2015-12-23 17:43:00

Çmimi Karli i Madh Papës Françesku. Atë Lombardi: për angazhimin e tij në favor të paqes


Papës Françesku i jepet Çmimi Karli i Madh, të cilin Qyteti i Aquisgran-nës (Aachen) ua dorëzon personaliteteve të dalluara për rolin e tyre në favor të vlerave evropiane. Papa - lexohet në motivacion - i përcjell mesazhin e shpresës Evropës në një çast krize, që i ka kaluar në plan të dytë të gjitha fitoret e procesit të integrimit.

Citohen, posaçërisht, ndërhyrjet e Françeskut gjatë shtegtimit të tij Tij në Strasburg, nëntorin e vitit të kaluar. Papa, pohohet, është zëri i ndërgjegjes, që kërkon ta vërë njeriun në qendër, është autoritet moral i jashtëzakonshëm. Lidhur me Çmimin, që i jepet Papës, të dëgjojmë komentin e drejtorit të Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federico Lombardi:   

Përgjigje: - E dimë se Papa Françesku nuk ka pranuar kurrë çmime e as  nderime kushtuar personit të tij. Prandaj mund të themi se ky është akt krejt i jashtëzakonshëm  e mund edhe të pyesim pse e pranoi.  E pyeta, e m’u përgjigj se ky është çmim për paqen e ai, në këto kohë të ngarkuara me rreziqe për paqen në botë, flet shpesh edhe për Luftën e tretë botërore pjesë-pjesë e mendon se është themelore të flasësh për paqen, ta inkurajosh veprimtarinë për paqen. Kështu Papa nuk e shikon këtë Çmim si diçka, që i jepet atij vetë, për ta nderuar, por si rast për një mesazh të ri kushtuar angazhimit për paqen dhe drejtuar mbarë Evropës, kontinent, që duhet ta ndërtojë e të vijojë ta ndërtojë paqen brenda vetes e të ketë dhe një rol të madh për paqen në botë. Prej këndej është çmim për paqen, rast, që të lutemi gjithë bashkë për paqen, Papa e gjithë popujt dhe njerëzit vullnetmirë, që kanë etje, dëshirë, angazhim për ta parë Kontinentin dhe mbarë botën në paqe.

Ky, komenti i atë Lombardit, që kujton, në vijim, se ky çmim i është dhënë edhe Papës Gjon Pali II.  

E mjafton të  citojmë vetëm pak fjalë, thënë në përfundim të fjalimit, mbajtur nga Françesku në Europarlament, më 25 dhjetor 2014,  për ta kuptuar sa shumë e meriton Papa, e paqja, këtë Çmim:

“Të dashur Eurodeputetë. Ka ardhur koha ta ndërtojmë së bashku Evropën, që nuk sillet rreth ekonomisë, por rreth shenjtërisë së njeriut, rreth vlerave të patjetërsueshme; Evropën, që përqafon me guxim të kaluarën e saj, shikon me besim të ardhmen, për ta jetuar plot shpresë të sotmen.  Ka ardhur koha të hiqet dorë nga ideja e Evropës së trembur, të mbyllur në vetvete, për ta ngjallur e për ta  nxitur të ecë përpara Evropën protagoniste, Kontinentin e shkencës e të artit, të muzikës e të vlerave njerëzore. Evropën e fesë, Evropën, që kundron qiellin e ndjek idealet, Evropën, që  kujdeset për njeriun dhe e mbron; Evropën, që ecën mbi tokën e sigurt e të patundur, pikëmbështetje e çmuar për mbarë njerëzimin. Faleminderit!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.