2015-12-29 18:22:00

Imzot Dodë Gjergji: ta përmirësojmë së bashku gjendjen në Kosovë


Ipeshkvi imzot Dodë Gjergji në homelinë e Krishtlindjes u ndal te realiteti sotëm në Kosovë, duke kërkuar t’i ngjajmë më shumë  të Lumes Nënë Terezë, për të përmirësuar situatën e vendit dhe të qytetarëve të saj. 

Reflektim nga kremtimi i Krishtlindjes në Kosovë

Drita e gëzueshme zbriti në tokë, e në zemrat tona lindi Foshnja hyjnore, Krishti fëmijë. Ai lindi në Kosovë për t'i dhënë Shëlbimin popullit të saj, një reflektim shprese, paqeje e dashurie mes njerëzve pa dallim besimi. Dëshmi e gjallë per Krishtlindjen ishte kremtimi në rezidencën e Ipeshkvisë së Kosovës, në pritjen solemne të Imzot Dodë Gjergjit. Erdhën për të përgëzuar, presidentja Atifete Jahjaga, myftiu  Naim Ternava, deputetë, ministra e të pranishëm të tjerë vullnetmirë.

Atmosferë edhe më madhështore ishte në mesnatë në Katedralen ‘Nënë Tereza’ në Prishtinë, e cila ishte për plotë e mbushur, me meshtarë, motra, besimtarë e qytetarë tjerë, përfshirë edhe ndërkombëtarë e bashkatdhetarë të ardhur për festat e fundvitit. Meshën solemne të mesnatës, e kremtoi Imzot Dodë Gjergji në bashkëmeshim me një numër të madh meshtarësh. 

Në fjalën e tij të rastit duke folur për veçantit e Krishtlindjes tha se, “Zoti është Drita që ka zbritur prej Qiellit, për ta shndritur çdo njeri, dhe gjithë ata që besojnë janë të shndritur prej kësaj Drite, e në shkëlqimin e kësaj Drite ne arrijmë ta njohim fytyrën e dhembshme dhe të mëshirshme të Zotit tonë”.

Kjo e vërtetë, bën që tek çdo njeri të ketë këndellje të shpirtit dhe prej të gjithëve kërkon që t’i bindemi frymëzimit të Shpirtit Shenjt, të  jemi zemërbutë e të përvuajtur si Krishti dhe të durueshëm e të mëshirshëm si Ati. 

Këtë gjë më së miri tha ai, “e ka kuptuar Gonxhe Bojaxhiu, kjo vajzë e ndershme e popullit tonë, e cila sa ma fortë e përqafonte Krishtin, aq më shumë mbushej zemra e saj me dashuri për të varfëritë. Sa më shumë u shërbente të varfërve me dashuri, përkushtim dhe përvujtëri, aq më shumë nxite vëmendjen e njerëzve vullnetmirë dhe rrëmbente zemrat e tyre, deri në atë masë, sa e gjithë bota vendosi ta quante Nënë”. 

Sipas vendimit të Papa Françeskut,  që nga viti i ardhëm kjo Nënë e të Varfërve, nuk do të jetë  më vetëm e Lume, por do të jetë “Nëna e Shenjtë Terezë”, tha ipeshkvi duke shtuar se me shpalljen Shenjte të Nënë Terezës dhe me kanonizimin e Martirëve të Shqipërisë, viti i ardhëm, që është Viti i Mëshirës, do të jetë vit hiri për gjithë botën, por sidomos për ne shqiptarët, sepse do të kemi ndërmjetësit tanë në Qiell, dhe jo vetëm që ne i lutemi Zotit në gjuhën tonë të dashur shqipe, por me Martirët e Komunizmit dhe Shenjtërimin e Nënë Terezës edhe në qiell do të flitet shqip!!!

Gjatë fjalës së tij, ipeshkvi ktheu vëmendjen edhe në realitetin e sotëm aktual në vend duke thënë se po t’i ngjanim më shumë  të Lumes Nënë Terezë sot në një tjetër situatë do të ishte Kosova dhe qytetarët e saj, prandaj tha ai t’i  lutemi Atit, që të gjithë t’i përngjajmë nga pak Nënë Terezës, sepse në këtë mënyrë, në Kosovën tonë të dashur, do të ketë më shumë përgjegjësi qytetare, më shumë mirëkuptim mes njerëzve, më shumë barazi dhe më shumë respekt për njeri-tjetrin.

Po në Katedralen ‘Nënë Tereza’, Imzot Dodë Gjergji celebroi edhe meshën e Familjes Shenjte të dielën e parë të Krishtlindjes. Si zakonisht doli porosia që Familja Shenjte e Nazaretit duhet të jetë model, fundamend dhe pasqyrë për familjet e botës tokësore, përkatësisht për familjet tona shqiptare. Secila shtëpi e krishterë tha ai është një kishë e vogël ku thuhet urata e bëhet lutja në familje për dashuri e bashkëjetesë të lumtur, ndërsa në kishë vijmë për t’i bashkuar lutjet e uratat me besimtarët tjerë, drejtuar Zotit tonë, Jezu Krishtit.

 Me respekt, Mrika 








All the contents on this site are copyrighted ©.