2015-12-20 16:35:00

Shtegtim shpirtëror përmes Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit, emisioni X: Skena VIII


TOLLE GRABATUM TUUM ET AMBULA

Merre shtrojen tënde e ec…

Skena  VIII derdh në bronz emocionin e njeriut të paralizuar, që bën hapat e para, i nxitur nga një urdhër i papritur i Jezusit: “Merre shtrojen tënde e shko në shtëpi!” (Mt 9,6).

Por para se t’i shërojë korpin, Jezusi shikon thellë në zemrën e gjytrymit e sheh në të një rrogomisje mëkatesh, si retë në ditë stuhie, e, mes tyre, edhe një rreze të hollë shprese e një fill të artë pendimi. Prandaj i thotë: “Zemër, biri im, t’u falen mëkatet!” (Mt 9,2).

Njerëzit për rreth mbeten me gojë hapur nga habia e arrijnë të mendojnë zi e më zi. Pastaj nisin të thonë haptas: “Ky blasfemon” (Mt 9,3).  Por Jezusi e bën këtë mrekulli, e shëron paralitikun, pikërisht që të gjithë ta kishin të qartë se Ai ishte dora e shtrirë e Zotit, për t’i nxjerrë nga honi i mëkatit.

Por mrekullia e vërtetë është ajo e faljes.  Shërimi i vërtetë i shpirtit të larë e të pastruar me ujin  e Mëshirës së pashterrshme të Zotit: ky ujë iu dorëzua Kishës e meshtarëve të saj, që janë dora e Jezusit. Dorë, që fal e shëron. E ky është kuptimi e edhe qëllimi i Jubileut.

Me të drejtë Gilberto Chesterton, në çastin kur vendosi të bëhej katolik, deklaroi publikisht: “Po bëhem katolik, që të mund të rrëfehem. Edhe po t’i sillem rreth e rreth gjithë botës, e di se vetëm në Kishën Katolike mund të gjej një njeri të autorizuar drejtpërdrejt nga Zoti për të m’i falur mëkatet”.

E pas Rrëfimit të parë, brohoriti: “Ç’mrekulli! Ndërsa meshtari m’i zgjdhte mëkatet e më jepte ndjesën e Zotit, m’u duk se bota u përmbys… ishte   e shtrembër, e u bë e drejtë!”.

Përvojë, kjo, që mund ta provojmë të gjithë: mjafton të gjunjëzohemi!

Të lutemi:

Jezus,

Ti je falja e Zotit.

Je Ai, që u bë

i afërmi ynë!

 

Në Sakramentin

e Rrëfimit

krahët e tu mëshirplotë,

më rrokin,

më shërojnë,

më kthejnë përsëri në jetë.

Jezus,

ndihmomë ta kuptoj

bukurinë e këtij Sakramenti.

Amen.








All the contents on this site are copyrighted ©.