2015-12-29 17:14:00

Kthimi i djalit plangprishës, zemra e medaljes së Jubileut


Duke nisur nga 4 janari 2016 do të jetë gati medalja zyrtare e Jubileut  të jashtëzakonshëm të Mëshirës, pranë Admnistratës së Pasurisë të Selisë Apostolike të Qytet-Shtetit të Vatikanit si dhe selive të ndryshme të Librarive të Vatikanit.

Është mëshira e pafundme e Atit, që i fal bijtë e tij, e shtypur mbi medaljen zyrtare të Jubileut të Mëshirës. Medalje që, në 50 milimetra diametër, përfshin simbole e fjalë themelore për jetën e çdo të krishteri e të kujton menjëherë  domethënien e thellë, që Papa deshi t’i japë Vitit Shenjt. Në njërën anë, medalja, vepër e artistes 33 vjeçare Mariangela Crisciotti, paraqet stemën e Papës Françesku, rrethuar me shkrimin në gjuhën latine Iubilaeum Extraordinarium Misericordiae - Jubileu i Jashtëzakonshëm i Mëshirës, poshtë emrit të artistes. Anës, shkrimi E Civitate Vaticana, “Nga Qyteti i Vatikanit”, me numrin e medaljes.

Në qendër të medaljes, “Kthimi i djalit plangprishës” i Rembrandit

Në anën tjetër, spikat një hollësi e pikturës së famshme të Rembrandit, “Kthimi i djalit plangprishës”, frymëzuar nga shëmbëlltyra e Atit të Mëshirshëm, sipas përshkrimit të Ungjillit të Lukës. Posaçërisht domethënës, fakti që duart e atit mbi supet e të birit kanë formë të ndryshme: njëra është tipikisht mashkullore, tjera, femërore, si të donte të tregonte se për të falur fal Ati, por edhe se kjo falje kalon përmes shërbimit të Kishës. Përreth kësaj hollësie, shkrimi In Aeternum Misericordia Eius “E amshuar është Mëshira e Tij”. Refren, ky, që përsëritet pas çdo vargu të Psalmit 136 e që citohet nga Françesku tri herë në Misericordiae Vultus, Bula e shpalljes së Jubileut.

Medalja ngërthehet një kornizë të pasur me simbole të krishtera

Secila medalje shoqërohet me një çertifikatë garancie, me numër e me vulën e thatë të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, të Institutit Poligrafik  dhe të institucionit ku priten paratë e Shtetit Italian. Medalja ngërthehet në një skulpturë, derdhur në bronz, vepër e skulptores Daniela Fusco, stolisur në të dyja anët me vile rrushi, që simbolizojnë Eukaristinë dhe kujtojnë Popullin e Zotit, “Vreshtin e Hyjit”, e me një pallua, që në ikonografinë e të krishterëve të parë, simbolizonte ringjalljen dhe jetën e pasosur. Jetë  e amshuar, ashtu si e amshuar është edhe mëshira e Atit.








All the contents on this site are copyrighted ©.