2015-12-19 18:19:00

U hap Porta Shenjte në Haleb: shenjë e madhe shprese


Ndërsa në Siri vijojnë ndeshjet dhe sulmet me raketa, të diel, njëherësh me shumë Porta Shenjte nëpër botë, u hap edhe Porta Shenjte e Halebit. Riti u kremtua në Famullinë e Shën Françeskut që, më 25 tetorin e kaluar, u dëmtua rëndë nga një mori granatash. Për domethënien e kësaj ngjarjeje, të dëgjojmë  françeskanin, atë Ibrahim Alsabagh, famullitar i bashkësisë latine të Halebit, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Është shenjë e madhe e dashurisë së këtyre të krishterëve, që jetojnë këtu. Pavarësisht nga gjithë kjo urrejtje, që i rrethon, nuk mendojnë kurrë për të marrë hak. Përkundrazi, kërkojnë e dëshirojnë vetëm pajtim e paqe. Me këto ndjenja e hapën Portën Shenjte, me shpresë se do të mund ta kapërcejnë edhe ata, që e gjuajtën Kishën me bomba. Thua të jetë pritje e kotë? Ndoshta! Por ndërkaq nuk mund të mos pranojmë se është shenjë e madhe shprese. Kjo tregon se urrejtja nuk do të fitojë. Se rrënimi, që vjen nga bombat në këto troje, nuk do të fitojë. Se në këtë vend, ku shëtit lirshëm vdekja, jeta do të ngadhënjejë përsëri. Sepse do të ndërhyjë dora e gjithëmëshirshme e Zotit, që e ndjejmë ditë për ditë pranë në jetën tonë aspak të lehtë. Shenjë e madhe dashurie për gjithë bashkësinë e krishterë, por edhe për mbarë qytetarët, kjo Portë Shenjte…

Pyetje: - A mund të jetë  edhe Portë e hapur për paqen?

Përgjigje: - Sigurisht, sepse ne nisim çdo ditë prej saj mesazhe pajtimi e shprese, bamirësie e dashurie. E ua shtrijmë dorën jo vetëm tanëve, por edhe atyre, që i përkasin palës tjetër, fundamentalistëve, të cilët thjesht nga urrejtja, vijojnë të lëshojnë bomba të verbëra mbi shtëpitë tona, mbi kishat tona e deri mbi xhamitë. E shtrijmë gjithnjë dorën për të dhënë ndihmë e kemi për ditë nga një mesazh, që u drejtohet të gjithëve, mbarë Halebit, por edhe mbarë Lindjes së Mesme e mbarë botës!








All the contents on this site are copyrighted ©.