Shtjefni, i nderuar si nga Kisha katolike, ashtu edhe ajo ortodokse, është martiri
i parë i krishterimit, i pari që dha jetën për të dëshmuar fenë në Krishtin dhe për
përhapjen e Ungjillit.
Rrëfimin mbi martirizimin e tij e gjejmë në ‘Veprat e Apostujve’, ku mësojmë se ai
ishte thirrur për t’u shërbyer nxënësve të Krishtit e se u mbyt me gurë, në praninë
e Palit të Tarsit (Saulit), para se të kthehej në fe të Krishtit.
Sipas një gojëdhëne, në vitin 415 një meshtar me emrin Luçian, deklaroi se kishte
gjetur trupin e shenjtit pranë Jerusalemit, pasi i qe treguar në ëndërr vendi i varrosjes.
Tradita u përhap me shpejtësi në botën latine e greke, ashtu si edhe reliket e Shenjti
të parë martir, shumë nga të cilat nuk kishin të bënin fare me të. Gjithsesi kjo ndikoi
shumë mbi përhapjen e kultit. Historitë e ndryshme, që kanë të bëjnë me gjetjen e
trupit të tij, rivarrosjen në Kostandinopojë e më pas në Romë, tregohen me hollësi
në ‘Legenda Aurea (kap. CXII).
Shën Shtjefni, me shembullin e tij të jashtëzakonshëm, i kujton secilit nga ne se
martirizimi i krishterë është thjeshtë akt dashurie për Hyjin e për njeriun.
U mbyt me gurë në portat e qytetit e vdiq, si Jezusi, duke iu lutur Zotit t’i falte
vrasësit e tij, duke dëshmuar se është dashuria hyjnore ajo që e lidh Krishtin me
martirin e tij të parë. Po ajo dashuri që e shtyu Birin e Hyjit të bëhej njeri e të
bindej derisa vdiq në kryq. Po ajo dashuri – që i shtyu më pas edhe Apostujt e martirët
të japin jetën për Ungjillin. Duhet vënë gjithnjë në dukje kjo karakteristikë dalluese
e martirizimit të krishterë, si akt dashurie për Hyjin e për njerëzit, duke përfshirë
edhe persekutorët. Prandaj të krishterët i luten Zotit t’i mësojë për t’i dashur edhe
armiqtë, sipas shembullit të Shën Shtjefnit që, duke vdekur, u lut për persekutorët
e tij.
Sa bij e bija të Kishës, në rrjedhë shekujsh e ndoqën hap pas hapi këtë shembull.
Është një dëshmi që nis gjatë persekutimit të parë në Jerusalem e vijon me radhët
e gjata të martirëve, deri në ditët tona.
Shpesh herë edhe sot nga vise të ndryshme të botës vijnë lajme që flasin për misionarë,
meshtarë, ipeshkvij, rregulltarë, rregulltare e besimtarë laikë të persekutuar, të
burgosur, të torturuar, të privuar nga liria ose të penguar në ushtrimin e saj, vetëm
e vetëm pse janë nxënës të Krishtit e apostuj të Ungjillit; nganjëherë njerëzit vuajnë
e vdesin edhe për shkak të bashkimit me Kishën universale e të besnikërisë ndaj Papës,
duke aktualizuar fitoren e dashurisë mbi urrejtjen e mbi vdekjen.
Festa e Martirit të parë të krishterimit kremtohet më 26 dhjetor, do të thotë menjëherë
pas Krishtlindjes.
Shën Shtjefni është Pajtor i shumë qyteteve, katedraleve e kishave nëpër botë. Vetëm
në Shkodër i kushtohen dy katedrale: katedralja e Qytetit të Veriut e katedralja historike
në Kështjellën Rozafa, ku çdo vit më 26 dhjetor, Mesha përkujtimore, në praninë e
një numri të madh besimtarësh, kremtohet mbi rrënojat e lashta. Këto rrënoja na kujtojnë
se shqiptarët luftonin nga këto ledhe kreshnike, duke shpalosur flamujt me figurën
e Shenjtit Pajtor, Shtjefnit martir, në sa edhe ata vetë ishin shumë pranë martirizimit
për mbrojtjen e Shqipërisë e të Evropës së krishterë. Shën Shtjefnit i kushtohen edhe
një mori veprash arti, që e paraqesin duke pësuar martirizimin aq dramatik. Ndërmjet
tyre njihet botërisht një nga kryeveprat e Gjotos kushtuar pikërisht Shën Shtjefinit.
Zbulim arkeologjik: në Ramallah vendvarrosja e Shën Shtjefnit
Arkeologu palestinez Salah Hussein al Hudeliyya, në krye të skuadrës së studiuesve
të angazhuar në fushatën e gërmimeve dhe të kërkimeve pranë zonës arkeologjike të
Khirbert El Tireh (dy kilometra larg nga qyteti palestinez i Ramallahut) konfirmoi
rigjetjen e gjurmëve, që krijojnë mundësitë për ta idetifikuar këtë zonë arkeologjike
me vendvarrosjen e Shën Shtjefnit, martir i parë i krishterë. Kërkimet, realizuar
nga arkeologë palestinezë dhe izraelitë, që bëjnë pjesë në një projekt të mbështetur
nga Al Quds University, janë përqendruar rreth mbetjeve të një kompleksi të madh bizantin,
që përfshin një kishë e një manastir. “Në një nga mjediset e studiuara, deklaroi arkeologu
në mediat vendase, rimarrë nga agjencia Fides, u ndeshëm me një mbishkrim, që tregon
se kjo kishë u ndërtua për nder të apostullit e kryediakonit Shën Shtjefni, martir
i parë, varrosur këtu në vitin 35 pas Krishtit”.
Projekti i studimit do të krijojë kushtet për t’i vijuar kërkimet arkeologjike në
këtë zonë edhe për pesë vjet. Një seksion i gjerë i zonës arkeologjike i përket patriarkanës
greko-ortodokse të Jeruzalemit. Është e natyrshme ta parashikosh radhitjen e sitit
arkelogjik në itineraret e shtegtimit në Tokën e Shenjtë.
Nuk mund të mos kujtojmë se ky është lajm, që meriton edhe vëmendjen e shqiptarëve,
sidomos të shkodranëve, sepse i lidhur ngushtë me traditën e krishterë të qytetit,
që e ka zgjedhur pikërisht Shën Shtjefnin si Pajtor. Shën Shtjefnit i qe kushtuar
katedralja, ngritur për nder të martirit të parë në kështjellën e Rozafës; Shën Shtjefnit,
edhe katedralja e sotme e qytetit. Shtjefën e Stefan quhen shumë banorë katolikë,
që mbartin brezni në brezni kujtimin e Martirit të parë, varrosur në Khirbet El Tireh.
All the contents on this site are copyrighted ©. |