Imzot Gjon Nikollë Kazazi lindi në Gjakovë më 1 janar të vitit 1702. U shkollua
ndër kolegjet e Propagandës Fide, më parë në Fermo e pastaj në Loreto e në Universitetin
Papnor Urbanian të Romës, ku kreu studimet filozofike dhe teologjike.
E nisi veprimtarinë si ndihmës i kryeipeshkvit të Shkupit, imzot Mëhill Sumës, të
cilin e zëvendësoi pas dorëheqjes për shkak moshe. Ishte duke kryer një vizitë baritore
në krahinat jugore të Ballkanit, kur mori nga Selia e Shenjtë lajmin e emërimit.
Në vitin 1740 kryeipeshkvi i Shkupit u nis për një vizitë në Romë, ku pati fatin e
madh të zbulonte në bibliotekën e Propagandës Fide kopjen e vetme të Mesharit të Gjon
Buzukut, monumenti më i lashtë i shqipes së shkruar që njihet deri më sot.
Meritë e madhe kjo, së cilës prelati i shtoi edhe atë të hartimit e të botimit të
një katekizmi në gjuhë shqipe. Ky katekizëm mbetet dokumenti më i vjetër i së folmes
së Gjakovës.
Imzot Kazazi e drejtoi kryeipeshkvinë që i qe besuar për dhjetë vjet me radhë. Kreu
edhe detyrën e vizitatorit apostolik në Bullgari. I kushtoi vëmendje e kujdes të madh
edukimit të klerit të ri, të cilin e shikonte si të vetmen shpresë për krishterimin
në këto vise. Me vlera të mëdha kishtare e historike janë edhe relacionet që dërgoi
në Vatikan më 1743 dhe 1744. Imzot Kazazi ndërroi jetë me 5 gusht 1752.
Lutjet e Mëngjesit
Po të falem o Zot i vërtetë,
e po të bindem,
e po të due me gjith zembër.
Po të falem nderës se më ke kriuom
e më ke çperblem e më ke ruojtun këtë natë
prej ndonji mortje së pakujtueshme.
Ty, o Zot po t’i falinj gjith(a) kujtimet e mija
e po të lutem të më ruojsh
sod e për gjithë herë prej gjith fajesh
e mpkatesh...
All the contents on this site are copyrighted ©. |