Benedikti XVI: Shën Gjoni Apostull e Ungjilltar është dishepulli që shpalli se
‘Zoti është dashuri”.
Sot me 27 dhjetor, Kisha përkujton Shën Gjonin Apostull e Ungjilltar, të cilit Benedikti
XVI i kushtoi tre katekizma gjatë verës së vitit 2006.
Shën Gjoni Ungjilltar – pohon Papa Ratcinger – nuk është teorik: e takoi Jezusin,
Zot të vërtetë e njeri të vërtetë, e këtë përvojë konkrete dëshiron t’ua komunikojë
edhe të tjerëve. Ai është i pushtuar nga dëshira paradoksale për të bërë të dukshme
të padukshmën, prandaj nuk mund të heshtë e të mos flasë për ç’ka parë e dëgjuar,
edhe përballë atyre që e persekutojnë
Pikërisht kjo çiltërsi në dëshmimin e fesë, mbetet shembull për të gjithë ne e na
kujton se duhet të jemi përherë gati për ta dëshmuar burrërisht bashkimin tonë të
patundur me Krishtin, duke ia kundërvënë fenë çdo llogarie e interesi njerëzor.
Gjoni, me intuitë shkreptimtare, shpall se Zoti është dashuri, dashuri që Hyji e shprehu
konkretisht në Jezusin.
E Krishti nuk u mjaftua me fjalë, por kaloi nga fjalët, tek veprat, duke e paguar
me kokë, impenjimin e tij, ashtu siç shkruan edhe Shën Gjoni: “Hyji e deshi aq shumë
botën, dmth të gjithë neve, sa të dhuronte Birin e tij të vetëm (Gjn. 3, 16). E dashuria
e Hyjit për njerëzit konkretizohet e dëftohet në dashurinë e vetë Krishtit. E Gjoni
vijon të shkruajë: “Jezusi, pasi i deshi të tijtë që ishin në botë, i deshi deri në
fund të fundit”. … Ja deri ku arriti dashuria e Jezusit për ne: deri në derdhjen e
gjakut të vet për shëlbimin tonë! I krishteri, duke kundruar këtë provë të dashurisë,
nuk mund të mos e pyesë veten se si duhet t’i përgjigjet.
Gjoni flet për urdhërimin e ri të Jezusit: ‘Duajeni njëri-tjetrin, ashtu si ju desha
unë. Kështu – nënvizon Papa - dashuria bëhet vërtetë e krishterë, sepse është dashuri
për të gjithë, pa kurrfarë dallimi e edhe sepse arrin deri në pasojat më të skajshme,
duke mos pasur masë tjetër, veçse mungesën e çdo lloj mase.
Këto fjalë të Jezusit: ‘Siç ju desha unë’- na ftojnë e njëkohësisht na shqetësojnë:
janë cak kristologjik që mund të duket i paarritshëm, por njëkohësisht janë edhe nxitje
që nuk na lë të biem në plogështi, të kënaqemi me vetveten, por na shtyn të ecim vazhdimisht
drejt këtij caku.
Papa flet për Gjonin, autorin e ‘Zbulesës’, që na zbulon kuptimin e gjithë historisë
e cila, përndryshe, do të mbetej e pakuptuar: vegimtari i Patmosit i shkruan vegimet
e tij të mëdha: themelor është vegimi i Qengjit të therur, që qëndron drejtë në këmbë,
në mes të fronit, ku është ulur vetë Hyji.
Jezusi, Biri i Hyjit, në këtë tokë është Qengj i pambrojtur, i plagosur, i vdekur.
E megjithatë, qëndron drejt në këmbë, para fronit të Hyjit dhe merr pjesë në pushtetin
hyjnor. Ai e ka në dorë historinë e botës. E kështu vegimtari dëshiron të na thotë:
“Kini besim në Jezusin, mos u trembni nga pushtetet kundërshtare, nga persekutimet.
Qengji i plagosur e i vdekur fiton! Ndiqeni Qengjin Jezus, besojini Jezusit, merrni
rrugën e tij! Edhe pse në këtë botë është vetëm një Qengj, që duket i ligshtë, ai
është fitimtari!
Papa na fton t’i ngjasim Gjonit, i cili mbështet kokën mbi kraharorin e Mjeshtrit
gjatë Darkës së Mbrame:“Zoti na ndihmoftë të ulemi në bankat e shkollës së Gjonit
për të nxënë mësimin e dashurisë, për ta ndjerë se Krishti na do ‘deri në fund të
fundit’ e për ta shkrirë jetën për të.
All the contents on this site are copyrighted ©. |