2015-12-22 15:08:00

Imzot Lahham në Jordani: Lindja e Mesme ka nevojë për paqe


“T’u jepet fund të gjitha konflikteve të përgjakshme në Lindjen tonë të dashur”, sepse “sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë të dëshpëruar për paqen”: ky është urimi për Krishtlindje i vikarit patriarkal të Jordanisë, kryeipeshkvit Maroun Lahham, i Patriarkatit Latin të Jeruzalemit. Në mesazhin e tij, prelati uron që të gjithë popujt e zonës të mund të jetojnë në paqe, si në një familje të bashkuar.

Vëmendje ndaj të varfërve dhe nevojtarëve

         Imzot Lahham kujton dy ngjarje të rëndësishme të këtij viti. Së pari, 50-vjetorin e Deklaratës konciliare “Nostra Aetate”, “dokumenti i parë mbi dialogun kristiano-mysliman”, frytet intelektuale dhe kulturore të të cilit duhen ruajtur e mbrojtur, nënvizon. Pastaj, Jubileun e jashtëzakonshëm të Mëshirës, përuruar nga Papa Françesku më 8 dhjetor. “Mëshira është sinonim i dashurisë vëllazërore – shpjegon kryeipeshkvi – e nga ajo duhet të mësojmë gjithçka na shtyn ta orientojmë humanitetin tonë drejt vëllezërve e motrave, që vuajnë për shkak të varfërisë, të shqetësimit, ose të rëndimit të vështirësive”.

Të forcohet bamirësia dhe bashkëpunimi

         Pikërisht më 21 dhjetor, në Aman u hap “Restoranti i Mëshirës”, ku dioqeza lokale dhe Karitasi i Jordanisë u shërbejnë falas rreth 500 të varfërve në ditë, si edhe përgatisin 100 pjata të tjera me ushqim për pastruesit. Imzot Lahham shpreson që kjo nismë të përhapet kudo në vend. Duke iu referuar më pas Krishtlindjes, imzot Lahham kujton se Krishti Fëmijë vjen në botë për të sjellë “gëzim e shëlbim, për të zhdukur frikën, për të na siguruar se e mira fiton mbi të keqen, drita është më e fortë se errësira, hiri është më i fuiqshëm se mëkati e dashuria mbizotëron mbi urrejtjen”.

T’u jepet fund vrasjeve dhe shpërnguljeve

         Lindja e Zotit, vazhdon prelati, garanton që “vala e dhunës, e vrasjeve dhe e shpërnguljeve në botën arabe është vetëm e përkohshme e gjendja do të përmirësohet”. Atëherë, nënvizon kryeipeshkvi, “nuk do të ketë më ndryshime ndërmjet nesh, që kanë të bëjnë me fenë, me etninë, me ngjyrën e me gjininë, sepse më fisnikët ndër ne para vështrimit të Jezusit, janë edhe më të drejtët”. Në fund, imzot Lahham na fton të meditojmë në heshtje mesazhin e Krishtlindjes, duke lutur “Fjalën e mishëruar të Zotit, që na deshi si askush tjetër”.








All the contents on this site are copyrighted ©.