2015-12-22 15:33:00

Jubileu në Bullgari. Nunci:ta jetojmë mëshirën me të fundmit


Viti i Mëshirës nisi edhe në Bullgari, ku, në tri dioqeza katolike, janë hapur gjashtë Porta Shenjte: në Plovdiv, Russe, Pleven, Varna dhe Sofie. Nunci apostolik për Bullgarinë dhe Maqedoninë, imzot Anselmo Guido Pecorari, hapi Portën Shenjte në konkatedralen e Shën Jozefit në Sofie.

“Hapjani portat Krishtit”.

         Porta është dera e thjeshtë, nga e cila hyhet në kishë, por me fillimin e Jubileut edhe në Bullgari, merr kuptim të veçantë: “bëhet rrugëkalim për tek Ati Qiellor” e “rast për të marrë hire të veçanta”, pohoi nunci. Në kryeqytetin bullgar jetojnë rreth 2 mijë katolikë, ndër 2 milion banorë, e ishin të gjithë aty, që nga famullitari tek meshtarët e tjerë, nga mortat e Nënë Terezës tek besimtarët, numri i të cilëve, gjatë dhjetë vjetëve të fundit, është trefishuar. Ja ç’tha imzot Anslemo Guido Pecorari për Jubileun e Mëshirës:

         “Bullgaria është ndërthurje e rrugëve të Evropës. Këtu ka katolikë, ortodoksë, hebrenj, ungjillorë e myslimanë. Ta jetosh këtu Vitin Shenjt – e unë kam përjetuar edhe të tjerë – do të thotë ta jetosh në dialog me të gjitha këto realitete”.

         Famullia e Sofies bën pjesë në një katërkëndësh të veçantë fetar, që përbëhet nga katedralja ortodokse “Shën Nedelja”, nga xhamia “Banja Bashi”, nga sinagoga e madhe dhe nga këndi i katërt, ku është katedralja katolike. Jeta në Bullgari, gjithsesi, nuk është e lehtë. Një e pesta e bullgarëve jetojnë nën pragun e varfërisë:

         “Këtu nuk jemi vetëm në periferi, jemi edhe në një zonë shumë të varfër të Evropës. Prandaj, ta jetojmë mëshirën me vëllezërit tanë më të varfër, jo vetëm me ata evropianë”.

         Qe kjo ftesa e nuncit, imzot Pecorari, për të ndarë me njëri-tjetrin ato pak gjëra që ka çdo katolik, sidomos me emigrantët, që kalojnë nëpër Bullgari e Maqedoni, sepse veçanërisht ndër më nevojtarët, pasqyrohet Fytyra e Krishtit.








All the contents on this site are copyrighted ©.