2015-12-22 16:10:00

Shenja të Zotit: lindja e Jezusit dhe e Muhametit kremtohen në të njëjtën ditë


Këtë vit, kremtimi i lindjes së Jezusit përkon me atë të profetit Muhamet. “Mawlind al-Nabī”, siç quhet festa e lindjes së profetit të ndjekur nga gjithë myslimanët e botës, do të kujtohet në mbrëmjen e 24 dhjetorit në gjithë botën arabe e në datën 25 në pjesën tjetër të planetit. Nuk ndodhte që prej 457 vjetësh. Vërtet, duhet të shkojmë pas, deri në vitin 1558, për të gjetur një përkim të tillë (ishte dita e 12-të e muajit hënor të Rabi’ al-awwal të vitit 966 të Exhirës), ndërsa në vitin 1852, Mawlid pati përkuar me 25 dhjetorin. Në një artikull, në faqen e internetit të Konferencës Ipeshkvnore Franceze, atë Vincent Feroldi, drejtor i Shërbimit kombëtar për marrëdhëniet me myslimanët, nënvizon se mediat algjeriane dhe marokene flasin për këtë prej ditësh. Emisioni “Islam de France” i 27 dhjetorit do t’i kushtohet kësaj teme. Disa dioqeza si ajo e Metz, Angers e Lille janë mobilizuar për ta festuar këtë ngjarje. Të krishterët e myslimanët gëzohen, si në Belgjikë, ashtu edhe në Magreb, nënvizon atë Feroldi.

Me festën e “Mawlind al-Nabī”, myslimanët shprehin mirënjohjen e tyre ndaj profetit, i kujtojnë virtytet, luten dhe jetojnë një çast të qetë në familje. “Bashkësitë e krishtera e myslimane – shkruan atë Feroldi – do ta kenë zemrën në festë. Do të falenderojnë Hyjin, secila sipas traditës së vet, për këtë lajm të mirë, që është lindja e Jezusit, ose e Muhametit; lindje, që do të bëhen burim takimi ndërmjet burrave e grave besimtare dhe Atij, që është burim jete, burim i jetës. Në këtë përkim të rrallë datash, shumë do të duan të shohin një shenjë të Zotit, në këto kohë të vështira, në të cilat, paqja e kumtuar nga engjëjt Natën e Krishtlindjes, keqtrajtohet nga çmenduria e njerëzve”.

Mawlid e Krishtlindje 2015: “Të festojmë ç’na bashkon, pa injoruar ç’na ndan”, është mesazhi i drejtorit të organizmit ipeshkvnor francez. “Nuk është fjala për një sinkretizëm banal, me të cilin të krahasojmë Jezusin dhe Muhametin. Jemi të vetëdijshëm për gjithçka na bashkon e na ndan. Por ky festim i njëkohshëm është rast i bukur për takim e shkëmbim. Na jep mundësinë të themi se jemi të lumtur kur rrimë së bashku ne besimtarët, me të njëjtin qëndrim shpirtëror e njerëzor, me të cilin, nga njëra anë, i drejtohemi Zotit në lutje e, nga ana tjetër, jetojmë çaste vëllazërimi e miqësie, në familje, me fqinjët e me miqtë”, vëren atë Feroldi.

Përgjegjësi për marrëdhëniet me myslimanët uron së fundi që të krishterët e myslimanët ta jetojnë festën së bashku, përmes një urimi, një ëmbëlsire, përmes respektit për traditën fetare të secilit, për t’u dhënë kështu njerëzve të kësaj epoke shembullin e bashkëjetesës. Atë Feroldi i këshillon të krishterët të zbulojnë vendin që zënë Jezusi e Maria në Kuran, ku një sure e tërë, e 19-ta i kushtohet Virgjërës Shenjte (Maryam). Në versetin 16 lexohet: “Përmende në shkrim Marinë. Ajo e izoloi veten nga familja e saj, në një vend lindor”. E verseti 21 flet për të Birin: “Ai tha: ‘Kështu tha Zotëruesi yt: Është lehtë për Mua. Do e bëjmë atë një shenjë për njerëzit dhe mëshirë prej nesh. Kjo është çështje e paracaktuar.’”

Ne vitin 2015, përfundon atë Feroldi, “Jezusi Shëlbues është shenjë më tepër se kurrë, është hir e mëshirë për gjithë njerëzit. Është princi i paqes”.








All the contents on this site are copyrighted ©.