2015-12-27 17:45:00

Françesku të rinjve të Tezesë: të jini oazë mëshire, solidariteti, mikpritjeje


 “Të bëheni oazë mëshire, posaçërisht për mijëra emigrantë, që kanë nevojë të mirëpriten”. Janë fjalët e Papës në një mesazh, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, drejtuar 30 mijë të rinjve, mbledhur në Valencia të Spanjës, për takimin e 38-të të Bashkësisë Ekumenike të Tezesë, që do të fillojë nesër e do të përfundojë më 1 janar.

Papa, lexohet në mesazh, e vlerëson zgjedhjen e të rinjve për ta thelluar, në takimin e tyre vjetor, temën e Mëshirës dhe i falënderon për angazhimin në këtë drejtim, me të gjitha forcat krijuese dhe fantazinë, karakteristike për moshën tyre rinore. “Edhe ju, vijon mesazhi, dëshironi që Mëshira të manifestohet në të gjitha përmasat, duke përfshirë edhe ato shoqërore. Papa ju inkurajon të vijoni këtë udhë e të keni guximin e Mëshirës, që do t’ju ndihmojë ta fitoni jo vetëm për vete, por edhe për të qenë gjithnjë pranë atyre, që kalojnë vështirësi. Ju e dini se Kisha është këtu, e pranishme për mbarë njerëzimin, e se aty, ku janë të krishterët, secili duhet të gjejë një oazë mëshire. E kështu mund të bëhen edhe bashkësitë tuaja”.

Françesku, së fundi, kujton vëllain Roger, themelues i Bashkësisë së Tezesë: ai i donte të varfërit, të pafatët, ata, që për sytë e botës, nuk vlejnë fare, e diti të tregojë, me jetën  e tij, se lutja e solidariteti njerëzor shkojnë krah për krah.

“Përmes përvojës suaj të solidarietit e të mëshirës, përfundon Papa, uroj ta jetoni këtë lumni kaq të pasur me domethënie, për të cilën ju thërret zëri i Ungjillit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.