2015-12-20 09:30:00

Jubileu në Shqipëri: hapen kudo Portat e Mëshirës


Ashtu si në të gjithë botën, edhe në Shqipëri, të dielën e kaluar u hapën shumë Porta të Mëshirës, në dioqeza. Në atë të Shkodrës, kryeipeshkvi metropolit, imzot Angelo Massafra, hapi Portën Shenjte në katedralen e Shën Shtjefnit. Por, besimtarët do të mund ta kapërcejnë Portën e Mëshirës edhe në shenjtëroren e Zojës, siç sqaroi vetë ipeshkvi gjatë homelisë.

Jubileu në Shkodër

         “Kështu kremtohet Jubileu, - nënvizoi imzot Massafra - duke kryer shtegtimin drejt Kishës Katedrale, drejt Shenjtërores së Zojës së Këshillit të Mirë, ose drejt njërës prej Bazilikave më të Mëdha që gjenden në Romë dhe duke kaluar nëpër Portën e Shenjtë. “Shtegtimi është shenjë e posaçme e Vitit të shenjtë sepse kujton ecjen që çdo person bën në ekzistencën e vet. Jeta është një shtegtim dhe qenia njerëzore është “udhëtare”, shtegtare, që përshkon një rrugë deri në cakun e dëshiruar”(Papa Françesku). Pra, shtegtimi është një rrugëtim pendimi dhe përgatitjeje për përtëritje të brendshme që besimtari e bën mbi hapat e Jezusit. Duke bërë ato gjeste, kaq të thjeshta por shumë domethënëse, do të angazhohemi që të jemi njerëz më të mirë, dhe me mirësinë tonë do të ndihmojmë që ta bëjmë këtë botë një vend më të mirë”, theksoi imzot Massafra.

Jubileu në Tiranë e Durrës

Jubileu i Mëshirës filloi edhe në dioqezën e Tiranë – Durrësit. Me datë 13, u kremtua mesha në orën 11.00 në Katedralen e shën Palit nga Administratori dioqezan Imzot Gjergj Frendo O.P, i cili e mori këtë detyrë pas vdekjes së imzot Rrok Mirditës.

Të nesërmen, me datë 14 dhjetor, Porta Shenjte u hap në Konkatedralen e shën Luçisë në Durrës. Në  fjalën e tij Imzot Frendo u ndal në kuptimin e mëshirës. Duke komentuar shëmbëlltyrën e deles së humbur në Ungjillin e  Lukës, ai tha se bariu nuk pret që delja e humbur të kthehet, nuk e braktis atë, por shkon dhe e kërkon duke u gëzuar pasi e gjen. Kështu bën edhe me ne Ati Qiellor: na kërkon Ai i pari, sepse ka mëshirë për ne. Tani pritet që Porta e Mëshirës të hapet edhe në shenjtëroren e shna’Ndout në Laç, një nga Kishat e përcaktuara nga Ipeshkëvi Mirdita për dioqezën e Tiranë-Durrësit.

Jubileu në Rrëshen

Porta Shenjte u hap edhe në dioqezën e Rrëshenit nga ipeshkëvi i kësaj dioqeze, imzot Cristoforo Palmieri, në katedralen e Jezusit, Shëlbuesit të vetëm të botës. Procesioni filloi nga sheshi kryesor i qytetit deri tek porta e Katedrales e më pas, brenda, ku u kremtua edhe mesha.

Jubileu në Lezhë

Ndërkaq, në dioqezën e Lezhës, Porta e Mëshirës e hapur nga ipeshkvi, imzot Ottavio Vitale, është ajo e katedrales së Shën N’Kollit.

“Sot, këtu në Lezhë, - tha imzot Vitale në homeli - duke e kaluar Portën e Shenjtë, e njohim veten borxhlinj përpara Hyjit e kemi nevojë për Mëshirën e Tij. Por, në të njëjtën kohë, …angazhohemi që të jemi më të mëshirshëm njëri ndaj tjetrit; të ndihmohemi si vëllezër e motra; të mos i braktisim njerëzit më të varfër, të sëmurët e të moshuarit. Do të angazhohemi që ta jetojmë drejtësinë dhe dashurinë vëllazërore; ta heqim nga zemrat tona çdo lloj forme hakmarrjeje dhe urrejtjeje; ta zhdukim çdo formë korrupsioni që na bën të përfitojmë nga tjetri në mënyrë të pandershme”.

Jubileu në Administraturën e Jugut

Jubileu i Mëshirës nisi edhe në Administraturën e Jugut, në dy kisha të saj: të shtunën, 12 dhjetor, në atë të shën Piut X në Elbasan dhe të dielën, 13 dhjetor, në atë të Shën Pjetrit e Shën Palit në Lushnje. Të dyja kremtimet i udhëhoqi ipeshkvi i Jugut, imzot Hil Kabashi.








All the contents on this site are copyrighted ©.