani, sipas të cilit, sulmi duhet të jetë kryer nga një grup ekstremistësh. Të ndjekim kronikën e ngjarjeve:

Ndërmjet reagimeve të botës shiite, sulmi kundër ambasadës saudite në Iran ishte vërtetë i egër. Dhjetra manifestues mbrëmë hodhën bomba ndezëse kundër përfaqësisë diplomatike të Riad-it. 40, të arrestuarit nga policia. Ajatollah Khamenei e shprehu, përmes internetit, dënimin e tij për ekzekutimin e al Nimr, duke iu lutur Zotit të marrë hak mbi kokat e politikanëve sauditë për gjakun e një martiri, derdhur padrejtësisht. Lideri shiit, imam i xhamisë së Qatifit, ishte një nga kundërshtarët më të rreptë të sauditëve. Në vendin me shumicë sunnite, al Nimr, në vitin 2009 pati bërë thirrje për shkëputjen e provincave shiite dhe pati qenë një nga organizatorët e protestave që shpërthyen në vitin 2011, pjesë e valëve të të ashtuquajturave  pranvera arabe. Tensioni ndërmjet dy shteteve mori zjarr edhe më shumë nga akuzat e ndërsjellta. Nëse Teherani i quajti 47 ekzekutimet akt terrorist, për Arabinë Saudite është pikërisht Irani ai, që e mbështet terrorin.

Ndërsa Seyed Hassan Nasrallah, lider i lëvizjes shiite libaneze Hezbollah, duke dënuar ekzekutimin e shehut shiit Nimr al Nimr, pohoi se “Mbretëria saudite është e paligjshme, sepse dinastia Al Saud iu imponua popullit me masakra, vrasje e frikësime. Kjo mbretëri, vijoi ai, duke folur në televizionin Al Manar të lëvizjes së tij, u krijua me mbështetjen dhe financimin britanik, në kuadrin e një plani kolonial”.

SHBA-të, ndërkaq, përmes këshilltarit për sigurimin kombëtar të Shtëpisë së Bardhë, Ben Rhodes, i japin Arabisë Saudite mesazhin të veprojë në mënyrë të moderuar në frontin e të drejtave të njeriut, duke i kërkuar Riad-it, uljen e tensionit në rajon.

Por, sa mund të peshojë ky shkallëzim i tensionit ndërmjet Iranit e Arabisë Saudite në gjeopolitikën e rajonit? Ia kërkuam përgjigjen Fulvio Scaglione-s, drejtor i së përjavshmes italiane “Famiglia Cristiana”:

Përgjigje: - Konflikti ndërmjet shiitëve e sunitëve, përfaqësuar në këtë çast posaçërisht nga Arabia Saudite dhe Irani, vijon prej shumë shekujsh, të paktën, gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, është bërë edhe më i mprehtë. Nuk mund të besoj, prandaj, se do të jenë këto ekzekutime, që do t’ia  ndërrojnë natyrën dhe radikalitetin: mendoj se ekzekutimet janë qortim për Perëndimin, nga ana e Arabisë Saudite, për t’i thënë: “Ne jemi e vetmja pikëmbështetje në Lindjen e Mesme; ne bëjmë ç’të duam e Perëndimi duhet ta pranojë këtë aleancë, që vijon prej një shekulli, me çdo kusht”. Besoj se mesazhi i vërtetë është ky, sepse shiitët e sunnitët, Irani e Arabia Saudite e luftojnë njëri-tjetrin prej kohe në një mori frontesh e se ekzekutimi i al Nimr, sado i bujshëm qoftë, nuk mund të ndikojë aq shumë sa duket, në këtë kuadër.

Pyetje: - Cili është roli i të dy shteteve në luftën kundër Shtetit të vetëshpallur Islamik?

Përgjigje: - Natyrisht, e për shumë arsye, në luftën kundër Isisit është më vendimtar, më bindës, roli i Iranit. Për lëvizjet radikale ekstremiste, terroristët islamikë, që veprojnë në të ashtuquajturat “siraq”, ndërmjet Sirisë e Irakut, Arabia Saudite ka qenë gjithnjë ajo, që e nxit luftën, e  financon, e organizon, e armatos… Që mandej u distancua nga Isis, por pa u distancuar nga e gjithë galaktika e lëvizjeve, që janë  thelbësisht  të përafërta, kjo vlen tepër pak. Sigurisht Irani, në këtë çast, për arsye interesash politike, është shumë më i bindur në betejën kundër Isis-it. Nga ana tjetër, Arabia Saudite, prej dy vjetësh, është blerësja e parë botërore e armëve. E këto armë, natyrisht, nuk mund të grumbullohen në Arabinë Saudite; këto armë dikund shkojnë. E dihet edhe se ku shkojnë: pjesërisht edhe në frontin sirian.

Pyetje: - Sipas jush, ç’skenare mund të hapen së shpejti, si pasojë e  ngjarjeve të  fundit?

Përgjigje: - Nuk besoj se gjërat do të ndryshojnë shumë, natyrisht, nëse nuk do të ketë acarime të mëtejshme. Tensione të tilla kemi parë vazhdimisht këto vite. E këtu pika e vërtetë është sjellja e Perëndimit. Sjellja e botës perëndimore ndaj Arabisë Saudite duhet të ndryshojë, sepse Arabia Saudite ka dalë, tashmë, prej dhjetra vitesh, gjithnjë e pa dënuar, gjë që po bëhet vërtet shkatrrimtare. 








All the contents on this site are copyrighted ©.