2015-12-18 16:26:00

Shtegtim shpirtëror përmes Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit, emisioni IX: Skena VII


O Atë, mëkatova kundër qiellit e kundër teje (Lk 15,18)

Hyjmë sot në kornizën e shtatë, për të rijetuar një nga historitë më të bukura, që dolën nga goja e Jezusit. Përballë njerëzve, që po e dëgjonin me gojë hapur, Krishti tha: “Zoti i ngjet një ati, që ka dy djem; këta bij janë zemra e jetës së tij, e edhe trazimi i zemrës së tij. Djali më i vogël u bë aq i pacipë, sa t’i kërkonte t’et trashëgimin, pa pritur të mbyllte sytë për dritën e kësaj jete. I ati mund të mos ia jepte, por nuk e bëri këtë. E dinte se nuk mund ta bësh tjetrin, as tënd bir, të të dojë me zor. Dashuria, për të qenë e vërtetë, duhet të burojë drejt nga shpirti! E kështu i biri ikën, duke përplasur portën e duke menduar se po fluturonte larg atit e drejt lumturisë. Ndërsa përfundon zi e më zi…. Bari derrash! E shohim edhe në kornizën e bronztë, sa i hidhur është mëkati; është rrugë rrëshqitëse, në të cilën mund të marrësh shumë lehtë më thua. Mëkati është iluzion, është shigjetë, që nuk arrin ta godasë shenjën!

Prandaj djali pendohet e ëndërron shtëpinë e humbur e, më në fund, vendos të rikthehet. Ishte nisur me kokën përpjetë, e tani kthehet me kokë ulur, duke pritur drurin e merituar nga i ati.

Por ja, ndodhet para një të papriture; i ati vrapon drejt tij, e merr ngrykë, harron gjithçka e, i lum, e fal menjëherë.

Brenda kësaj kornize të Portës Shenjte, shikojmë vetveten, historinë e jetës sonë. Nëse bëjmë një hap të vetëm drej Zotit, ndodhemi menjëherë para së papriturës. Ndjejmë sesi krahët e hapur të Atit na shtrëngojnë fort e na e rikthejnë dinjitetin dhe lumturinë, përmes faljes. E nga bari derrash që ishim, bëhemi rishtas bij!

Të lutemi:

O Jezus,

ndalem mendueshëm tek këmbët e Kryqit

që e ngrita edhe unë me mëkatet e mia!

Mirësia jote, që s’ mbrohet

por kryqëzohet,

është mister e më prek thellë.

Dhe pse nuk e kuptoj…

Ti erdhe në botë për mua.

për të më kërkuar,

për të më prirë drejt krahëve të Atit:

drejt përqafimit, që më mungon!

Ti je Fytyra e mirësisë,

e mëshirës:

prandaj dëshiron të më shpëtosh!

Mbi shpirtin tim dynden retë:

eja me dritën tënde e davariti!

Në shpirtin tim vlon egoizmi,

eja e munde me dashurinë e pafund.

Në shpirtin tim ka krenari e mllef,

eja me butësinë tënde e me përvujtërinë.

O Zot, jam unë mëkatari

që pret prej teje shpëtim!

Djali plangprishës jam unë.

O Zot, ma fal dhantinë e lotëve,

për të gjetur rishtas lirinë, jetën,

e paqen me Ty

e gëzimin në Ty

Amen! 








All the contents on this site are copyrighted ©.