2015-12-26 15:16:00

Familjet, që luten së bashku, janë të forta e çojnë tek të gjithë gëzimin, që vjen nga Zoti


Familja që e jeton gëzimin e fesë e komunikon atë spontanisht, është kripa e tokës dhe drita e botës, është tharmi i shoqërisë. Në këtë festë kundrojmë imazhin e shembullin e Familjes Shenjte të Jezusit, Jozefit e Marisë. Leximet biblike, duke folur per familjen e Nazaretit, na ofrojnë elemente për të nënvizuar disa karakteristika themelore të familjes: lutjen, fenë, gëzimin.

Familje, që luten: Ungjilli na tregon dy mënyra për t’u lutur, njëra e rreme, ajo e fariseut që e di veten për të drejtë dhe tjetra, shumë më e vërtetë, ajo e publikanit të vetëdijshëm për mëkatet e veta. Në dritën e kësaj Fjale, duam te pyesim, të dashura familje: a lutemi ndonjëherë në familje? Ndokush po, e dimë. Por shumë thonë: e si bëhet kjo? Bëhet, siç bëri publikani, është e qartë: me përvujtëri, para Zotit. Secili, me përvujtëri, e lë veten ta shohë Zoti e i lutet të jetë i mirë me të, të vijë tek ne. Por, në familje, si i bëhet? Sepse duket sikur lutja është diçka personale e, pastaj, nuk gjejmë kurrë çastin e përshtatshëm, qetësinë, në familje… Po, është e vërtetë, por është edhe çështje përvujtërie, ta kuptojmë se kemi nevojë për Zotin, ashtu si publikani!

Të gjitha familjet kanë nevojë për Hyjin: të gjitha, të gjitha! Kemi nevojë për ndihmën e Tij, për forcën e Tij, për bekimin e Tij, për mëshirën e Tij, për faljen e Tij. E na duhet thjeshtësia: për t’u lutur në familje, duhet thjeshtësi! Të lusim së bashku “Atynën”, rreth tryezës, nuk është ndonjë gjë e jashtëzakonshme: është e lehtë. E të themi së bashku Rruzaren, në familje, është gjë shumë e bukur, na jep shumë forcë! E të lutemi edhe njëri për tjetrin: burri për gruan, gruaja për burrin, të dy bashkë për bijtë, bijtë për prindërit, për gjyshërit… Të lutemi njëri për tjetrin. Kjo është lutja në familje, e kjo e bën të fortë familjen: lutja.

Familja ruan fenë, sipas shembullit te Shën Palit Apostull, i cili në perëndim të jetës, thotë për vetveten: “E kam ruajtur fenë”. Por, ai nuk e ka ruajtur në ndonjë kasafortë e as nën tokë. Jeta e tij qe betejë e garë. Shën Pali, jo vetëm e mbrojti fenë, por edhe e dhuroi atë, prandaj vendimet e tij ishin të guximshme, shkoi në territore armiqësore, lejoi ta provokonin njerëz të largët, me kultura të ndryshme, foli me sinqeritet e pa frikë.

Edhe këtu, mund të pyesim: si e ruajmë ne vetë fenë? E mbajmë për vete, brenda familjes, si pronë private, apo dimë ta ndajmë me të tjerët me anë të dëshmisë, mikpritjes, duke ua hapur zemrën të tjerëve? Familjet e krishtera janë familje misionare… Janë misionare edhe në jetën e përditshme, duke bërë gjëra të zakonshme, por duke hedhur në gjithçka kripën dhe tharmin e fesë! Ta ruash fenë në familje, do të thotë të hedhësh kripën e tharmin e fesë në gjërat e përditshme.

Familja e jeton gëzimin – është karakteristika e tretë e familjes. Gjithë e dimë, se gëzimi i vërtetë nuk është sa për sy e faqe, nuk vjen nga sendet, që zotërojmë. Eh… do të na pëlqente të bëjmë një pyetje sot. E secili ta mbajë në zemër, ta çojë në shtëpi, si të ishte detyrë shtëpie, detyrë e të gjithëve. E përgjigjen, secili ta gjejë vetë. Sa gëzim ka shtëpia ime, shtëpia jote? Sa gëzim ka familja ime, familja jote? T’i japim vetes këtë përgjigje.
Gëzimi i vërtetë, mos të harrojmë, vjen nga harmonia e thellë ndërmjet njerëzve, që të gjithë e ndjejnë në zemër, që na bën ta jetojmë bukurinë e të qenit bashkë, të mbështetjes tek njëri-tjetri në udhën e jetës.

Në bazën e kësaj ndjenje gëzimi të thellë është prania e Zotit në familje, është dashuria e Tij mikpritëse, e mëshirshme, që respekton të gjithë. E sidomos, është një dashuri plot durim: durimi është virtyt i Hyjit e na mëson ta duam me durim njëri-tjetrin, në familje. Të kemi durim për njëri-tjetrin.
Familja, që e jeton gëzimin e fesë, e komunikon atë spontanisht, është kripa e tokës dhe drita e botës, është tharmi i shoqërisë. Në mbyllje, të lutemi para fugurës së Familjes Shenjte, duke i kërkuar të na e bëjë të dukshme veprën e Provanisë Hyjnore në jetën tonë të përditshme, t’i shndërrojë familjet në kisha shtëpiake, duke ua shtuar dëshirën e impenjimin për shenjtërimin e jetës.

O Familje Shenjte e Nazaretit,
ringjalle në shoqërinë tonë, vetëdijen
për karakterin e shenjtë e të padhunueshëm të familjes,
pasuri e paçmuar dhe e pazëvendësueshme.
Çdo familje të jetë banesë mikpritëse e mirësisë dhe e paqes.








All the contents on this site are copyrighted ©.