2015-12-18 19:51:00

Papa hapi Portën Shenjte të Bamirësisë: Hyrja në Qiell nuk paguhet me para


Papa Françesku hapi “Portën Shenjte të bamirësisë” në Strehën e Karitasit pranë Stacionit hekurudhor Termini në Romë, e cila mban emrin e don Luigji Di Liegros. Më pas, kremtoi meshën, në praninë e të strehuarve në këtë strukturë e të ardhurve nga qendra të tjera të Karitasit.

         Gjatë homelisë nënvizoi:

         “Zoti vjen të na shpëtojë e nuk gjen mënyrë më të mirë për ta bërë këtë sa të ecë me ne, të bëjë të njëjtën jetë me ne. E në çastin e zgjedhjes së mënyrës, Ai nuk zgjedh qytetin e madh të ndonjë perandorie të madhe, nuk zgjedh ndonjë princeshë apo konteshë për nënë, ndonjë person të rëndësishëm, nuk zgjedh ndonjë pallat luksoz. Duket – vijoi Papa Françesku – sikur gjithçka është bërë qëllimisht, gati fshehurazi. Maria, një vajzë 16-17 vjeçare, jo më shumë, në një fshat të humbur në periferinë e Perandorisë Romake; e askush nuk e njihte atë fshat, sigurisht. Jozefi, një djalë që e donte dhe dëshironte të martohej me të, një zdrukthtar që e fitonte bukën e gojës çdo ditë. Gjithçka me thjeshtësi, gjithçka fshehurazi. …ishin të fejuar e në një fshat kaq të vogël, e dini edhe ju si përhapen fjalët, apo jo? Xhirojnë… E Jozefi e kuptoi se ajo ishte shtatzënë, por ai ishte njeri i drejtë. …E Engjëlli i shpjegoi Jozefit misterin: ‘Ai bir, që mban në kraharor e fejuara jote është vepër e Zotit, është vepër e Shpirtit Shenjt’. ‘Kur Jozefi u zgjua nga gjumi, bëri atë që i kishte urdhëruar Engjëlli i Zotit, shkoi tek ajo dhe e mori për grua’. Por gjithçka fshehurazi, gjithçka me përvuajtëri. Qytetet e mëdha të botës s’dinin asgjë. E kështu është Zoti ndër ne. Nëse dëshiron ta gjesh Zotin, kërkoje në përvuajtërinë, kërkoje në varfërinë, kërkoje aty ku fshihet: në nevojtarët, në më nevojtarët, në të sëmurët, në të uriturit, në të burgosurit”.

         E pastaj, Papa vazhdoi: “Kur Jezusi na predikon jetën, na tregon se Zoti në Gjykimin e mbramë nuk do të thotë: ‘Ti eja me mua, sepse i ke bërë Kishës shumë oferta të mira, se je bamirës i Kishës e atëherë hajde në Qiell…’. Jo! Hyrja në Qiell nuk paguhet me para, eh? Nuk do të thotë: ‘Ti je shumë i rëndësishëm, ke studiuar shumë e ke pasur shumë nderime, eja në Qiell…’. Jo! Nderimet nuk ta hapin portën e Qiellit. Çfarë do të na thotë Jezusi për të na hapur portën e Qiellit? ‘Isha i uritur dhe më dhe të ha; isha i pastrehë e më dhe shtëpi; isha kështu, isha i sëmurë e erdhe të më shohësh; isha në burg e erdhe të më bësh vizitë’. Jezusin e gjejmë në përvuajtëri. E dashuria e Jezusit është e madhe. Prandaj, sot, në hapjen e kësaj Porte Shenjte, unë dua që Shpirti Shenjt t’u hapë zemrat të gjithë romakëve e t’i bëjë ta shohin udhën e shpëtimit. Nuk ka luks, nuk është rruga e pasurive të mëdha, nuk është rruga e pushtetit. Është rruga e përvuajtërisë. E aty janë më të varfërit, të sëmurët, të burgosurit… por Jezusi thotë edhe më shumë. ‘Edhe më mëkatarët, nëse pendohen, do të na paraprijnë në Qiell’, ata e kanë çelësin. Bamirësi është ai, që e lë veten tapërqafojë mëshira e Zotit”.

         “Ne – tha Papa Françesku – sot, e hapim këtë Portë e kërkojmë dy gjëra. Së pari, që Zoti të na hapë portat e zemrës të gjithëve. Të gjithë kemi nevojë, të gjithë jemi mëkatarë, të gjithë kemi nevojë të dëgjojmë Fjalën e Zotit e [kemi nevojë] që Fjala e Zotit të vijë. Së dyti, që Zoti të na bëjë ta kuptojmë se rruga e mendjemadhësisë, rruga e pasurive, rruga e kotësive, rruga e krenisë, nuk është udhë shëlbimi. Zoti na dhashtë të kuptojmë se përkëdhelja e tij prej Ati, mëshira e tij, falja e tij, është e dukshme kur ne u afrohemi të vuajturve, të mënjanuarve të shoqërisë: aty është Jezusi. Kjo portë, që është porta e bamirësisë, porta, përmes së cilës ndihmohen shumë e shumë të mënjanuar, na bëftë të kuptojmë se do të ishte bukur sikur secili prej nesh, secili prej romakëve, të ndjehet i mënjanuar e ta ndjejë nevojën për ndihmën e Zotit. Sot, ne lutemi për Romën, për të gjithë banorët e Romës, për të gjithë, duke filluar prej meje, që Hyji të na japë hirin  për t’u ndjerë hedhurina, sepse ne nuk kemi asnjë meritë: vetëm Ai na jep mëshirën e hirin e për t’iu afruar atij hiri, duhet t’u afrohemi të mënjanuarve, të varfëve, nevojtarëve, sepse do të gjykohemi mbi bazën e kësaj afërsie. Zoti sot, duke hapur këtë Portë, i dhashtë hirin gjithë Romës, çdo banori të Romës për të ecur përpara drejt përqafimit të mëshirës, aty ku Ati merr Birin e plagosur, por i plagosuri është Ati: Zoti është plagosur nga dashuria, prandaj është i aftë të na shëlbojë të gjithëve. Zoti na dhashtë këtë hir”.

         Në përfundim të meshës, pasi la paramentet në sakresti, Ati i Shenjtë hyri sërish në mensën e Qendrës së Karitasit të Romës dhe u tha të pranishmëve:

         “Po afrohet Krishtlindja, po afrohet Zoti. E Hyji, kur lindi, ishte aty, në atë grazhd, askush nuk e kuptonte se ishte Zoti. Në këtë Krishtlindje, do të desha që Zoti të lindte në zemrën e secilit prej nesh, fshehurazi… kështu që askush të mos e marrë vesh, por ama, Zoti të jetë aty. Këtë ju uroj, lumturinë e afërsisë së Zotit. Ju lutuni për mua e unë do të lutem për ju. Faleminderit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.