2016-01-01 16:18:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së dytë pas Krishtlindjes


Gërshetimi i mrekullueshme ndërmjet hyjnores e njerëzore! Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së II pas Krishtlindjes, të ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.

Në liturgjinë e Fjalës të dielës së 2-të të Krishtlindjes, Kisha vazhdon të na thërrasë të vazhdojmë të meditojmë gjithnjë mbi Misterin e madhe të Mishërimit të Zotit tonë Jezu Krisht, i cili ka ardhur ndër  ne për të na sjell jetën e gëzimin. Liturgjia pra, na fton të hyjmë në thellësi, në zemrën e fesë sonë të krishterë.

Fjala e Zotit, Urtia e Amshuar e Atit Hyj është bërë njeri e ka vendosur banesën në mesin tonë, Hyji është me ne dhe për ne. Kështu, asnjë njeri nuk është më i varfër, e nuk duhet të jetë i dëshpëruar, i pashpresë. Askush s’mund të thotë më: ku është Zoti ynë? Sepse Zoti është me ne, mjaft që t’i hapim sytë e trupit e të zemrës, mjaft të shikojmë, të ecim e të jetojmë Dritën e Fesë e të Dashurisë, e Zotin mund ta takojmë, mund ta njohim, mund ta duam e kështu të jetojmë në plotësi.

Lavdi Ty, o Krishti, i predikuar ndër të gjithë njerëzit dhe i besuar në botë.

Qengji i Hyjit, i parashënuar që në fillim të botës për t’i larë me gjakun e vetë mëkatet e njerëzve, në këto ditë, duke marrë natyrën tonë njerëzore, ka ardhur për të banuar ndër ne. (Ungjilli).

Ai, Dritë e pambarim, Urti e amshuar ka ardhur të banoi në qytetin e dashur të Hyjit të vet, në Jerusalemin qiellor që është Kisha (Leximi I).

Kështu, të bekuar me çdo bekim shpirtëror në qiell në Krishtin, Zoti na ka zgjedhur para krijimit të botës që të jemi të shenjtë e të drejtë me vepra. Ai na parashënoi për vete që të jemi bij të Tij në shpirt në saje të veprës së Jezu Krishtit.

Para kësaj Dashurie të pakufishme të Zotit, është e nevojshme, madje është e domosdoshme t’i përgjigjemi edhe ne me vepra dashurie, të bëhemi çdo ditë e më tepër të shenjtë para Tij në dashur. (Leximi II).

Kështu pra, liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele, e 2-ta pas Krishtlindjes, na fton ta thellojmë domethënien e festës së Lindjes së Jezu Krishtit. Kush është Jezusi i lindur në Betlehem nga Maria? Jezusi është Fjala e amshuar, Biri i Hyjit që është bërë njeri. Jezusi është fytyra e dukshme e Atit Qiellor. Lypet reflektuar mbi atë se kush është Ai që ka ardhur ndër ne, dhe pse e bëri këtë! Teksti i librit të Siracidit (I Lexim) përbënë njërën prej e fjalimeve lëvdatë (lavdërimeve) të Urtisë hyjnore: ajo identifikohet me Fjalën e personifikuar, apo me Shpirtin hyjnor që flatëron e fryn mbi ujera, në fillimin e kohëve. Është një prani kjo aktive që na përfshinë e bënë pjesë të vetvetes.

Në himnin me të cilin nis letra drejtuar të krishterëve të Efezit ( II Lexim) shën Pali pohon se Zoti na ka paracaktuar të jemi bijtë të vetë në saje të veprës së Jezu Krishtit. Ftesa që Apostulli na drejton është ajo që kërkon me insistim dhuratën e urtisë për ta njohur Krishtin dhe pranuar në jetën tonë. Në Jezu Krishtin, Fjalën e bërë njeri, Fjalën e mishëruar, dëftimi përfundimtar i Atit, premtim i bërë nga Hyji në Besëlidhjen e Vjetër realizohet: Biri i Hyjit ka vënë banesën e vetë ndër ne (Ungjilli). Në Të, Ati na ka zgjedhur e na ka bekuar.

Kështu, në këtë të diele, jemi të thirrur të kundrojmë Fjalën, që është Krishti, Biri i Hyjit. Ai është Fjala e Zotit, që është në zanafillën e krijimit dhe përherë veprues në botë. Vetë Zoti na jep mundësinë ta njohim e të hyjmë në intimitetin e vetë.

                                         Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë   Sir 24, 1-4.12-16

Të urtët e Izraelit kishin profetizuar që  Urtia hyjnore duhej të vendoste banesën e saj mes njerëzve.  Duke lexuar këtë pjesë me sytë e krishterë Urtia është Jezu Krishti, Fjala që ka “vënë rrënjët e saj në mes nesh”.

Lexim prej Librit të Siracidit

Urtia lëvdon vetveten, në Hyjin e gjen nderin dhe do të mburret në mes të popullit të vet, në bashkim të Tejetlartit do ta çelë gojën dhe lëvdohet në praninë e tij: lartësohet në mes të popullit të vet, do të çmohet me nderim në mbledhjen e shenjtë, lavdi do të ketë në turmën e të zgjedhurve dhe në mes të bekuarve do të bekohet. Atëherë më urdhëroi Krijuesi i gjithësisë, Ai që më krijoi mua, paqe i dha banesës sime duke më thënë: “Ngule banesën në Jakobin e merre për pronë Izraelin dhe lësho rrënjë në të zgjedhurit e mi”.

Qysh në fillim, para çdo kohe, kam qenë krijuar dhe s’do të mbaroj askurrë! Para tij kam shërbyer në Tendën e shenjtë e kështu kam ngulur banesën në Sion. Kështu më dha pushim në qytetin e dashur dhe pushtetin e kam në Jerusalem. Kështu u rrënjosa në një popull të ndershëm, në pjesën e Zotit, në trashëgimin e tij, dhe banimi im është në mesin e shenjtërve. Fjala e Zotit! Falënderojmë Hyjin!

Psalmi 147

Fjala e Zotit u bë njeri e banoi ndër ne.

 

Lavdëroje, Jerusalem, Zotin,

madhëroje, o Sion, Hyjin tënd!

Sepse i forcoi shulat e dyerve të tua,

i bekoi bijtë e tu në ty!

 

Ai ua siguron kufijve të tu paqen,

ai të ushqen me palcën e grurit.

Ai e dërgon fjalën e vet mbi tokë,

lajmi i tij vrapon me shpejtësi.

 

Ai ia zbulon fjalën e vet Jakobit,

drejtësitë e gjyqet e veta Izraelit.

Nuk bëri kështu me asnjë komb tjetër:

asnjërit nuk ia zbuloi vendimet e veta.

 

Leximi i dytë Ef (1,3-6.15-18)

Shën Pali lëvdon Jezu Krishtin, Urtinë dhe Bekimin e Hyjit.  Nëpërmjet Krishtit Ati na ka bërë bij të tij në shpirt.  Nuk jemi jetimë të braktisur në mes të botës, por duhemi nga Hyji ashtu si jemi.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror në qiell në Krishtin. Në të na zgjodhi para krijimit të botës që të jemi të shenjtë e të papërlyer para Tij në dashuri. Ai na parashënoi për vete të jemi bij në shpirt në saje të Jezu Krishtit me pëlqimin e vullnetit të vet për nder të lavdisë së hirit të tij me të cilin na pajisi me anë të Birit të vet të dashur.

Prandaj edhe unë, qysh se dëgjova për fenë tuaj në Jezusin Zot dhe për dashurinë kundrejt të gjithë shenjtërve, nuk pushoj të falënderohem për ju e t’ju kujtoj në urata të mia, që Hyji i Zotit tonë Jezu Krishtit, Ati i lavdisë, t’ju japë Shpirtin e dijes e të zbulesës për ta njohur Atë; t’ju japë syve të zemrës suaj dritë, që të mund ta kuptoni shpresën e madhe që e jep thirrja e tij, begatinë e pakufishme të trashëgimit të tij ndër shenjtër. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Aleluja. Aleluja. Lavdi ty, o Krisht, i predikuar ndër paganë;  lavdi ty, o Krisht, i besuar në botë.  Aleluja. Aleluja.

 

Ungjilli  Gjn 1, 1-18

Sot rilexojmë hyrjen e Ungjillit të Gjonit.  Krishti është Fjala, dëftimi dhe zbulimi më i lartë i Hyjit, Ai është Hyji, Biri i dalë nga Hyji Atë, Ai u mishërua për të qenë mes nesh dhe për të qenë për ne dritë dhe jetë, vëllai ynë dhe Shpëtimtari.

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte në Hyjin e Fjala ishte Hyj. Kjo ishte në fillim në Hyjin. Prej Saj u bë çdo gjë e pa Të nuk u bë asgjë. E çdo gjë që u bë, e pati në Të jetën e Jeta është drita e njerëzve; e Drita shndriti në errësirë e errësira nuk e pushtoi.

Qe një njeri i dërguar prej Hyjit. Emri i tij ishte Gjon. Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar Dritën, që të gjithë të besojnë nëpër të. Ai nuk ishte Drita, por për të dëshmuar Dritën. Drita e vërtetë që shndrit çdo njeri, erdhi në botë. Ishte në botë e bota u krijua prej Saj, e bota nuk e njohi.

Erdhi ndër të vetët, e të tijtë nuk e pranuan. Atyre që e pranuan u dha zotësinë të bëhen bijtë e Hyjit: atyre që besojnë në Emrin e tij. Këta s’i bëri bijtë të Hyjit as gjaku as prirja e mishit as prirja e njeriut, por Hyji.

E Fjala u bë njeri e banoi ndër ne. Ne e pamë lavdinë e tij, atë lavdi që prej Atit i përket Birit të vetëm plot hire të vërtetë. Gjoni e dëshmon Atë. Ai shpall: “Ky është ai, për të cilin thashë: ‘Ai që vjen pas meje, është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje’!” Vërtet, prej plotësisë së tij të gjithë ne morëm, madje, hir mbi hir.

Vërtet, Ligji u dha nëpër Moisiun, porse hiri dhe e vërteta erdhën nëpër Jezu Krishtin. Hyjin kurrë askush nuk e pa: Biri i vetëm, që është Hyj, një natyrë me Atin, Ai bëri të njihet. Fjala e Zotit!

Dëgjojeni programin kushtuar liturgjisë së Fjalës së Zotit të kësaj së diele.....

 








All the contents on this site are copyrighted ©.