2015-12-20 16:54:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: Kisha ka shumë njolla e rrudha, por mbetet nënë


Për Krishtlindje Zoti na dhuron gjithë vetveten, përmes të Birit, Jezusit, e vetëm nëse e ndjekim shembullin e Marisë, mund ta çmojmë vërtet dhuratën e  dhuratave e ta pranojmë dhantinë e shëlbimit. Kështu u shpreh Papa Françesku në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, gjatë së cilës u ndalua për pak çaste në “viset” e mahnitjes, që janë: tjetri, historia e Kisha.

Për ta kremtuar me fryt Krishtlindjen, Papa Françesku na fton të reflektojmë mbi “vendet” e mahnitjes në jetën e përditshme. Ku mund ta gjejmë, pra, këtë mahnitje? Së pari, na kujton, mund ta gjejmë tek “tjetri”, në të cilin shikojmë vëllain, sepse që kur lindi Krishti, çdo fytyrë i ngjet fytyrës së vetë Zotit:

“Posaçërisht kur është fytyra e të varfërit, sepse i varfër hyri edhe Zoti në botë e të varfërit i la t’i afroheshin të parët”.

Historia, pastaj, është “vend” tjetër mahnitjeje, por me kusht që ta shikojmë me lenten e fesë. Shumë herë, kujtoi me qortim Papa, rrezikohemi ta lexojmë së prapthi e të na duket e varur krejtësisht nga ekonomia e tregut, nga financa e nga afarizmi, e sunduar nga njerëzit e pushtetshëm të turnit:

“Po Zoti i Krishtlindjes është Zot, që ‘i ngatërron kartat’: i pëlqen ta bëjë këtë. Siç këndon Maria në Magnificat, është vetë Zoti ai, që i rrëzon të pushtetshmit nga fronet, i larton të përvuajturit, i mbush përplot me të mira të uriturit e duarbosh i nis të pasurit”.

Së fundi “Kisha”, që nuk duhet shikuar vetëm si institucion fetar, por, mbi të gjitha, duhet ndjerë si nënë e cila, pavarësisht nga njollat e rrudhat -  që nuk na mungojnë – vërejti Françesku - është nusja e dashur dhe e pastruar nga Krishti Zot e di t’i dallojë sinjalet e dashurisë, që Hyji ia dërgon vazhdimisht. Kishë, për të cilën Jezusi nuk është “pronë për t’u mbrojtur me xhelozi”: ata, që e bëjnë këtë – shtoi - gabojnë: por është Kishë, e cila e thërret Zotin:

“Kishë nënë, që i ka gjithnjë portat e krahët hapur, për t’i mikpritur të gjithë. Madje Kishë nënë, që del nga portat e veta, për t’i kërkuar, me buzagazin e nënës, gjithë të largëtit e për t’u prirë drejt mëshirës së Zotit. Kjo është mahnitja e Krishtlindjes”.

Reflektimi i Atit të Shenjtë u nis nga Ungjilli i së Dielës IV të Kohës së Ardhjes, i cili na propozon rrëfimin e vizitës së Marisë tek Elizabeta, kushërira, që nuk mund të lindte fëmijë, por që - e edhe kjo, gjë që të mahnit - ishte në muajin e gjashtë të shtatzanisë, siç kishte kumtuar engjëlli Gabriel. E pikërisht figurën e Marisë Papa Françesku e vuri fort në dukje: ajo, që zuri në fe Birin e Zotit, niset menjëherë për shtegtim të largët, për ta ndihmuar kushërirën e motuar, duke mbartur me vete një dhuratë edhe më të madhe:

“Në takimin e dy grave – përfytyrojeni: njëra gati-gati plakë, e tjetra, në lule të rinisë – është pikërisht  e reja, Maria, që përshëndet e para. Ungjilli na kujton: ‘Si hyri në shtëpi të Zakarisë, e përshëndeti Elizabetën’. E menjëherë pas kësaj përshëndetjeje, Elizabeta u shtang nga habia. U mahnit krejt. Mahnitje! Elizabeta mbeti pa mend, gjë që ndjehet fort edhe në fjalët e saj: ‘Prej nga e pata fatin të vijë tek unë nëna e Zotit tim?’”.

E edhe ne ftohemi ta presim me të njëjtin gëzim e të njëjtën mahnitje, ashtu si Maria, Zotin, dhuratën e dhuratave, dhantinë e pamerituar, që na sjell shëlbimin:

“Na ndihmoftë Ajo ta perceptojmë mahnitjen - këto tri mahnitje: tjetrin, historinë e Kishën - për lindjen e Jezusit, dhuratës së dhuratave, dhantisë së pamerituar, që na sjell shëlbimin. Takimi me Jezusin do të na bëjë edhe ne ta ndjejmë fort këtë mahnitje. E këtë mahnitje nuk mund ta ndjejmë, e as nuk mund të takohemi ndryshe me Jezusin, veçse në të tjerët, në histori e në Kishë”.

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Ati i Shenjtë përshëndeti, ndërmjet tjerësh, familjet, që i lidh shpresa e dhimbja duke ndenjur mbi kokë të fëmijëve të tyre të sëmurë, shtruar në Spitalin e Krishtit Fëmijë:

“Të dashur prindër, ju siguroj për afërsinë time shpirtërore e ju inkurajoj ta vijoni udhën tuaj të fesë e të vëllazërisë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.