2015-12-19 08:30:00

Rituali i hapjes së Portës Shenjte


Porta e parë shenjte në historinë e Kishës, mendohet të jetë hapur nga Papa Martini V në vitin 1423, për të hyrë në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran. Porta Shenjte e Bazilikës së Shën Pjetrit, me sa dihet, duhet t’i përkasë Jubileut të vitit 1450, kur u hap në faqen e murit, në fund të kapelës, kushtuar nga Gjoni VII Nënës së Zotit, në vendin ku ndodhet edhe sot e kësaj dite.

Aleksandri VI, në vitin 1500, deshi ta nxirrte më në pah këtë shenjë të  hapjes së Vitit Jubilar: vendosi, prandaj, të hapte një Portë Shenjte në të gjitha bazilikat patriarkale, duke e lënë për vete atë të Shën Pjetrit, të cilën e ndreqi dhe e zgjeroi.

Rituali për këtë rast mbeti pothuajse i pandryshuar në rrjedhë shekujsh. Duke kënduar “M’i hapni portat e drejtësisë: dua të hyj e ta falënderoj Zotin. Kjo është porta e Zotit, nëpër të hyjnë të drejtët” (Ps. 118, 19-20), Papa troket tri herë me çekiç mbi murin prej tullash, që mbyll hyrjen; pas rrëzimit të murit e pasi pendestarët të kenë larë pragun e Portës së hapur me ujë erëmirë, Papa e kapërcen, duke mbajtur  kryqin më të djathtë  e  qiriun e ndezur më të majtë e duke nisur Himnin Te Deum. Ky ritual, i prekur fare pak në rrjedhë kohe, kremtohej akoma në Vitin Shenjt 1975 e edhe në Vitin 1983, duke u pasuruar me procesion, shoqëruar nga litanitë e shenjtorëve.

Vlera kishtare

Porta Shenjte ka  në vetvete simbolizmin e veçantë, pikërisht atë të portës së kishës, që të kujton hyrjen në misterin e Krishtit të gjallë në Kishën e Tij. Për këtë na flet qartë figura e hardhisë me shërmendët (cfr Gjn 15,5) mbi Portën qendrore të Bazilikës së Shën Palit jashtë Mureve: të pagëzuarit, të shartuar në Krishtin, formojnë me Të e ndërmjet tyre, një organizëm të vetëm të gjallë. Vlera e portës së një kishe, vend ku mblidhen besimtarët në emër të Trinisë, vihet posaçërisht në dukje në ritin e bekimit të një porte të re: “Jepu besimtarëve të tu, që e kapërcejnë këtë prag, hirin të priten nga prania jote, o Atë, nëpër Krishtin, Birin tënd, në një Shpirt të vetëm” (Benedizionale, n.1944; mbi kuptimin e portës së kishës, cfr n. 1434).

Akti i kapërcimit të portës së kishës, duhet të shprehë për çdo të krishterë dëshirën e takimit me Hyjin e me gjymtyrët e gjalla të Korpit të Krishtit; duhet t’i kujtojë hyrjen e parë në Kishë për t’u pagëzuar, si dhe hyrjet e tjera për të kremtuar sakramentet shenjte, posaçërisht Eukaristinë e së dielës. Kapërcimi shënon kalimin nga një gjendje e çkujdesur, në gjendjen e lutjes; nga dita e javës, në atë të festës; nga vetmia, në bashkim; nga nxitimi për shkak të mijëra gjërave që duhen bërë, në gjunjëzimin paqtor tek këmbët e Mjeshtrit, për të dëgjuar Ungjillin e Tij. Riti i kapërcimit të Portës Shenjte gjatë Jubileut, ka, prandaj, fuqinë simbolike të tërheqjes së vëmendjes së besimtarëve mbi misterin e hyrjes së tyre në Kishën e Krishtit. 








All the contents on this site are copyrighted ©.