2015-12-27 12:22:00

Jubileu i familjes. Papa: familja, “vend i zgjedhur për falje”


Në kuadrin e Vitit të Shenjtë të Mëshirës Hyjnore, Papa Françesku kremtoi sot në Vatikan, Meshën për Jubileun e Familjeve, dhe kërkoi “të mos e humbasin besimin në familje”, sepse “brenda tyre edukohemi në falje e pajtim”.

Shtegtimi dhe jeta e përditshme, dashuria dhe falja, çastet e gëzimit e të trishtimit: në ditën e Festës së Konakut Shenjt, Papa Françesku, në homelinë e mbajtur gjatë Meshës kryesuar me këtë rast në Bazilikën e Shën Pjetrit, kujtoi shtegtimin e Marisë e të Jozefit me Jezusin në Jeruzalem, duke nënvizuar: “Shtegtimi nuk përfundon kur arrihet caku, shenjtërorja, por kur kthehesh në shtëpi e rifillon jetën e përditshme”. E pastaj, inkurajimi i fortë: “Të mos e humbasim besimin në familjen!!”. Por, ta ndjekim homelinë e Atit të Shenjtë, një mësim i çmuar për secilin prej nesh e për familjet tona:

“Leximet Biblike që dëgjuam, na paraqitën figurën e dy familjeve, të cilat shtegtojnë kah shtëpia e Zotit. Elkana e Anna çojnë të birin, Samuelin, në  tempullin e Silo-s e ia kushtojnë Zotit (cfr 1 Sam 1,20-22.24-28). Në të njëjtën mënyrë, Jozefi e Maria, për festën e Pashkëve, shtegtojnë në Jeruzalem së bashku me Jezusin (cfr Lk 2,41-52).

Shpesh i kemi parasysh shtegtarët, që shkojnë në shenjtëroret e në vendet e shenjta, të dashura për përshpirtërinë popullore. Këto ditë shumëkush vihet për udhë për të arritur tek Porta Shenjte e hapur në të gjitha katedralet e botës e edhe në shumë shenjtërore. Por gjëja më e bukur që Fjala e Zotit na e vë sot në dukje, është se gjithë familja e kryen së bashku shtegtimin. Babai, nëna, fëmijët, së bashku, shkojnë në shtëpinë e Zotit për ta shenjtëruar festën me lutje. Është mësim i rëndësishëm, që u jepet edhe familjeve tona.

Sa mirë na bën të mendojmë se Maria e Jozefi e mësuan Jezusin të thotë lutjet! E të dimë se gjatë ditës luteshin së bashku, e se, pastaj, të shtunën, shkonin së bashku në sinagogë, për të dëgjuar Shkrimet e Ligjit e të Profetëve e për ta lavdëruar Zotin së bashku me gjithë popullin. E sigurisht, gjatë shtegtimit drejt Jeruzalemit, luteshin duke kënduar me fjalët e Psalmit: “Sa gëzim pata kur më thanë: ‘Do të shkojmë në shtëpinë e Zotit! Tashmë këmbët tona ndalen në portat tuaja, Jeruzalem!” (122, 1-2).

Sa e rëndësishme është për familjet tona të ecësh së bashku e të shkosh drejt të njëjtit cak! E dimë se kemi një udhë të përbashkët për të bërë; një udhë, gjatë së cilës jetojmë çaste vështirësish, por edhe çaste gëzimi e ngushëllimi. Në këtë shtegtim të jetës, ndajmë bashkë edhe çaste lutjeje. Ç’gjë mund të jetë më e bukur për një atë e për një nënë, sesa t’i bekojnë fëmijët tyre në ag të ditës, e në muzg të saj. T’u bëjnë shenjën e kryqit në ballë, si në ditën e Pagëzimit. Thua nuk është kjo lutja më e thjeshtë e prindërve për fëmijët e tyre? T’i bekojnë, domethënë t’ia besojnë Zotit, që të jetë Ai mbrojtja dhe mbështetja e tyre në çaste të ndryshme  të ditës. Sa rëndësi ka për familjen të mblidhet për një çast të shkurtër lutjeje, ulur rreth sofrës, para se të hanë bukë së bashku, për ta falënderuar Zotin për këto dhurata e për të mësuar ta ndajnë atë, që morën, me të tjerët, të cilët kanë më shumë nevojë. Janë të gjitha gjeste të vogla që, megjithatë,  vënë në dukje rolin e madh formues të familjes.

Në përfundim të këtij shtegtimi, Jezusi u rikthye në Nazaret nën dëgjesë të prindërve të tij (cfr Lk 2,51). Edhe kjo figurë përmban një mësim të bukur për familjet tona. Shtegtimi, në të vërtetë, nuk përfundon kur arrihet caku, shenjtërorja, por kur rikthehesh në shtëpi e rifillon jetën e përditshme, duke i vënë në jetë frytet shpirtërore të përvojës së jetuar. E dimë të gjithë ç’bëri Jezusi atëherë. Në vend që të kthehej në shtëpi me të vetët, u ndal në Jeruzalem, në Tempull, duke i shkaktuar një shqetësim të madh Marisë e Jozefit, që nuk e kërkonin e nuk e gjenin gjëkundi. Për këtë ‘ikje’, ndoshta edhe Jezusi duhej t’i lypte të falur prindërve të tij. Ungjilli nuk na e thotë, por besoj se mund ta  marirm me mend. Në pyetjen e Marisë, ndërkaq, ndjehet një farë qortimi, që e vë dhe më shumë në dukje shqetësimin dhe ankthin e saj e të Jozefit. Duke u kthyer në shtëpi, Jezusi shtrëngohet, natyrisht, pas tyre, për t’u dëshmuar gjithë dashurinë e tij, gjithë bindjen.

Në Vitin e Mëshirës, çdo familje e krishterë mund të bëhet vend i privilegjuar, në të cilin provohet gëzimi i faljes. Falja është thelbi i dashurisë, që di ta kuptojë gabimin e edhe t’ia gjejë ilaçin. Në gjirin e  familjes njeriu edukohet të falë, mbasi është i sigurtë se kuptohet e ndihmohet, pavarësisht nga gabimet, që mund të bëjë.

Mos ta humbasim besimin në familjen! Është bukur t’ia hapim gjithnjë zemrën njëri-tjetrit, pa i fshehur asgjë. Ku ka dashuri, aty ka edhe mirëkuptim e falje. Jua besoj  ju të gjithëve, familje të dashura,  këtë mision kaq të rëndësishëm, për të cilin bota e Kisha kanë më shumë nevojë se kurrë”. (tekst i plotë 27 dhjetor 2915)








All the contents on this site are copyrighted ©.