2015-12-22 15:00:00

Shenjtërimi i Nënë Terezës dhuratë e Qiellit për shqiptarët dhe mbarë njerëzimin


Me lartimin e Ganxhe Bojaxhiut në nderimet e altarit, Kisha, na propozon edhe njëherë, jetën dhe veprën e Nënë Terezës, si model jete. Të zgjohemi pra, t’i kultivojmë e mishërojmë vlerat ungjillore, si dhe ato të lashta arbërore, në jetën tonë të përditshme. Nga Prishtina, Rabie Ibraj, na njofton si u prit njoftimi për hapjen e udhës drejt shenjtërimit të së Lumes Nënë Terezë, vendosur nga Papa Françesku...

Në Kosovë jehon lajmi i Shenjtërimit të Nënë Terezës

Në Kosovë ka bërë jehonë vendimi i Papa Françeskut për Shenjtërimin e të Lumes Nënë Terezë, e pikërisht në këtë Vit Jubilar të Mëshirës dhe në prag të Krishtlindjes. Lajm shumë i gëzueshëm dhe i shumëpritur për gjithë kombin tone. Siç tha Vikari i Ipeshkvisë së Kosovës dr. don Lush Gjergji, Shenjtërimi i të Lumes Nënë Terezë është dhuratë e Qiellit për Shqiptarët. Pikërisht ka pasur të drejtë sepse ende populli shqiptar andej e këndej kufirit, e gjetiu, ende  nuk po e gjen rehatinë dhe qetësinë e tij. Ndonëse kemi edhe shenjtorë të tjerë me prejardhje ilire siç është Shën Asti i Durrësit, Shën Flori e Lauri i Ulpianës, Dardanisë së dikurshme, Shën Niketa, Shën Jeronimi etj, padyshim do të thotë don Lushi, se Perla e ditëve tona, fryti i martirizimit, lashtësisë, autoktonisë dhe traditës së krishterë prej kohës apostolike e deri më sot është Shën Nëna Terezë!!!

Domethënia është e shumëfishtë: kombëtare, për ta njohur traditën tonë të mirëfilltë të mikpritjes, bujarisë, zemërgjerësisë, altruizmit. Fetare, sepse e kemi tashmë një ndërmjetëse ‘Avokate’ dhe përfaqësuese te Zoti, ngase 5 Shtatori tash në çdo kalendar kishtar do të jetë Festa e ‘Shën Nënës Terezë’. E, për ne, për të zgjuar, ruajtur dhe kultivuar vlerat e lashta arbërore, për ta njohur, dashur dhe imituar Nënën Terezë në përditshmërinë tonë, vlerëson don Lush Gjergji.

Me të marrë lajmin së e Lumja Nënë Terezë do shpallet Shenjte me 5 Shtatorin e vitit të ardhshëm,  kryetari i Kuvendit të Kosovës,  Kadri Veseli ka vizituar kishën katolike në Stubëll të Vitisë dhe varrin e At Zef Ramës, nga i cili Gonxhja e vogël, përkatësisht Nëna Terezë e kishte marrë Sakramnetin e Pagëzimit.

‘Në prag të Festës së Krishtlindjes, vizitova Stubllën e Vitisë, një qendër e rëndësishme e katolicizmit shqiptar. Bashkë me don Albertin e don Viktor Sopin, vizituam edhe varrin e At Zef Ramës, Pagëzuesit të Nënë Terezës, bijës tonë të madhe, humanistes se botës për të cilën këto ditë Papa Françesku lëshoi dekretin e Shenjtërimit. Stublla dhe Letnica, janë vendet ku Nënë Tereza u frymëzua për herë të parë me idealin e bamirësisë në shërbim të paqes e njerëzimit.

Të gjithë katolikëve shqiptarë, Gëzuar për Shumë Mot Krishtlindjen dhe mbarë popullit shqiptar, Urime Shenjtërimi i Nënë Terezës’!, ka shkruar në facebook, Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Me respekt,

Mrika








All the contents on this site are copyrighted ©.