2015-12-20 09:00:00

Nënë Tereza, apostullja e të fundmëve


Gazeta italiane kishtare “Avvenire” ishte e para, që botoi njohjen e mrekullisë së Nënë Terezës nga ana e Papës Françesku. Pasi përshkruan shërimin e brazilianit të sëmurë e pa shpëtim e pasi shpjegon se kjo është mrekulli e “shkallës së parë” e barazuar me ngjalljen së vdekurish, gazetarja Stefania Falasca i kushton shenjtes shqiptare një pjesë tjetër, ku vë në dukje virtytet e saj. Ja pjesa e titulluar “Apostullja e të fundmëve”:

         “Nënë Tereza e përmbysi asimetrinë tradicionale të praktikave asistencialiste, të kryera shpesh nga lart, poshtë. Sipas modelit ungjillor, dha shembullin e marrëdhënieve të ndërsjella të dhuruesit me atë, që e merr dhuratën, në mirëkuptim e në respekt, përmes bashkëndarjes së stileve dhe të kushteve të jetës. Për të Lumen, ‘refuzimi është sëmundja më e keqe, që mund të provojë një njeri’. I kushtoi vëmendje të veçantë izolimit shoqëror. Prandaj, nismat e saj kanë qenë gjithnjë gjithëpërfshirëse, pavarësisht nga kultura, gjuha apo feja: ‘Ka një Zot të vetëm dhe Ai është Zot për të gjithë – shkruante – e për këtë, është e rëndësishme që secili të duket i barabartë me të tjerët para Tij. Kam thënë gjithmonë se duhet ta ndihmojmë një hinduist për t’u bërë hinduist më i mirë, një mysliman për t’u bërë mysliman më i mirë dhe, një katolik për t’u bërë katolik më i mirë. Besojmë se puna jonë duhet të jetë shembull për njerëzit”.

         Vdekja e saj në vitin 1997, siç mund ta kujtojnë shumë vetë, shkaktoi mallëngjim të madh në mbarë botën: India i rezervoi funerale solemne shtetërore, me pjesëmarrje të gjerë popullore dhe me praninë e autoriteteve të gjithë botës. Sekretari i atëhershëm i përgjithshëm i OKB-së, Javier Perez de Cuellar, arriti të deklarojë se ‘ajo është Kombet e Bashkuara. Ajo është paqja në botë’. Kryeministri i Pakistanit tha se ‘jeta e saj e gjatë, e përkushtuar në kujdesin për të varfërit, për të sëmurët dhe për fatkëqinjtë ka qenë një nga shembujt më të mëdhenj të shërbimit ndaj njerëzimit”.

         Gjatë udhëtimit të shtatorit 2014 në Tiranë, Papa Françesku tregoi takimin e tij me Nënë Terezën e Kalkutës, gjatë Sinodit të vitit 1994. Rregulltarja ishte grua, që nuk impresionohej lehtë, ‘thoshte gjithmonë atë që donte’, i pati thënë Françesku meshtarit (don David Gjugja), që i bëri përkthyesin gjatëudhëtimit në tokën shqiptare, siç vuri në dukje pastaj, gjatë konferencës për shtyp në Tiranë, drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit. Duke kujtuar rrethanat e takimit me ‘apostullen e të fundmëve’, Papa Bergoglio tha: ‘ishte ulur mbrapa meje gjatë punimeve. Admirova forcën e saj, vendosmërinë e ndërhyrjeve, s’i bënte përshtypje asambleja e ipeshkvijve. Thoshte atë që donte…’. Françesku pati shtuar edhe një batutë, duke qeshur: ‘Do ta kisha frikë po të ishte eprorja ime’.

         Nënë Tereza është varrosur në Kalkutë, në shtëpinë e Misionareve të Bamirësisë. Mbi varrin e saj të bardhë e të thjeshtë është skalitur një frazë nga Ungjilli sipas Gjonit. Një frazë, që s’thotë tjetër, përveçse përmbledh jetën e saj e na vë në dukje dëshminë revolucionare të mëshirës, që jemi të thirrur ta jetojmë sot: “Duajeni njëri-tjetrin, siç ju kam dashur unë ju”.








All the contents on this site are copyrighted ©.