2015-12-21 15:47:00

Shtegtim shpirtëror përmes Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit, emisioni XI


REMITTUNTUR EI PECCATA MULTA

 Të janë falur mëkatet

Jemi para skenës IX të Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit. Lexojmë, skalitur në bronz, fjalët, që duket sikur janë shkruar për ne: “remittuntur ei peccata multa”. Shumica nuk dinë latinisht, prandaj dikush përkthen: “Të janë falur mëkatet”. Hyjmë, me shpresë se do të na falen edhe ne, në sa meditojmë, brenda kornizës. Kjo skenë na çon në një dhomë buke. Jezusi është i ftuar për drekë tek një farize me emrin Simon. Dreka tashmë ka nisur krejt rregullisht. Por, ja, atmosfera trazohet keqas nga një vizitë e papritur, e papërshatshme, krejt e pakëndshme për të zotin e shtëpisë. Hyn brenda një grua, që të gjithë e njohin si mëkatare të madhe. Po si guxon të shkelë në portën e një shtëpie të ndershme? Gruaja stepet e mbetet si e ngrirë në prag. Duke e ndjekur Jezusin nga larg, kishte dëgjuar fjalët e Tij plot shpresë e ftesën për pendesë, që Zoti ua drejtonte pa u lodhur dëgjuesve të tij. I kishte marrë, prandaj, seriozisht deri në atë pikë, sa iu duk se po ia drejtonte pikërisht asaj. E shohim sesi, e shtyrë nga pendesa e thellë, pa pyetur fare për vështrimin e rreptë të të zotit të shtëpisë, që ndjek çdo lëvizje të saj, merr zemër, hyn në dhomën e bukës, ku drekon Jezusi, i bie ndër këmbë e nis t’ia lajë me lot e t’ia fshijë me flokët e saj të gjatë, mrekullisht të bukur. Ishin shi ato flokë, që e kishin marrë në qafë. E e kishin joshur në jetën e mëkatit.

Jezusi lexon thellë në zemrën e gruas, shikon në atë zemër një dhimbje tejet të fortë, që ia djeg e ia bën hi e pluhur të gjitha ferrat fajit e, me autoritet hyjnor i thotë: “Të janë falur mëkatet! (Lk 7,48).

Së bashku me Simonin, e ndjekim skenën me gojë hapur nga habia. Nuk kuptojmë asgjë. Gati-gati shkandullohemi duke parë dashamirësinë e Jezusit, që na duket e tepruar. Dashmirësi? Për kë? E shikojmë Mjeshtrin mëdyshas. Madje nisim edhe të dyshojmë e të mendojmë se duhet ndenjur larg asaj gruaje, e edhe larg Tij.

 Po Ai na e davarit çdo dyshim, duke na ftuar edhe ne ta hapim zemrën tonë mëkatare, për ta pranuar lajmin e bukur e të mirë, që e solli në botë. E lajmi i mirë është ky: “Zoti i do të gjithë. Zoti i pret. Zoti është gjithnjë gati të falë. I mjafton pendimi”.

 Të lutemi:

Jezus,

nuk dua të kem

zemër të akullt,

ziliqare,

që s’do, as duhet.

S’e dua, o Zot

zemrën e farizeut!

Ndihmomë

të mos dyshoj kurrë

se Zoti më do,

më pret

gati gjithnjë të më falë,

mua e vëllezërit e mi.

Zoti më do

në gëzim edhe në vaj,

a mund të mos i përngjaj?








All the contents on this site are copyrighted ©.