2016-01-01 14:56:00

1 janar. Dita e Paqes. Françesku: jo, globalizimit të indiferencës!


 “T’u falet borxhi ndërkombëtar shteteve më të varfëra, të zbatohen politika bashkëpunimi, që nuk e dëmtojnë të drejtën themelore, të patjetërsueshme, të të palindurve për jetën e të hiqet dorë nga zvarritja e popujve ndër konflikte pa fund!”. Kjo, thirrja e trifishtë e Françeskut drejtuar Shteteve të mbarë botës, në Mesazhin e tij për Ditën e 49-të Botërore të Paqes, që kremtohet sot, 1 janar, ditë e parë e Vitit të Ri 2016.

“Mposhte indiferencën e fitoje paqen” është tema e Ditës. Indiferenca, nënvizon me forcë Papa në mesazh, është kërcënimi më i madh për familjen njerëzore, për çdo njeri e për të gjitha kombet.   

Armiku i parë i paqes është indiferenca e njerëzve ndaj njerëzve, që buron nga mohimi i Zotit. Mesazhi nis pikërisht me ftesën për t’u angazhuar plot shpresë në përpjekjen për të siguruar paqen. Nëse është e vërtetë që kjo e fundit është dhuratë e Zotit, pohon Papa, është po aq e vërtetë edhe se realizimi i saj u besohet burrave e grave vullnetmira.

Viti 2015 përfundon me një bilanc të dhimbshëm për paqen. Terrorizmi e konfliktet duket sikur e pohojnë teorinë e “luftës së tretë botërore copa-copa e vende-vende”. E, megjithatë, nuk mungojnë arsyet, që na shtyjnë të shpresojmë. E Papa Françesku i shikon pikërisht tek disa ngjarje me vlerë ndërkombëtare, si marrëveshja e Parisit mbi klimën ose Agjenda OKB-së për zhvillimin e qëndrueshëm. Situata, këto, që të nxisin të besosh në aftësinë e njerëzimit për të vepruar së bashku, me frymën e solidaritetit. E kjo sjellje, vëren Papa, përkon me atë të Kishës së 50-vjetëve të fundit, me përpjekjen e saj për dialog, solidaritet, mëshirë.

Papa na fton t’i kundërvihemi globalizimit të indiferencës

Kërcënimet kundër paqes janë konkrete e një pjesë e mirë e tyre rrjedh nga indiferenca ndaj të afërmit e edhe ndaj Krijimit. E, për një sjellje të tillë, tejet të përhapur, Papa Françesku përdor termin “globalizimi i indiferencës”. Indiferenca ndaj njeriut buron sidomos nga indiferenca ndaj Zotit. Pikërisht nga këputja e kësaj lidhjeje, që u paraprin lidhjeve të tjera, lindin të gjitha të këqijat e shoqërisë, të cilat Papa Françesku i denoncon vazhdimisht: korrupsioni, rrënimi i ambientit, mungesa e plotë e mëshirës ndaj të tjerëve. Udha, që tregon Françesku për luftën kundër globalizimit të indiferencës, është ajo e shndërrimit të thellë, gjë që, përmes hirit të Hyjit, i krijon njeriut kushtet t’ia hapë zemrën tjetrit me solidaritet të vërtetë. E shembujt e solidaritetit, që përmend Papa, kërkojnë angazhim të përgjithshëm, për të krijuar kulturën e njëmendtë të mëshirës.

Duhet angazhim solidar e i mëshirshëm, duke nisur nga familja

Familjet, edukatorët, komunikatorët, janë aktorët e parë, që duhet t’i përgjigjen kësaj thirrjeje, duke u bërë nxitës të vlerave të lirisë, respektit reciprok e solidaritetit. E pikërisht në këtë kontekst, Papa kujton shembullin negativ të atyre punonjësve të mjeteve të komunikimit, që nuk e vrasin shumë mendjen për mënyrën si i sigurojnë e si i përhapin informacionet. E pra shoqëria është e pasur me shembuj angazhimi solidar e përdëllyes: mjafton të kujtojmë shoqatat, që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut e shoqatat bamirëse, posaçërisht ato, që punojnë në ndihmë të emigrantëve në vështirësi. Këto aksione, kujton Papa, janë vepra mëshire trupore e shpirtërore. E mirënjohja e Papës Françesku shkon tek të gjithë ata njerëz të Kishës, që e kanë  dëgjuar thirrjen e tij për të pranuar një familje refugjatësh.

Falja e borxhit të Vendeve varfëra dhe e dënimit me vdekje

Jubileu i Mëshirës është rast për të reflektuar mbi shkallën e indiferencës  që fshihet në zemrën e secilit, për ta mposhtur e për t’u angazhuar në përmirësimin e realitetit, që na rrethon. Papa e përfundon mesazhin për Ditën Botërore të Paqes, duke kujtuar gjithë njerëzit  në kushte të vështira e duke bërë thirrje për t’i dhënë fund dënimit me vdekje e për amnisti.

Thirrja e Papës, besuar ndërmjetësimit të Marisë, u drejtohet kryesisht liderëve shtetërorë. Françesku u kërkon t’i kundërvihen luftës, t’ua falin borxhin vendeve të varfëra dhe të vënë në jetë politika bashkëpunimi, që nuk e cënojnë të drejtën e fëmijëve ende të palindur, për të jetuar.








All the contents on this site are copyrighted ©.