2015-12-30 17:34:00

Joseph Rudyard Kipling dhe poezia “Në mundsh” në shqip


Një përvjetor tjetër, për t’u kujtuar sot: 150-vjetori i lindjes së  shkrimarit të shquar britanik, Joseph Rudyard Kipling.

Ç’na kujton Kiplingu

Emri i tij na sjell menjëherë në mendje një kryevepër, që na bëri të ëndërrojmë aventura të çuditshme, të paharrueshme: “Librin e xhunglës” (The Jungle Book, 1894), përkthyer që kur në gjuhën shqipe, ripërkthyer e lexuar me kënaqësi të rrallë nga brezni të tëra fëmijësh e të rinjsh. Të njohura edhe tregimi “Kim”(1901), romani “Kapitenë guximtarë”(1897), si dhe poezitë Gunga Din (1892),  dhe “The White Man’s Burden” (Barra e njeriut të bardhë 1899) etj. Por Kiplingu na kujton edhe një nga kryeveprat e poezisë botërore, përkthyer në një mori gjuhësh, edhe në shqip. Në origjinal titullohet “If”, ndërsa në përkthimin e Nolit, “Në munç” e në atë të Robert Shvarcit “Në mundsh”, pa kujtuar këtu një mori përkthimesh të tjera, të njohura ose të panjohura.

Dy fjalë për Kiplingun

Kujtojmë se Joseph Rudyard Kipling (1865-1936) lindi ne Bombei të Indisë. Shkeli në shumë vende të botës, nga Anglia, në Afrikën e Jugut; nga SHBA (Vermont, New England), në Birmani, Kinë Japoni…. Me shtegtimet e tij pa fund mund të njihemi përmes ditareve të udhëtimit “From Sea to Sea and Other Sketches, Letters of Travel”. Në vitin 1907 fitoi çmimin “Nobel” për letërsi, pasi kishte refuzuar nje mori çmimesh të tjera. Vdiq nga hemorragjia cerebrale në moshën 70 vjeçare, pak pasi qe përhapur lajmi i rremë i vdekjes së tij, të cilin e pati kometuar me fjalët: “Sapo mora vesh, nga gazeta juaj, lajmin se kam vdekur: ju lutem, mos harroni të më shlyeni emrin nga lista e të abonuarve tuaj”. Mbylli sytë më 18 janar 1936, në Londër. Trupi i tij u dogj në furrën krematore e hiri ruhet  në Abacinë e Westminster-it, pranë e pranë me disa nga personalitetet më të shquara të Anglisë, nga të gjitha fushat e jetës. 

Nga Joseph Rudyard Kipling po sjellim në faqen tonë të internetit, dy variante të përkthimit të poezisë “If”- “Në munç”, përkthyer nga Fan Noli dhe “Në mundsh”: nga Robert Shvarc.  

Në munç

Përkthyer nga Fan S. Noli

Në munç të mbash në kokë terezinë

Kur shokët çmenden dhe fajtor të nxijnë;

Në munç të kesh besim, kur kushdo të dyshon,

dhe s'ka asnjënjeri që të beson;

Në munç të preç, dhe pritjen s'e kursen,

Në të gënjefshin, e ti nuk i gënjen,

Në të urrefshin, ti s'i çan me brirë,

Dhe s'hiqesh as m'i mënçim as m'i mirë.

Në munç të çndërrosh e të mejtosh,

Dhe nga këto në mos u robërofsh;

Në munç të preç Triumfin dhe Hatanë,

Dhe t'i shkelmosh të dy si kallpazanë;

Në munç të mbahesh, kur një dreq ta dreth

Të drejtën dhe në lak syleshin heth,

Kur sheh kalan' e jetës të rëzuar

Dhe prap e ngre me veglën e çkallmuar;

Në munç të vësh m'i grumbull çdo thesar,

Edhe t'i loç të gjitha me një zar,

T'i humpç edhe të nisësh përsëri

Pa thën' asgjë për këtë batërdi;

Në munç të kesh një zemër, trup e kokë

Që të shërbejnë sa të bëhen trokë,

Dhe të vazhdosh i djegur shkrump në furrë,

Dhe të thërrasë vullneti: "Mbahu, or burrë!"

Në munç të zbreç në turm' e ta mbash nderin,

Të hash me mbretin, e të pish me neferin;

Në mos të ngaftë dot as mik as hasmë,

N'i daç të gjithë, po asnjë për dasmë;

Në munç për çdo minutë të përpjetë

Të rëntë tamam sekunda gjashtëdhjetë;

Zaptove dhenë me çdo mall dhe hir,

Dhe ca më mirë, qënke trim, or bir!

* * *

“Në mundsh...”

 Përkthyer nga Robert Shvarc

Në mundsh ta ruash arsyen, kur bota humbet fillin

e fajin ty ta hedh dhe vetes t’i besosh,

sa herë tek ti dyshojnë e s’të përfillin

por edhe dyshimet drejt t’i gjykosh...

Në mundsh të rrish në pritje, nga pritja pa u lodhur,

e, kur t’urrejnë, urrejtje mos t’ushqesh,

madje, ndaj shpifjeve të rrish pa folur,

me thjeshtësi, me to pa rënë ndesh...

Në mundsh t’mendosh, por jo gjer në shkatrrim,

të ëndërrosh, por jo si rob ëndërrimesh,

dhe t’i trajtosh njëlloj e pa dallim

ngadhnjim e shpartallim burim mashtrimesh. ..

Në durofsh dot thëniet e tua të drejta

në kurthe për trutharët, kopuket që t’i kthejnë,

t’i shohësh të thyera gjërat më të shtrenjta

e prapë t’i ndërtosh me vegla që nuk vlejnë...

Në mundsh fitoret që ke korrur t’i flijosh

si në kumar, në një të vetme lojë,

të rrezikosh, të humbasësh e prapë t’ia fillosh,

dhe humbjen kurrë të mos e zesh në gojë...

Në i detyrofsh dot muskul, nerv e puls e zemër

të të shërbejnë edhe kur gjithçka duket e kotë,

e të qëndrosh kur s’ke asgjë më veç vullnetit,

që vetëm fjalën “Qëndro!” gjithmonë të thotë...

Në mundsh të flasësh me maskarenj, por nderin tënd ta ruash

e t’ecësh përkrah mbretit pa krenari që të verbon...

Nëse armiku apo miku s’të bëjnë dot të vuash,

dhe gjithkend e çmon, por veç sa meriton...

Në mundsh t’i mbushësh ti minutat aq të renda

me vepra që peshojnë

dije dhe mos kij asnjë dyshim,

se jotja do të jetë Bota, me ç’ka brenda,

dhe BURRË do të jesh, o biri im!

Lexoji të dy përkthimet e edhe të tjera e, “Në mundç”, lexoje në origjinal, në gjuhën angleze, e atëherë “do të mund” të japësh një gjykim të drejtë për poezinë e edhe për përkthimin! E akoma, në mundç, bëje provë ta përkthesh vetë…








All the contents on this site are copyrighted ©.