2015-12-30 13:30:00

Atë Lombardi: një vit i Françeskut. Gëzime e dhimbje të një kishe për udhë…


Kishë për udhë. Papnia e Françeskut në 2015-tën sanksionoi “autoritetin global”, përmes shtegtimeve apostolike, gjatë të cilave shkeli pothuajse në të gjithë kontinentet, si dhe fjalëve drejtuar autoriteteve dhe lëvizjve popullore. Një 2015 ngarkuar me gëzime e dhimbje, ky vit i Papës, për  atë Federico Lombardin, sipas një bisede me Adnkronos, gjatë së cilës vë në dukje etapat më domethënëse të këtij viti të papnisë.

“Çka më prek më shumë nga ky vit, që po përfundon, vëren Atë Lombardi, është përmasa, e bërë tashmë globale, e papnisë së Françeskut. Është globale, mënyra sesi flet në selitë institucionale (mendoj për fjalimin e tij në OKB), por edhe para lëvizjeve popullore, duke ripohuar një vizion të botës, që nuk duhet parë vetëm nga qendra, por edhe nga periferia. I ardhur nga Buenos Ajres, preku praktikisht të gjitha kontinentet, me përjashtim të Australisë.

Në SHBA Papa foli para asamblesë së Kombeve të Bashkuara: ndryshimet klimaterike dhe lufta kundër përjashtimit ekonomiko-shoqëror, ishin në qendër të fjalimit të pritur me ovacione, shoqëruar me thirrjen drejtuar qeveritarëve për shtëpi, tokë e punë për të gjithë! Në Kongresin e SHBA-ve la pas një mesazh të fuqishëm, duke kërkuar heqjen e dënimit me vdekje  dhe ndalimin e tregtisë së armëve.

Në nëntor, Papa shkoi në Afrikë, me etapa në Kenia, Ugandë e në Afrikën Qendrore, ku hapi Portën Shenjte të Bangui, me të cilën i parapriu hapjes së Jubileut kushtuar Mëshirës. Pikërisht gjesti simbolik, që bëri Françesku në Bangui, shpjegon atë Lombardi, shprehu gëzimin e tij të madh. Hapja e kësaj Porte Shenjte pati një domethënie të jashtëzakonshme, e po ashtu, edhe figura e bardhë e Papës Françesku me imamin, bashkë në papamobil.

Gëzime e dhimbje, figura simbolike të një 2015-te të stërngarkuar me ngjarje, por edhe me situata, që i shkaktuan Papës shqetësime jo të pakta. Papunësia e të rinjve, atentatet, lufta botërore copa-copa e vende-vende, të cilën e kujton shpesh, për të denoncuar manifestimet e shumta të së keqes, janë, pa asnjë dyshim, gjemba në zemrën e Papës - nënvizon atë Lombardi.

Zëdhënësi i Vatikanit kujton edhe shtegtimet apostolike të Atit të Shenjtë gjatë vitit 2015. Etapa, që i krijuan Papës kushtet të shkelë tashmë në të gjitha Kontinentet: në Filipine, gjatë janarit; në Sarajevë, më 6 qershor (një ditë e vetme, po sa prekëse, vëren). Në korrik, Papa u çoi rreze të vërteta shprese popujve të Amerikës Latine, duke shkelur në viset më të varfëra të Kontinentit; Ekuador, Bolivi, Paraguaj.

Shtegtimi më i gjatë i Papës Bergoglio ishte ai në SHBA, shtatorin e kaluar. E para, etapa kubane. Papa, që pati rol themelor në rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet SHBA-ve e Kubës, rol i dorës së parë, i njohur edhe nga Obama e Castro, duke kremtuar Meshën në Plaza de la Revolucion, kujtoi se “nuk duhet t’u shërbehet idelogjive, por njerëzve”.

2015-ta është edhe vit i Enciklikës “Lëvduar qofsh!”. Përgjigje - nënvizon zëdhënësi i Vatikanit - me horizont global, në të cilën Papa Françesku vuri në dukje konceptet e dinjitetit, të drejtësisë e të paqes. Posaçërisht me enciklikën, kujdesi për gjithësinë fitoi një përmasë të përplotësuar. E tri temat e lidhura me të varfërit, paqen e kujdesin për gjithësinë - kumtuar nga Françesku si karakteristika të Papnisë së tij - që nga  zgjedhja e emrit- janë bërë tashmë një pohim sistematik e unitar. Kishë e vënë për udhë, kjo e Papës Françesku, siç mund të shihet edhe përmes reformave, që po i çon sistematikisht përpara, duke nisur vetëm një muaj pas zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit.

“Ky i Papës, vëren zëdhënësi i Vatikanit, nuk është projekt në përfundim, Është udhë, në të cilën do të bëhen edhe shumë hapa të tjera. Siç ndodhi në rastin e dialogut ekumenik, ashtu edhe në dialogun me hebrenjtë e me myslimanët. “Duke shkuar në xhaminë e Bangui, kujton në përfundim Atë Lombardi, Papa bëri një gjest shumë të fortë, në një vend kritik, ku dialogu është jashtëzakonisht i vështirë”.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.