2015-12-29 18:26:00

Jubileu në Nazaret: “Festë e madhe, por me pak shtegtarë”


“Jashtëzakonisht prekës, Jubileu në Nazaret. Festë e bukur, me shumë pjesëmarrje të vendasve, por me pak shtegtarë. Gjithsesi e ndjerë. E pjesa më e madhe kërkuan të rrëfehen, shenjë që tregon se e kanë kuptuar mesazhin kryesor të Jubileut të Mëshirës”. Kështu e komenton Vëllau Marco Cosini, i vëllezërve të vegjël të Jesus Caritas, hapjen e Portës Shenjte në Bazilikën e Lajmërimit të Zojës, në Nazaret, të nesërmen e Jubileut të Familjeve.

Të shikosh Nazaretin, shton, do të thotë të rikrijosh me fantazi vendin ku jetoi Jezusi, e edhe vetë jetën e Zotit, pranë Marisë e Jozefit. Familje normale, jetë e ngarkuar me punë, me marrëdhënie njerëzore familjare ndërmjet fëmijës e prindërve e, sigurisht edhe me ndonjë tension. Por kjo familje mbetet model për të gjithë. Është busull, që u prin familjeve në drejtimin  e duhur, shpjegon vëllau Marco, duke shtuar: “Në këtë çast frika është shumë e përhapur, kështu portat e familjeve janë gjysëm të mbyllura, ndonëse nuk mungojnë si të krishterët, ashtu edhe myslimanët, që ia hapin zemrën tjetrit, me etni e fe të ndryshme. Ne përpiqemi të jemi vend mikpritës, me një portë gjithnjë të hapur, ku të pret përherë një vend i përshtatshëm për meditim e lutje.

E, më pas, tregon një episod të ndonjë dite më parë:

“Pak ditë më parë erdhi të na takonte një vajzë, që studion në njërin nga universitetet hebraike. Erdhi e shoqëruar me një mike druze e një myslimane. Ishte çast prekës. Vajzat i vizituan me kureshtje të madhe vendet tona të lutjes, duke reaguar me shumë simpati. E së fundi edhe u përqafuan”.

E pas përqafimit, rregulltari kujton, për fat të keq, edhe thikat:

“Intifada e thikave dhe pjesa tjetër e Lindjes së Mesme në valim, shkakton, si përgjigje, një mosbesim reciprok. Asnjë popull, asnjë histori nuk është pa çaste kontradiktore. Prej këndej duhet, sot, më shumë se kurrë, falja, që e kanë të përbashkët të gjitha fetë e që Jezusi e bëri armë të një revolucioni të madh”.

A ka shtegtarë?

“Jetojmë një periudhë pakësimi të shtegtarëve. Arsyeja kryesore është frika, që e ndalon shumëkënd të vihet për udhë. Të rrallë, pra, shtegtarët. Ata, që vijnë, janë njerëz shumë të përgatitur. Periudhë e vështirë për ata, që jetojnë këtu e që kanë investuar në sektorin e shtegtimeve".

Një urim për Vitin Shenjt?

 “Pranimi i fytyrës përdëllyese të Atit, që është Jezusi. Për të kuptuar se Zoti është atë e amë. Por për këtë ndoshta duhet një jetë e tërë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.