2015-12-23 15:26:00

Në urimet e Krishtlindjes drejtuar Kuries Romake, Papa kujton lutjen e të Lumit Oscar Arnulfo Romero


Të hënën e kaluar Papa Françesku u takua me Kurien Romake, për shkëmbimin e urimeve të Krishtlindjes. Në fjalën që u drejtoi bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, kujtoi tre shenjtorë të mëdhenj, më të afërt në kohë: Agostinin e Iponës, Injacin e Lojolës dhe Vinçenc de Paolin. Më pas, edhe tre paraardhësit më të afërt në kohë: Palin VI, Gjon Palin II dhe Benediktin XVI. U ndal edhe tek një paraardhës tjetër, që papnoi tre shekuj më parë: Gjon Françesk Albani, Papa me origjinë shqiptare, që mbeti në kujtesën e popullit të Zotit si Papa i mëshirës.

Duke dashur ta bëjë sa më të kuptueshme madhështinë dhe misteriozitetin e veprës së Zotit, e sidomos, të mëshirës së Tij, Papa i ftoi të pranishmit, e me ta edhe ne, për të ndjekur lutjen e mrekullueshme, që zakonisht besohet se është e të Lumit Oscar Arnulfo Romero, por që u shqiptua për herë të parë nga kardinali John Dearden. Kujtojmë se ipeshkvi amerikan Dearden, i krijuar kardinal më 1969, qe një nga protagonistët e përtëritjes konciliare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Por, të ndjekim lutjen:

“Nganjëherë Zoti na ndihmon të bëjmë një hap mbrapa e të shikojmë nga larg.

Mbretëria e Tij është jo vetëm përtej përpjekjeve, por edhe përtej vizioneve tona.

Në jetën tonë jemi në gjendje të kryejmë veç një iskër të asaj sipërmarrjeje vigane, që është vepra e Zotit.

Ajo, që bëjmë nuk është kurrë e plotë.

Është si të thuash se Mbretëria ndodhet shumë më larg nga ne vetë.

Asnjë fjalë nuk e thotë plotësisht atë, që mund të thuhet.

Asnjë lutje nuk e shpreh krejtësisht fenë.

Asnjë besojmë nuk të  përkryen.

Asnjë vizitë baritore nuk mund t’i zgjidhë të gjitha problemet.

Asnjë program nuk e përmbush plotësisht misionin e Kishës.

Asnjë cak, as objektiv nuk arrihet me fund.

Me këtë, dua të them se:

ne mbjellim farë, që një ditë do të mbijnë.

Vadisim farët e mbjella, me vetëdije se do t’i gëzojnë të tjerët.

Vëmë bazat e veprës, që do të realizohet.

Hedhim tharmin, që  mbrun aftësitë njerëzore.

Nuk mund të bëjmë gjithçka,

por mund të fillojmë,

e  fillesa ta çliron shpirtin,

të jep forcë ta bësh diçka, e ta bësh mirë.

Mund të mos e çosh deri në fund,  por  e nise,

e bëre hapin e parë.

Krijove mundësinë që hiri i Tënzot

të hyjë në veprën tënde

e të bëjë atë, që ti nuk munde ta bësh.

Ka shumë mundësi

të mos e shohim kurrë ëndrrën tonë të realizuar,

veprën tonë të kryer,

por  ky është ndryshimi ndërmjet kryemjeshtrit

e punëtorit të krahut.

Jemi punëtorë krahu, jo kryemjeshtra,

shërbëtorë, jo mesi.

Ne jemi profetë të ardhmërisë,

që nuk na përket!








All the contents on this site are copyrighted ©.