2016-01-01 11:31:00

Papa: forca e fesë arrin atje, ku nuk arrin politika e hap udhë të reja


Sot, 1 janar, dita e parë e Vitit të Ri 2016, Kisha kremtoi Solemnitetin e së Shenjtnueshmes Mari, Nënë e  Zotit, njëherësh me Ditën e 49-Botërore të Paqes 2016, me temë: “Mposhte indiferencën e fitoje paqen”.

Në orën 10.00 Papa kryesoi, në Bazilikën e Vatikanit, Meshën Shenjte në Solemnitetin e së Shenjtnueshmes Mari, Nënë e Zotit, në praninë e Pueri Cantores, në përfundim të Kongresit të tyre ndërkombëtar.

Të dëgjojmë homelinë domethënëse të Françeskut, që i flet njerëzve të botës mbarë:

“Dëgjuam fjalët e Shën Palit Apostull: “Kur erdhi koha e caktuar, Hyji dërgoi birin e Tij, lindur prej gruaje” (Gal 4,4). Ç’kuptim kanë fjalët “Jezusi lindi në kohën e caktuar”? Nëse  vështrimi ynë drejtohet nga çasti historik, mund të mbetemi menjëherë të zhgënjyer. Roma sundonte mbi pjesën më të madhe të botës së njohur deri asokohe me forcën e saj ushtarake. Perandori August kishte marrë pushtetin pas pesë vitesh lufte civile. Edhe Izraeli qe pushtuar nga perandoria romake e populli i zgjedhur kishte humbur lirinë. Për bashkëkohasit e Jezusit, ky, natyrisht, nuk ishte çasti më i mirë. Nuk duhet, prandaj, të shikojmë sferën gjeopolitike, për të përcaktuar kulmin e kohës.

         Duhet një shpjegim tjetër, atëhere, që e kupton kohën, duke u nisur nga Zoti. Kur Zoti mendon se ka mbërritur çasti për ta përmbushur premtimin e bërë, atëhere vjen për njerëzimin edhe koha e caktuar. Për më tepër, nuk është historia ajo, që merr vendim për lindjen e Krishtit; përkundrazi, është ardhja e Tij në botë, që i krijon historisë mundësitë të arrijë përsosurinë. Prej këndej, nga lindja e Birit të Zotit nis numërimi i viteve të një epoke të re, asaj, në të cilën përmbushet premtimi i lashtë. Siç shkruan autori i Letrës drejtuar Hebrenjve: “Hyji herë mbas here e në mënyra të ndryshme, në të kaluarën, u foli etërve me anën e profetëve, e, së fundi, në këto ditë, na foli edhe ne me anë të të Birit, të cilin e bëri trashëgimtarin e të gjitha sendeve e nëpër të cilin krijoi gjithësinë. Ai është bredhja e lavdisë së Tij dhe vula e qenies së Tij,  që  e mban gjithçka  me Fjalën e vet të fuqishme”(1,1-3). Koha e caktuar, prandaj, është prania e  vetë Zotit në historinë tonë. Tani mund ta shikojmë lavdinë e tij, që shkëlqen në varfërinë e një stalle, e të marrim zemër, të mbështetemi nga  Fjala e Atij, që u bë ‘i vogël’ në një ferishte. Falë Tij, koha jonë mund të arrijë në përmbushjen e plotë.

         Gjithsesi, ky mister është gjithnjë në kontrast me përvojën dramatike historike. Çdo ditë, ndërsa dëshirojmë të gjejmë mbështetje në shenjat e pranisë së Zotit, na duhet të ndeshemi me shenja krejt të kundërta, negative, që na shtyjnë të mendojmë se Ai mungon. Përmbushja e kohës duket sikur thërmohet përballë formave të shumta të padrejtësisë e të dhunës, që i hapin çdo ditë plagë të reja njerëzimit. Nganjëherë e pyesim veten: si është e mundur që të vazhdojë dhuna e njeriut mbi njeriun? Që arroganca e më të fortit të vijojë ta poshtërojë më të ligshtin? Duke e  syrgjynosur në skutat më të mjera të kësaj bote? Deri kur ligësia e njeriut do të mbjellë mbi tokë dhunë e urrejtje, duke shkaktuar viktima të pafajshme? E si mund të jetë kohë e caktuar kjo, në të cilën shikojmë me sytë tanë turma burrash, grash e fëmijësh, që ikin nga lufta, nga uria, nga persekutimet, të gatshëm për të rrezikuar jetën, vetëm e vetëm që t’u respektohen të drejtat themelore njerëzore? Një përrua i rrëmbyer mjerimi, i ushqyer nga mëkati, duket sikur i kundërvihet kohës së caktuar, të realizuar nga Krishti.

          E pra ky përrua i rrëmbyer nuk mund të bëjë asgjë kundër oqeanit të mëshirës, që e përmbyt botën tonë. Jemi të thirrur të gjithë të kridhemi në këtë oqean, ta lëmë të na rilindë, për ta mposhtur indiferencën që e pengon solidaritetin, e të heqim dorë nga asnjanësia e rreme, e cila e pengon ndarjen e përbashkët. Hiri i Krishtit, që e përmbush pritjen e shëlbimit, na shtyn të bëhemi bashkëpunëtorët e Tij në ndërtimin e një bote më të drejtë e më vëllazërore, në të cilën çdo njeri e çdo krijesë mund të jetojë në paqen e në harmoninë e zanafillës së krijimit  të Zotit.

          Në krye të një viti të ri, Kisha na fton ta kundrojmë Amësinë e Marisë si ikonë e paqes. Premtimi i lashtë përmbushet plotësisht në vetjen e saj. Ajo besoi në fjalët e Engjëllit, zuri në kraharor Birin, u bë Nënë e Zotit. Përmes saj, përmes ‘po’-së së saj, erdhi koha e caktuar. Ungjilli, që dëgjuam, thotë se Virgjëra “i ruante këto sende, duke i medituar në zemër të vet”(Lk 2,19). Ajo na paraqitet si vazo përplot me kujtimin e Jezusit, porsi Seli e Dijes, prej së cilës mund të përfitojmë për ta shpjeguar drejt mësimin e Tij. Sot na krijohet mundësia t’i kuptojmë ngjarjet, që na përkasin ne, personalisht, u përkasin familjeve tona, vendeve tona, botës mbarë. Atje ku nuk mund të arrijë arsyeja e filozofëve, e as bisedimet pa fund të politikës, pikërisht atje mund të arrijë forca e fesë, që sjell hiri i Ungjillit të Krishtit e që mund t’u hapë gjithnjë udhë të reja arsyes dhe bisedimeve.

E lume, je ti, o Mari, sepse i dhe botës Birin e Zotit: por edhe më e lume, sepse besove në Të. Përplot me fe, e zure Krishtin më parë në zemër, e pastaj në kraharor, për t’u bërë nënë e të gjithë besimtarëve (cfr Agostini, Sermo 215,4), Shtrije mbi ne bekimin tënd në këtë ditë, që të kushtohet; na  e trego fytyrën e Birit tënd, Jezus, që i jep botës mbarë  mëshirë e paqe.   








All the contents on this site are copyrighted ©.